Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman ka qenë së fundmi në një vizitë në Beograd ku edhe ka dhënë një intervistë për revistën “Cord”. Nga i gjithë prononcimi i Zeman, revista ka nxjerrë në somario qëndrimin për Kosovën, që në thelb thotë se përpjekja e Zeman për të revokuar në rrugë ligjore njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Çekia, ka dështuar.

“Për shumë vjet në politikë, unë njihem si një person që është konsistent në opinionet e tij. E konsideroj ende njohjen e një Kosove të pavarur si një gabim, dhe siç e kam përmendur në Beograd në shtator të vitit 2019, e kam diskutuar çështjen me konstitucionalistët më të lartë në vendin tim. Megjithatë ata nuk ndajnë opinionin tim dhe përderisa jetojmë në demokraci duhet të respektoj opinionin e shumicës”, ka thënë ai.

Komenti në fjalë sqaron se nga pikëpamja kushtetuese çeke, çështja e njohjes së Kosovës është tanimë e mbyllur. Dhe se në këtë kuptim opinionet e politikanëve si Zeman, Klaus etj., nuk mund të shndërrohen më në qëndrime zyrtare prapakthyese.

Çekia ka qenë e ndarë sa i përket njohjes së Kosovës dhe ka qenë ish-kryeministri Mirek Topolanek që insistoi ndër të tjerë për njohjen, duke realizuar kështu një akt shumë ndihmues për Kosovën. Ndër arsyet e kundërshtimit duhen përmendur lidhjet e ngushta me Serbinë dhe arsyetimi se shkëputja me marrëveshje ndërkombëtare e Kosovës nga Serbia sillte analogji me Marrëveshjen e Munihut të vitit 1938, përmes së cilës Gjermania mori Sudetet.