Ministria e Shëndetësisë në vitin 2019 kishte paguar 38.611 euro shpenzime procedurale të gjykatës (përmbarimit) dhe interesit. Kjo si rezultat i mos pagesës së obligimeve me kohë për OE dhe përfituesit e pagave jubilare, kështu të njëjtit përmes procedurave gjyqësore i kishin realizuar të drejtat e tyre ligjore.

Në raportin financiar e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2019 thuhet se vlera e ekzekutuar nga Thesari nga vendimet gjyqësore ishte 276,040 euro. Prej tyre borxhi kryesor ishte 237,429 euro ndërsa shpenzimet procedurale të gjykatës (përmbarimit) dhe interesit ishin 38,611 euro.

Lëndët e trajtuara nga përmbaruesi, MSH i kishte kontestuar e dërguar në gjykatë por edhe aty i kishte humbur rastet.

“MSh lëndët e trajtuara nga përmbaruesit i kishte kontestuar dhe i kishte dërguar deri në gjykatë, por edhe aty operatorët i kishin fituar rastet, përderisa te pagat jubilare dhe përcjellëse sipas zyrtareve të ministrisë arsyet e mos pagesës me kohë ishte mungesa e buxhetit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në raport thuhet se ndikimi nga pagesat përmes vendimeve gjyqësore ndikon në rritjen e pa arsyeshme të shpenzimeve të ministrisë, pasi ministria nuk do të marrë në këmbim asnjë mall/shërbim për pjesën e shpenzimeve që tejkalon borxhin kryesor.