A

– E njeh Zenelin?
– Jo, nuk e njoh!
– U bë për të vrarë. E do ta vras!
– Si e qysh?
– Dje më shkeli hijen!
– Hijen tënde? 
– Timen! Ecja rrugës, në diell, kur më arriti Zeneli. Hija ime ishte aty poshtë. Ish e gjatë, sepse dielli perëndonte. E priste më dysh rrugën. Zeneli më dha tungjatjetën edhe ma shkeli hijen. Ç’të bëj?
– Vraje!
– E vrava.
– Aferim!
Pas pakëz, duke pirë duhan.
– Fëmijë ka Zeneli?
– Ka po janë të vegjël.
– Vraji!
– T’i vras?
– Vraji se do rriten. Më mirë tani sesa më vonë.
– Mirë thua; ke të drejtë. Do t’i vras! Do t’i shuaj! I ati më shkeli hijen. Kjo s’është pak!

B

Ju pëlqen!

– Dëgjove gjë?
– Jo.
– E vranë Todrin.
– Ku?
– Në mes të tregut.
– Kishte faj?
– Tani s’ka faj se është i vdekur, po atëherë kish.
– Si e qysh?
– Todri po shikonte një dru telefoni. Ish pak si i vrenjtur se s’kish me se të blinte bukë. Iu afrua një burrë me mustaqe, trim me fletë si çdo burrë me mustaqe, edhe i tha: – Bre qen!
– E njihte burri me mustaqe Todrin?
– Jo nuk e njihte. Por e vërteta: burri me mustaqe kish të drejtë. Bre qen! – i tha trimi me mustaqe: Bile i tha: Bre qen i qenit! Pse vështron me inat drunë e telefonit?
– Më fal, se të pres fjalën: druri i telefonit mos ish i trimit me mustaqe?
– Jo. Druri mund të ish i kujt të ish. A mund të mos ish asfare, mall pa zot si është malli i shtetit. Po sidoqoftë Todri e vështronte me inat drunë e telefonit.
– Ndofta sepse kish barkun bosh…
– Punë e tij. Bre qen, tha trimi, bre qen i qenit! Pse, bre, vështron me inat drunë e telefonit? Todri desh t’i përgjigjet, po trimi nuk e la: nxori koburen edhe e vrau. – Na, i tha, të të mësoj unë të shikosh me inat drunë e telefonit!
– Kish të drejtë trimi.
– Doemos, se po të mos kish nuk e vriste.

C

– S’po e shoh prej disa ditësh Zefin.
– As e ke për të parë, Zefin e vranë.
– Pse? Kush?
– Fajin e kish Zefi.
– Fol!
– Nipi i të kunatit të vëllait të Zefit…
– Nuk mora vesh. Edhe një herë, të lutem.
– A ka një vëlla Zefi?
– Ka.
– Edhe ky a ka një kunat?
– Ka.
– Edhe kunati a ka një nip?
– Ka.
– Pra, nipi i të kunatit të vëllait të Zefit kish rënë në gjak me një shtëpi kreshnike kombëtare.
– Vetë nipi?
– Jo, shtëpia. Punë e vjetër, gjysh-stërgjysh, po ti e di se gjaku s’falet.
– Jo! Po të falet, humb burrnia, ndera e trimnia.
– Po, pra… E meqë shtëpia e të nipit të kunatit të vëllait të Zefit ish në gjak, erdhën edhe e vranë Zefin, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, (ndjesë pastë!).
– Në e vranë sipas Kanunit, bënë mirë. Iu rrittë ndera e trimnia e burrnia hasmit të shtëpisë të të nipit të kunatit të vëllait të Zefit. Më vjen keq për Zefin, se ish njeri me kulturë – pesë vjet në Torino, poet e shkrimtar… – po në qenka punë gjaku, shumë mirë që u vra! Duhet ruajtur ndera, trimnia e besnia e kreshnikia e fisit të racës arbënore. Duhet ruajtur përgjithmonë Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!) sidomos për punë ndere, trimnie, kreshnikie, besnikie. Pse ndryshe kombi i racës kombëtare ilire edhe pellazge kreshnike arbënore asht në rrezik me hupë. Dhe që të ketë qetësi të plotë Shkëlqesia e Tij Lekë Dukagjini që na la Kanunin, duhet medoemos t’i digjet shtëpia Zefit edhe t’i priten drurët e kopshtit kombëtar.
– Eja të pimë nga dy-tri gota për shëndet të Lekë Dukagjinit (i rrofshin çunat!) e për nderën, trimninë, besnikinë e kreshnikinë mijëvjeçare që na nderon truallin tonë kombëtar e fisnik.
– Eja të pimë po koburet t’ia dorëzojmë një miku, se kam frikë mos të shkel hijen, o mos shoh me inat ndonjë dru telefoni…

Ç

– Ore, thonë se ti e vrave Selmanë…
– Unë, jo!
– Po kush?
– Dyfeku im!
– Ky që ke në krahë?
– Ja, ky! Pse s’ta mbush synë?!
– Si jo. Dyfek të këtillë s’kam parë as në Turqi.
– E ke mirë. Dyfek si të turkut s’ka në botë, se turku i punon me merak. Po ky imi është veç botës. Pandeha se s’të pëlqen…
– Si u bë puna e Selmanit?
– I qe shkrojtur ta vras unë, nga e shkrojtura nuk shpëton dot.
– E ke hak. Që kur e polli e ëma, iu shkrojt në qitap: këtë çun do ta vras Ymeri me një dyfek turku. Po aman më thuaj si erdhi puna që e vrave?
– Me një të shtënë e lashë thes. Erdhën edhe e ngritën në tabut.
– Ti ku ishe?
– Prapa ferrës.
– Ai?
– Shkonte rrugës.
– Bukuri! Si trimat e vrave. Edhe ai bëri mirë që ra si thes. Të lumtë dora ty edhe dyfekut i lumtë çarku!
Ymeri qeshi se iu kujtua thesi. Selmani ra menjëherë si një thes me misër pa pasur kohë t’i thotë: faleminderit se më vrave – si e do burrnia, kreshnikia e besa shqiptare. Po Ymeri zemërgjerë e shpirtluan, ia fali këtë të metë.
– Shkaku i vrasjes?
Fajtor ka qenë Selmani! Sepse Selmani ka një nip nga ana e mbesës. Nipi i mbesës së Selmanit ka një qen edhe ky qen qopek i ka lehur një herë mikut të të nipit të së mbesës së Ymerit. Miku iu qa të nipit, nipi iu qa mbesës, mbesa iu qa Ymerit edhe Ymeri mori dyfekun dhe e vrau Selmanë…

©MekuliPress/ Dhuro sot vetëm 1 euro dhe shpëtoje MekuliPress. Ndihmo gazetarinë e pavarur nga partitë politike dhe oligarkët. FOTO: No copyright infringement is intended.