Figura e Marksit është shumë kontroverse. Jetonte në një shtëpi të ftohtë dhe pa kushte, ndërsa kohën më të madhe e shpenzonte duke lexuar libra në dhomën e tij ose në bibliotekë. Ishte ndër lexuesit më fanatikë të “The Economist”.Kur një prej fëmijëve vdiq nga i ftohti, Marksi u betua se do të shkatërronte borgjezinë kapitaliste. Dhe të mendosh që për këtë gjë, u financua nga një kapitalist si Engelsi.

Komunizmi dështoi 30 vite më parë, por influenca e Karl Marksit është ende e madhe. Qasjet marksiste gjenden në shumë prej publikimeve historike dhe sociologjike të ditëve të sotme. Vepra e Marksit, së bashku me “Manifestin Komunist” të shkruar me Engelsin në vitin 1948 pati më shumë impakt në botën moderne se sa mund të mendohej. Ndër 10 pyetjet e shtruara në këtë libër, të paktën katër vazhdojnë të jenë aktuale, sidomos në vendet e pasura. Këtu përfshihet edukimi falas për të gjithë fëmijët në shkolla publike dhe taksa progresive mbi të ardhurat.

Ashtu siç tregohet në një prej librave më të plotë për Marksin me autor Gareth Stedman Jones nga Universiteti i Londrës, ai punonte tre deri në katër ditë resht pa vënë gjumë në sy dhe shpesh herë ishte i sëmurë. Gjithashtu Marksi dallohej nga karakteri i tij arrogant, racist dhe vazhdimisht kërkonte para borxh nga Engelsi.

Por ndryshe nga sa mendohet, nuk ishte Marksi që shpiku komunizmin. Radikalët si Pierre-Joseph Proudhon dhe lëvizja “çartiste” në Angli përdornin vazhdimisht një gjuhë që lexuesit e sotëm do ta quanin pa pikë dyshimi “marksiste”. Këtu bëjnë pjesë frazat “përfaqësim i barabartë politik”, “shpërndarje e të ardhurave” apo “ushtria e popullit”.

Atëherë, ku është kontributi i tij? Në më të shumtën e kohës, ai kritikonte radikalët e tjerë, veçanërisht Proudhonin, të cilin e quante si një ekonomist borgjez. Më specifikisht Marksi provoi të përmblidhte të gjithë mendimin e tij politik, ekonomik dhe sociologjik në veprën “Kapitali”, të botuar më 1867.

Shpjegimi që i bënte kapitalizmit ishte mjaft elegant në thjeshtësinë e tij. Çdo ditë, argumentonte Marksi, punëtorët prodhonin një vlerë më të madhe se sa nevoja që kishin për të jetuar. Ishin kapitalistët ata që përvetësonin këtë vlerë shtesë. Punëtorët nuk mund të merrnin më shumë nga sa u takonte, sepse ata nuk zotëronin kapital (makineri, ndërtesa, pajisje). Por, ndërsa ata prodhonin më shumë kontribuonin në krijimin e kapitalit  të destinuar për të përfunduar në xhepat e kapitalistëve.

Autori Stedamn Jones mbështet shumë nga pikëpamjet e Marksit, ashtu siç kundërshton të tjera. Konkretisht, në një paragraf të Kapitalit, Marksi ndërton një model. Duke ndryshuar nivelet e kërkesës dhe ofertës, shpjegon se si çmimi i një të mire ulet ose ngrihet, por nuk shpjegon se pse çmimi ekuilibër i saj është ai që është. Pra, pse luleshtrydhet janë më të shtrenjta se mollët?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, Marksi u bazua në teorinë e vlerës së punës. Ai u përpoq të provonte se çmimi i një malli apo shërbimi përcaktohej nga koha e punës që nevojitej për ta prodhuar. Por, ai në mënyrë arbitrare nuk morri parasysh dëshirën e klientit për të blerë një mall dhe domosdoshmërinë e atij malli. Po të lexohen shumë nga pasazhet e Kapitalit, pa dyshim që edhe lexuesi më i thjeshtë do të arrijë në disa konkluzione që nuk përbëjnë sens.

Por vlera e kësaj pune kolosale të Marksit në ditët tona është dokumentimi se si ka ndryshuar klasa punëtore ndër vite. Në veprën e tij Marksi përfshiu një sasi të jashtëzakonshme statistikash për pasurinë, raporte zyrtare dhe reportazhe për të shpjeguar se sa e vështirë ishte jeta e popullit në vendet me industrinë më të zhvilluar.

Marksi mendoi që librin e tij ta shkruante në disa vëllime. Pasi mbaroi vëllimin e parë të Kapitalit, u ndesh me shumë kritika nga intelektualët e kohës dhe u vetëdeklarua i sëmurë, edhe pse në këtë periudhë ai bëri disa kërkime të tjera.

Figura e Marksit është shumë kontroverse. Jetonte në një shtëpi të ftohtë dhe pa kushte, ndërsa kohën më të madhe e shpenzonte duke lexuar libra në dhomën e tij ose në bibliotekë. Gjithashtu, pjesën më të madhe të parave ia dedikonte blerjes së librave, raporteve zyrtare apo revistave. Ishte ndër lexuesit më fanatikë të “The Economist”. Jetonte së bashku me katër fëmijët dhe bashkëshorten, por nuk mendoi kurrë për t’i siguruar një jetë më të mirë. Kur një prej fëmijëve vdiq nga i ftohti, Marksi u betua se do të shkatërronte borgjezinë kapitaliste. Dhe të mendosh që për këtë gjë, u financua nga një kapitalist si Engelsi./Përgatiti Erjon Uka