Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se skandali i vjedhjes së dy milionë eurove, është vetëm një për qind e skandalit që ka ndodhur nga Qeveria Hoti. Miftaraj e sheh si skandaloze edhe vendimin për shfuqizimin e task-forcës që merrej me luftimin e korrupsionit në vend.
Ai ka shtuar se ky shfuqizim tregoi se kryeministri Hoti pati një zor të madh, ndërsa potencoi se këtë javë kanë pasur të ndodhin dy arrestime.
“Kjo tregoi se Hoti ka pasur një zor jashtëzakonisht të madh për ta shfuqizuar task-forcën dhe në bazë të asaj qe e kemi ne si IKD, këtë javë kanë pasur për t’u arrestuar dy ministra, një nga LDK që është Lutfi Zharku dhe një nga AAK që është Pal Lekaj. Arrestimet kanë të bëjnë kryesisht me rastet që i ka kjo task-forcë dhe në bazë të asaj që kjo ka një numër jashtëzakonisht të madh të rasteve që kapin vlera qindra dhe miliona euro”, ka thënë tutje drejtori i IKD-së.
Miftaraj tutje ka thënë se qeveria aktuale dhe të gjitha partitë që kanë qenë deri më tani në qeverisje, e kontrollojnë pothuajse në mënyrë totale Prokurorinë e shtetit dhe e vetmja hallkë që kishte mbetur, ishte kjo task-forcë, tashmë e shfuqizuar.