Edita Mekuli, Oslo

Mjaft më me «katundarë» e «qytetarë»!

«Katundari mbetë katundar». Është kjo një thënie, me kuptim negativ, e njohur nga të vetëquajturit «qytetarë» sikurse në diasporë ashtu edhe në Kosovë. Ka raste, kur shumë njerëz distancohen nga individë me origjinë nga fshati, duke ndjekur si arsyetim parimet spekulative se «fshatari mbet fshatar» dhe se ai nuk tregon mirësjellje në shoqëri, ose që në karakterin e tij manifestohet prapambeturia. Sa herë që përmendet ndonjë person i ri në shoqëri, në mënyra të panumërta përballem me pytjen  «A është ajo katundare apo qytetare?». Ndonjëherë pyetja merr formën: «A fliste si katundare?».

Ndonëse këto pyetje janë të thjeshta, përgjigjja e tyre nuk ështe aq e thjeshtë. Për të dhënë përgjigje në këto pyetje duhet vënë theksin në një dimension tjetër, domethënë në analizën, se cilat kritere duhet përmbushur për të gjykuar dikend si «katundar» apo cfarë gjejmë në strukturën e karakterit të «katundarit»?

Është fakt i padiskutueshëm, se kriteret bazë në hapësirën tonë, që të thuash se dikush është «katundar» ose «qytetar» janë gjuha, origjina dhe vendbanimi.

Sipas mendimit tim, këto parime janë të pavlefshme dhe në pajtim me humanistin Erasmus von Rotterdam, është «vetëm arsimi që do të mund të mposhte budallallëkun dhe injorancën». Unë nuk mund të qëndroj e të mos i quaj injorantë, të gjithë ata, të cilët mendojnë se kanë vlerë më shumë, vetëm e vetëm se janë të lindur në qytet.

Në vijim do ta prek çështjen e kritereve të lartpërmendura dhe do të tregoj se përcaktimi i njerëzve në «katundar» apo «qytetar», që ka tendencë të rrezikojë harmoninë e komunitetit shqiptar, është i papranueshëm, në rast se duam të bëjmë ndonjë hap përpara. Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Gjuha

Gjuha e folur në qytet dallon nga ajo e folur në fshat dhe ky kriter nuk duket mjaft tolerant. Shumë fjalë që duken normale në zonat rurale, kritikohen nga «qytetarët» për mungesën e finesës, por akoma më shumë mungon mirëkuptimi për shqiptimin e këtyre. Kujtoj se e meta të cilës ky gjykim i afrohet është mendjemadhësia. Kur ne marrim në konsideratë se gjuha e folur nga «qytetarët» dallon dukshëm nga ajo letrare, atëherë si mundet që dikush që e quan vetën qytetar t´a vë vetën në një pozicion më të lartë se «katundartë»? Në cfarë raporti është atëherë gjuha e «qytetarit» me gjuhën letrare? Për më tepër, qytete të ndryshme në Kosovë njihen për probleme të shumta me gjuhën shqipe – Prizrenasit me ndikimin e madh të turqishtes, gjakovarët me theksin e veçantë të pashoq në trevat shqiptare, prishtinasit apo banorët e Mitrovicës me ndikimin e ö-së së Llapit e Bajgorës, pejanët me d-në e kudondodhur, etj. Të gjithë së bashku, qytetarët më së paku e kanë ruajtur shqipen e tyre ndaj fjalëve të huaja turke, serbe apo së fundmi edhe angleze.   

Si rrjedhim, nuk është e drejtë që  «qytetari» të justifikojë epërsinë e tij ndaj «fshatarit» duke konsideruar gjuhën si argument. Përkundrazi, atëherë, do të ishte e drejtë të pohohet se «qytetari» është një «fshatar» i vërtetë në raport me një folës të gjuhës letrare.

Origjina dhe venbanimi

Në fjalorin e gjuhës shqipe, termi «fshatar» definohet si një njeri i cili zakonisht punon në fshat dhe merret me bujqësi.  Megjithatë, njerëzit si nga fshati ashtu edhe qyteti jetojnë të shpërndarë nëpër botë, dhe prapëseprapë nxirret shpesh përfundimi me natyrë cinike, se një individ me origjinë nga fshati me një vendbanim të njejtë me atë të qytetit, është i nivelit me të ulët se ky i fundit.

Në veprën e tij Inquiry Concerning Human Knowledge ( Hulumtim mbi njohjen njerëzore), filozofi i njohur David Hjum argumenton se «Është e sigurtë se fshatarët më të paditur e më të trashë- edhe fëmijët, madje edhe kafshët e egra- përmirësohen me anë të përvojës ….». Më qartë, kjo do të thotë, se në rastin tonë, kontakti i individëve me hapësirën urbane, shkakton zhvillimin e tyre sikurse në aspektin sociokulturor ashtu edhe në ate ekonomik, dhe me kalimin e kohës njeriu «fshatar» i njeh dhe i pranon rregullat e hapsirës ku jeton. Është e qartë se individët, përfshirë këtu si «qytetarët» ashtu edhe «fshatarët» me shpërnguljen e tyre në një ambient të ri, në fillim mund të jenë të hapur të mendojnë në një mënyrë të re, ose edhe skeptik ndaj ndryshimeve. Prandaj nocioni që sjellja njerëzore ka të bëjë vetëm me origjinën, nuk mund të pranohet.

Mungesa e infrastrukturës në fshatrat e Kosovës ishte shkaktari themelor i mospjesmarrjës në jetën kulturore dhe profesionale, dhe tani kur individët janë ballëpërballë me zhvillimet teknologjike, kalojnë në një etapë tjetër, më  të lartë, të vetëdijës.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

«Sjelljet njerëzore, – thotë filozofi gjerman Hegeli- duhet të kuptohen, para se gjithash, si veprime individësh». Po të ndjekim këtë thënie, mund të argumentojmë se kalimi nga një etapë të vetëdijës në tjetrën, nuk mund të jetë çështje origjine, por çështje e interesit, vullnetit apo e qëllimit të individit. Dhe e vërteta është se përdorimi i internetit dhe telefonave celularë kanë ndryshuar kulturën e njerëzve që nga vitet 1990-ta. Tani si «qytetarët» ashtu edhe «fshatarët» janë të ekspozuar në vëllim e cilësi të njejtë të informatave, udhëtojnë në vende tjera më shumë se kurrë më parë dhe komunikojnë me individë tjerë përtej kufijëve nëpërmes të internetit. Të gjitha këto ndikojnë në mënyrën se si ne sillemi dhe mendojmë. Bota e re, që ne përjetojmë, ndryshon disa nga traditat dhe mendjen e personave, si ato të « qytetarëve» ashtu edhe të  «fshatarëve».

Me zhvillimin teknologjik një shkencëtar, për shembull nga Oksfordi, nuk duhet medoemos të ketë aftësi intelektuale më të larta se një shkenctar nga Drenica. Në fakt, kisha rastin të takoj një djalë të ri në një fshat të thellë të Drenicës, i cili ishte intelektualisht i ngritur, dhe padyshim mund të identifikohet me një shkencëtar me seli në Harvard apo Oksford.  Janë pra talentet që i bashkojnë njerëzit dhe jo me cdo kusht origjina dhe vendbanimi.

Megjithatë, «katundari» dhe «qytetari» janë ende në një antagonizëm me njëri tjetrin. Një shembull tjetër i mirë që hedh poshtë origjinën si kriter për të njollosur një person si «katundar», është fakti se një qytet në Kosovë, në  krahasim me një qytet të një shteti perendimor, mund të konsiderohet si një fshat. Fshat, sepse  qytetari i Kosovës ende nuk mund të shfrytëzojë transport publik, si p.sh tramvaj e metro, nuk ka park a hapësirë publike për të kaluar kohë cilësore me familje a miq, rrallë ose asnjëherë sheh shfaqje në teatër a film në kinema, nuk ka hapësirë për të marrë pjesë në vendimet për komunitetin e vet, e nuk ka qasje në shumë arritje shkencore e teknologjike që e lehtësojnë jetën dhe e pasurojnë mendjen e njeriut modern. Krahas këtyre të bjen në sy pabarazia gjinore e mos të flasim për vlerën e univerziteteve dhe numrin e biblotekave. Si rrjedhojë, emigrantët «qytetarë» në Gjermani, Angli  ose Norvegji, del se janë fshatarë. Vështruar nga ky kënd do të thotë se akuzuesit («qytetarët») e «katundarve» duhej të degradoheshin në «katundarë» nga perendimorët në rast se origjina do të merrej si parim, siç u shpjegua më lart.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Kur ne paragjykojmë dhe diskriminojmë dikend duke marrë si arsyetim dallimet kulturore dhe origjinën, atëherë flasim për etnocentrizem. Kur «qytetarët» diskriminojnë «katundarët» për shkak te origjinës dhe një kulturë pak ma ndryshe, pse atëherë të mos jenë gjermanët, anglezët e norvegjezët etnocentrik në raport me ne «qytetarët» nga Kosova, me vendbanim në këto vende?

Në këtë botë globale nuk është origjina ajo që duhet të na interesojë, por është dija apo arsimimi të cilit ne duhet t´i referohemi.

Arsimimi

Arsimimi është i domosdoshëm për zhvillimin e një shoqërie. Ta quash «katundar» një shkrimtar, artist, mjek, inxhinier, avokat, një motër medicinale apo një mësuese, do të thotë të nënvlerësosh faktin se, duhet të ketë një kufi në nxjerrjen e përfundimeve të pakuptimta.

«Qytetarëve» i kërkohet t´u shmangen këtyre ofendimeve sistematike që i bëhen njerëzve me origjinë nga fshati. Po tu hedhim një sy listës së antarëve akademikë të Kosovës, do të shohim se mu «katundarët» kanë shfaqur talente dhe janë shumë nga ta që kanë dhënë gjëra të mëdha në shkencë dhe me talentet e tyre të jashtëzakonshme kanë fituar autoritet të madh në Kosovë.

Rexhep Qosja, Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Idriz Ajeti, Dervish Rozhaja, Anton Pashku, Mark Krasniqi dhe Ibrahim Rugova, të gjithë këta kanë lindur në fshat. I vetmi në këtë listë, që ka lindur në qytet, është Fehmi Agani.

Ku lindën Dritëro Agolli, Lasgush Poradeci, Naim e Sami Frashëri, e shumë të tjerë? Asnjëri prej këtyre nuk kanë origjinën nga qyteti. Të bëhesh dikushi nga «askushi», është një fenomen, që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e quajnë «american dream». Po të ekzistonte shprehja «albanian dream», atëherë do të mbesnit të mahnitur nga numri i shumë njerëzve të shquar nga fshati që kanë arritur këtë ëndërr.

Gjatë studimeve në Gjermani, jam ndeshur me shumë e shumë studentë me origjinë nga fshati, të cilët sot janë shefa të klinikave univerzitare në Gjermani, artistë, avokatë, profesorë univerziteti, njerëz me influencë në shumë drejtime. Gjithashtu midis «katundarëve» të shpërngulur në Norvegji, gjejmë njerëz gjenialë,që kanë arritur si në fushën e mjeksisë ashtu edhe në ate të mikrobiologjisë, pedagogjisë e shumë e shumë drejtime tjera shkencore.

Cili është justifikimi i thënies se këta «prapëseprapë janë katundarë»?

Është mendjemadhësia dhe paaftësia e mendjes për të parë njeriun si individ.

Mjaft pra më me katundarë e qytetarë, se varësisht nga këndvështrimi, të gjithë jemi fshatarë! /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]