Kadrush Radogoshi

U desh shpallja e aktakuzës nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë që në skenën politike e mediatike të aktualizoheshin tema, të cilat klasa politike dhe mediatike e inkriminuar në shumë aspekte i kishte anashkaluar gjatë tërë kohës dhe sa herë e kishte punën ngushtë i aktualizonte sipas nevojës, prandaj vazhdimisht dhe tërësisht ishin aktualizime të pasinqerta dhe tërësisht hipokrite, por aktualizimi i temave të neglizhuara gjerë tani ka një dimension alarmant për nga rrezikshmëria, që i kanoset atdheut tonë e sidomos Kosovës nga kjo histeri e bishave të çartura politike. Prej temave të aktualizuara për t’u keqpërdorur paturpësisht janë: apologjia e UÇk-së, krimet serbe të bëra në Kosovë, ndalja në mes të rrugës e “shpëtimtarëve” të atdheut (lexo: fundosësve të atdheut), domosdoshmëria për “bashkim e unitet” kombëtar etj. Ky aktualizim po bëhet nga pikëvështrimi i maskarenjve, i cili nënkupton identifikimin e tyre të padrejtë dhe manipulues me kategoritë supreme të tematizuara.

Apologjia e UÇK-së po bëhet nga pozita e identifikimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit me të. Këto dy personazhe të aktakuzës ende të pakonfirmuar të Prokurorisë së Gjykatës speciale gjatë këtyre ditëve po konsiderohen themeluesit dhe udhëheqësit kryesor të UÇK-së. Sipas kësaj logjike spekulative po del se Komandanti legjendar Adem Jashari u zëvendësua me “Komandantin legjendar” Hashim Thaçi, ndërsa Hamëz Jashari u zëvendësua nga “vëllau i gjakut të luftës” (HTH) Kadri Veseli. Për të gjithë ata që e kanë parë e dëgjuar me sytë dhe veshët e tyre deklaratën publike të Hashim Thaçit “Unë kam qenë larg fronteve të luftës” ky është kulmi i ironisë. Aktakuza ndaj tyre është individuale, prandaj është i pafalshëm identifikimi i tyre me UÇK-në. Në realitet është fatkeqësi e madhe për Kosovën, që Hashim Thaçi është president i Kosovës, i zgjedhur në mënyrë aspak demokratike dhe me votat e Listës serbe. Përgjegjësi kryesor për gjendjen e rëndë e të rrezikshme në të cilën gjendet Kosova është pikërisht ky politikan. Në vend se të jepte dorëheqje pas shpalljes së njoftimit për aktakuzën e ngritur dhe t’i kërkonte falje popullit për katastrofën, që i ka shkaktuar gjatë njëzet vjetëve, ky vazhdon me veprimet e tij kriminale për ta penguar sa më gjatë, që është e mundshme vullnetin e popullit dhe shpalljen e zgjedhjeve të lira. I ndihmuar nga Edi Rama, miku i dashur i Aleksandër Vuçiqit, Hashim Thaçi po e vazhdon politikën e tij destruktive, duke vazhduar ta mbajë peng Kosovën. Ndihmë të madhe po i japin edhe mediat, të cilat po përpiqen në çdo mënyrë ta himnizojnë heroin e marrisë së tyre dhe të satanizojnë çdo zë kritik kundër kësaj histerie mediale, e cila nuk po e kursen as Bashkimin Evropian dhe Gjykatën Speciale, të cilën e ka krijuar vet së bashku me vëllezërit e tij prej “gjakut të hajnisë, haraçit e korrupsionit”. Është i paprecedent deklarimi i Edvin Kristaq Ramës për aktakuzën, të cilën e quan me fjalën “paçavër”. A është i denjë për kryeministrin e një shteti ky nivel banal i komunikimit ? Përgjigjja dihet.

Ju pëlqen!

Ky farë kryeministri sui generis i Shqipërisë ende pa e marrë mirë detyrën Qeveria e Albin Kurtit dhe pa asnjë konsultim zyrtar me institucionet shtetërore të Kosovës e nënshkroi marrëveshjen për të ashtuquajturin “Minishengen ballkanik” dhe deklaroi se është Kosova që po e izolon vetveten, ndërsa e vërteta ishte se Edi Rama në bashkëpunim me kryetarin e Sërbisë Aleksandër Vuçiq ndërmorën një veprim për defaktorizimin e Kosovës dhe satanizimin e qeverisë së porsaformuar të Albin Kurtit. Ky veprim i Edvin Kristaq Ramës ishte një thikë e ngulur në shpinën e Kosovës dhe kjo nuk ishte thika e parë e tij në shpinën e Kosovës sepse një thikë tjetër para kësaj ia kishte ngulur Kosovës në takimin e Nishit me Aleksandër Vuçiqin në vitin 2016, kur ishte pajtuar me projektin serb për ndarjen e Kosovës, i cili u pranua edhe nga kryetari i Kosovës Hashim Thaçi. Këta dy udhëheqës shqiptarë pranuan që agjenda serbe të bëhej edhe e tyre duke e shpallur si projekt të tyre për marrëveshje ”përfundimtare dhe historike” me Serbinë. Interesi parësor i Thaçit ishte që të shpëtonte nga aktakuza e Gjykatës Speciale me seli në Hagë. Tërë këtë veprimtari antikombëtare disa herë Edvini e masha serbe Baton Haxhiu e emërtuan si mundësi të bashkimit kombëtar. Nuk kishte gjë më ironike se veglat serbe filluan të flisnin për bashkimin kombëtar. Po çfarë realisht nënkuptonte bashkimi kombëtar shqiptar sipas tyre? Për ata që kanë njohuritë elementare për këtë çështje deklarimet e tyre nënkuptonin një përfundim i subjektivitetit shtetëror të Kosovës dhe një ndarje të Kosovës në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, gjatë së cilës Serbia do ta merrte pjesën e luanit.
Ky farë kryeministri sui generis i Shqipërisë pasi e priti “mikun” e tij Hashim Thaçin në Tiranë dhe ia përgatiti fjalimin, që ky do ta mbante para popullit lidhur me shpalljen e aktakuzës nga prokurori i Gjykatës Speciale, erdhi në Kosovë në rrolin e babamadhit kombëtar për ta mbrojtur “heroin e luftës dhe shtet ndërtimit” dhe për t’i takuar të gjithë udhëheqësit e forcave politike në Kosovë me qëllim të krijimit të “unitetit” të domosdoshëm në këto qaste të rënda për Kosovën. Nuk është fare diskutabile çështja e bashkimit të skenës politike kosovare dhe shqiptare në përgjithësi, por është diskutabil fakti se shkatuesit e përçarjes apo disperzionit të kësaj skene nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Minimumi që do të duhej të bënin këta udhëheqës politikë si pikënisje do të ishte katarsisi i tyre apo pranimi i veprimeve të tyre të mbrapshta politike dhe kërkimfalja publike, duke krijuar mundësinë forcave të pakompromituara politike ta udhëheqin procesin e pajtimit dhe bashkimit.

Edvin Kristaq Rama dhe Hashim Thaçi së bashku me trabantët e tyre politikë e mediatikë duhet ta kuptojnë se shqiptarët nuk mund t’i mashtrojë më mjegulla e patriotizmit fals për unitet. Uniteti i vërtetë politik krijohet mbi parime të verifikuara dhe të njohura: 1. Demonopolizimi i pushtetit dhe krijimi i mundësive të barabarta për çdo forcë politike, 2.Krijimi i pushtetit legjitim përmes zgjedhjeve të lira, 3. Projekti politik për shtetin e Kosovës si pjesë e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan, 4. Respektimi i faktorit të brendshëm dhe largimi i tij nga pozicioni fyes i servilitetit, 5. Respektimi i faktorit ndërkombëtar jo në bazë të preferencave dhe interesave personale, por në bazë të interesave tona strategjike kombëtare dhe 6. Pranimi i mendësisë moderne për shtetndërtimin.

Duke përfunduar mund të theksojmë se është momenti i fundit që shqiptarët ta kuptojnë se identifikimi i maskarenjve politikë e mediatikë me vlerat supreme të kombit shqiptar sa herë kanë nevojë ta shpëtojnë prapanicën e tyre nga ndëshkimi për veprat e tyre antiligjore dhe antikushtetuese duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ka kaluar koha e shteteve private të diktatorëve të kapardisur në raport me popullin dhe hallet e tij dhe spekulantëve servilë në raport me skenën politike të botës.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!