Juristi Getoar Mjeku, kandidat për deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e sivjetme, po kritikon prokurorët kosovarë se po fshehin krimet në vend se t’i luftojnë ato. Në një postim në Facebook, avokati i licencuar në SHBA përmend si raste konkrete mohimin e vrasjes së aktivistit Astrit Dehari por dhe përndjekjen e sinjalizuesit që zbuloi shmangien e detyrimeve doganore nga artistja Morena Taraku.

Ja dhe postimi i plotë:

E kanë detyrë me luftu krimin. Por po bajnë krime tue mshefë krimin. Bajnë krime tue i kërcënu ata që kundërshtojnë të keqen. Nji ditë mbasi u zbulu çnjerëzia e tyne ndaj aktivistit Astrit Dehari, ata iu gjujtën nji tjetër qytetari që i shërben Republikës.

Nji kinse-artiste, që s’dihet se kah i merr paret, ka pru në Kosovë kerr qinda-mija eurosh pa pagu doganë. Qytetari i ndershëm i ka kallëzu shtetit për hajninë, tue përmbushë kështu detyrimin moral dhe tue u mbështetë në të drejtën e vet. Atë të drejtë ia jep Ligji për sinjalizuesit.

Por shteti i kapun po i mshef punët e pandershme. Tani i asht vërsulë qytetarit besnik. Ia ka lëshu më qafë përndjekësat shtetnorë me iu hakmarrë pse nuk ka shujtë para të keqes. Pa çka që me Kod penal ata kryjnë vepër të ndëshkueshme, të qujtun «shpërdorim i detyrës zyrtare», kur ia mohojnë tjetrit të drejtat ligjore?

Këta janë prokurorët e Kosovës. Paguhen rroga të majme me shkru aktakuza. Por rrallë shkrujnë, sepse nuk dijnë. Ose s’guxojnë.

Paguhen rroga të majme me paraqitë prova e argumente kundër kriminelëve në gjyq. Por shpesh flejnë në seancë, sepse as me folë nuk dijnë. Ose s’guxojnë.

Përzgjidhjen e mbikëqyren nga nji organ që para pak muejsh e ngatërronte veten me gjykatat. Ju kujtohet kur Këshilli Prokurorial i thoshte nji deputeti mos me u përzi në pamvarësinë e gjyqësorit, mbasi deputeti u anku për mospunën e prokurorëve? Qaq dijnë, qaq flasin! Ose s’guxojnë.

Udhëhiqen nga nji njeri që gjasshëm nuk e ka dhanë kurrë provimin thelbësor për detyrën që mban. Sepse vetëm nji njeri i tillë asht aq i cenueshëm sa për çdo punë të veten me e pyetë sundimtarin që e ka pru aty ku ndodhet — pa integritet, pa kualifikime, pa kompetencë, pa meritë. Ose pa guxim!

Këta janë prokurorët e Kosovës. Këta janë marrja jonë.

Dhe kur ndonji prej tyne del jashtë kallëpit të poshtërsisë, mirëkuptimi kolegial — ai mozaiku i copëzave të lavdatave, fyemjeve, sabotazhit, shantazhit, kërcënimit e dhunës — i kthen prapë në vijë, aty ku u kërkon me qenë sundimtari, satrapi shtetkapës.

Shteti i kapun brina nuk ka. Duket kështu.

Prandej duhet me e shkapë. Duhet prokurorët me i shoshitë mirë. Duhet veting që te ne s’e kemi ba kurrë. Ose s’kemi guxu!

Veting pra. Kështu. Sepse ndryshe shpëtim nuk ka.