“Mos fajëso askënd” është një nga poezitë më të bukura të Pablo Nerudës, e preferuara ime. Në thelb, autori do t’i bindë të gjithë se janë përcaktuesit e fatit të tyre. Ne jetojmë siç duam, ose siç e bindim veten se duam, dhe kur diçka shkon keq në të ardhmen, mendojmë se fajin e ka fati ynë i keq. Kjo nuk është e vërtetë. Me zgjedhjet që bëjmë, ne përcaktojmë fatin tonë. Me zgjedhjet e së shkuarës kemi përcaktuar tëtashmen, dhe me zgjedhjet e së tashmes po përcaktojmë të ardhmen. Nisur nga ky përfundim kaq i thjeshtë, autori na nxit të gjithëve të çohemi e të luftojmë për veten tonë sot, pa menduar për fatin, pasi sipas autorit, “fati është pretekst i të dështuarve”.

“Mos fajëso askënd”

Mos fajëso kurrë askënd,
për asgjë, sepse, thellë-thellë, ke bërë
me jetën tënde krejt çka ke dashur.

Pranoje vështirësinë e të përmirësuarit të vetes
dhe të kurajos për ta ndryshuar atë.
Triumfi i njeriut të vërtetë buron
nga hiri i gabimeve të tij.

Mos u anko kurrë për vetminë tënde,
apo për fatin tënd, përballu kryelartë dhe pranoje.
Në një mënyrë apo në një tjetër,
është pasojë e veprimeve të tua
dhe e bindjes se ti gjithnjë duhet të fitosh.

Mos u hidhëro me dështimin tënd,
as mos fajëso dikë tjetër,
pranoje bash tash, ose do të vazhdosh
të shfajësohesh si një fëmijë.
Kujto se çdo çast është i mirë
për të filluar dhe asnjë s’është
aq i tmerrshëm sa për t’u dorëzuar.

Mos harro se shkak i të tashmes sate
është e shkuara jote, ashtu siç e tashmja
do të jetë shkak i të ardhmes sate.
Mëso nga të guximshmit.
nga të fortët, nga ata që e pranojnë destinin,
nga ai që do të jetojë pavarësisht gjithçkaje.

Mendo më pak për problemet e tua
e më shumë për punën tënde,
dhe problemet e tua, pa i eliminuar, do të vdesin.

Mëso të lindësh nga dhimbja,
të jesh më i madh se ajo,
më i madh se pengesat.
Shihu në pasqyrën e vetes
dhe do të jesh i lirë e i fuqishëm
dhe do të pushosh së qeni kukull e rrethanave,
sepse veç ti je fati yt.

Ngrihu dhe shihe diellin në mëngjes
dhe frymoje dritën e agimit.
Ti je pjesë e forcës së jetës sate,
zgjohu tash, lufto, ec, ji i vendosur
dhe do të triumfosh në jetë.
Mos mendo kurrë për fatin tënd,
sepse fati është pretekst i të dështuarve.