Aparati im fotografik, qysh në fillim u pa me shumë dyshim dhe pata vështirësi të madhe ta bindja secilin që t’i bëja fotografi.

Shumë fotografi të fshehta i kam bërë me një aparat fotografik të vogël “Brownie”, pasi për fat të keq i kisha mbaruar filmat për Kodakun e madh që kisha. Por, isha në gjendje që të siguroja disa fotografi, të cilat shfaqen në këtë vëllim. Një mëngjes herët, në të lindur të diellit, isha duke ecur me Lukën dhe Palokun, kur na kaloi para një grua e re.

“Kjo është Mrika e Kolë Marashit,” – tërhoqi vëmendjen Luka.

Ju pëlqen!

“Kush është ajo? ” – pyeta.

“Mrika. Gruaja që mori gjakun”, – ishte përgjigjja e tij.

“Dy vjet të shkuara, ajo ishte vajza më e bukur e fisit tonë dhe kishte një duzinë burra, të gatshëm për t’u martuar me të. Ajo u martua me Lecin, një djalë të zgjuar i anës së Pulatit dhe një nga rojet e bajraktarit, njëlloj si unë. Një muaj pas martesës, Leci u vra pabesisht nga i vëllai, i cili jetonte poshtë Drinit të Bardhë, ky i dashuruar marrëzisht me të.

Kur ajo mori lajmin u shpërfytyrua nga pikëllimi. Por, me ngadalë thuri planet për gjakmarrjen dhe duke mos pasur asnjë të afërm të gjinisë mashkullore, zgjodhi ta merrte vetë gjakun.

Kësisoj, na la dhe u zhduk për gati një vit, gjatë të cilit ajo ndoqi hap pas hapi kunatin e saj, në Ohër, në Maqedoni, pastaj në Shkup, Prizren dhe në shumë vende të tjera, duke pritur gjithmonë mundësinë për të kryer goditjen. Kjo ndodhi një pasdite, kur vrasësi i së shoqit po ecte në rrugën kryesore të Shkodrës dhe ajo, nxori koburen e Lecit nga brezi dhe ia shpërtheu atij tutje fytyrën. Trimëri për një grua, apo jo? Por, nuk mbaron me kaq,” – vazhdoi ai.

“Me të vrarë vrasësin, shkoi direkt në shtëpinë e prindërve të tij, pas një udhëtimi treditor dhe i vrau që të dy. Që atëherë ajo është kthyer me ne, pasi vdekjes së të shkretit Lec iu mor haku. Më erdhi keq që ai vdiq, – shtoi ai me keqardhje, – sepse ishte një nga miqtë e mi më të dashur.”

Titulli: ”An observer in the Near East”
Autori: Le Queux, William, 1864-1927
Botues: London, ”T. Fisher Unwin”, 1907

©MekuliPress/ Dhuro sot vetëm 1 euro dhe shpëtoje MekuliPress. Ndihmo gazetarinë e pavarur nga partitë politike dhe oligarkët. FOTO: No copyright infringement is intended.