“Unë nuk po e justifikoj sjelljen time, vetëm po e shpjegoj atë”. Kështu thotë Oscar Wilde, gjeniu anglez i fjalës në një nga kryeveprat e tij, esenë autobiografike “De Profundis”.

M’u kujtuan këto fjalë të tij kur e pashë  Migjen Kelmendin, idhullin tim të fëmijërisë por edhe rinisë së hershme, në një shëtitje relaksuese me Kadri Veselin, Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Çfarë dreqin po ndodh –thashë me vete- a duhet Migjeni me shpjegu diçka për këtë befasi të dhimbshme për mua dhe shumë si unë, që na frymëzoi në atë terr muzikor, në atë shkretëtirë kulturore mbarëshqiptare? Migjeni është ikonë drite, nuk mund të frymëzohet nga ish Kryetari i SHIK-ut të Kosovës, njeriu i nëntokës së errët, përfaqësuesi i çlirimtarëve-uzurpues, bashkëpunëtori kryesor i klanit mafioz “Pronto”, një nga njerëzit kryesorë që qeveris Kosovën prej më shumë se 12 vitesh!

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Çfarë dreqin gjeti frymëzuese një ikonë lirie e civlizimi  në një grup të akuzuar për vrasje, kërcënime, zhdukje, gjobvënie e çdo të zezë që fantazia ta rrok? Çfarë e lidh “Heroin e qytetit pa lumë” të asaj “kohe të pakohë”, frymëzuesin elitar të brezit tim me kadrizmin?!

Jepja veç një varg të tekstit tënd, Migjen, jepi vargun tënd të mrekullueshëm “delirium tremens” Kadrisë ta deshifrojë… Me siguri do t’i duket bimë mjekësore…

Migjen, ti na frymëzove në atë degradim të gjithanshëm kulturor  me spikamë folklori, sharkie, çiftelie e mediokriteti. Ti ishe i pari që solle ajër modernizmi në muzikë, tekst e interpretim. Atëherë e prisnim me padurim orën kur Radio Prishtina  sillte zërin tënd të mezipritur në “arkën” e drunjtë e plot zhurmë të shtëpisë sime të zymtë që unë e quaja radio. Atje përpiqesha që, me një përqendrim titanik, të filtroja zërin tënd mes zhurmave të dhjetra stacioneve që përpiqeshin të ndërhynin.. Asgjë nuk e përshkruan më bukur sesa teksti yt -“Buzëqeshjen tënde, zërin tënd/mua m’i sjell era”- përpjeket e mia për të dëgjua pak muzikë ndryshe, për të dëgjuar një tekst e një interpretim ndryshe! E pastaj  bisedat përmbushëse me miq, që gjithashtu të kishin dëgjuar e ishin frymëzuar prej teje. Ishin “kohë të pakohë” Migjen, jo vetëm në Kosovë.

Ti mundoheshe të ishe i hareshëm Migjen në shëtitjen me Kadrinë. Ua bëje me dorë kalimtarëve nën shembullin e shoqëruesit. Por thellë brenda vetes unë e di që ti ishe i mërzitur. Ti e dije që po përdoreshe. Ti ishe i marrë peng Migjen dje. Kjo ishte përshtypja ime.

“Ia paskan gjetë diku një hall të madh Migjenit maskarenjtë”-thashë me vete.

Ata nuk të përlyejnë dot ty Migjen.  Të paktën te ata njerëz që ti i frymëzove dikur, në “atë kohë të pakohë”! Ne e kemi të qartë që diçka e turbullt, një moment i pakëndshëm të lidhi ty me Kadri Veselin.

Vendimi për t’iu bashkuar një partie politike me plot akuza e mbi 12 vjet pushtet nuk është vendim as idealist e as pragmatist siç mund t’a paraqesin ndonjë prej nesh. Do ishte idealist apo edhe pragmatist po të ndodhte 12 vjet më parë, atëkohë kur Hashim Thaçi ishte heroi i ditës dhe pregatitej të qeveriste gjatë. Sot PDK, sipas të gjitha gjasave, do të jetë humbësja e zgjedhjeve. Por, edhe nëse del Parti e parë në zgjedhje (shanse teorike) ajo do të duhet të ndajë pushtetin me shumë të tjerë. E  ty Migjen nuk ka se çfarë të japë. Sidomos tani.

Migjen, mos dil të na thuash që PDK e Kosovës dhe Kadri Veseli të frymëzojnë ty. Ky nuk është shpjegim Migjen, ky është justifikim.

Për ta mbyllur, Migjen, sa herë unë kisha halle dikur, në bisedat me tim vëlla, ai më këndonte: “Mua njëherë më ka thënë një plakë/kënga halleve ju bën lak…

Bëje një këngë Migjen, bëji pak “lak” halleve. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...