Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, çmoi eruditin Moikom Zeqo me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

“Në vlerësim të kontributit të tij poliedrik në dobi të artit, kulturës e historisë sonë kombëtare. Me cilësitë e shquara si studiues, talentin dhe aftësitë krijuese i ka ofruar publikut shqiptar dhe të huaj vepra të spikatura në fushën e albanologjisë, muzeologjisë, etnokulturës dhe arkeologjisë, si dhe botime letrare në prozë dhe poezi, të vlerësuara për origjinalitetin krijues.

Në mirënjohje të publicistikës së tij të mprehtë, studimeve shumëdimensionale për ndriçimin e gjenezës së kombit, mbrojtjen e monumenteve dhe identitetit tonë kombëtar me përkushtim, kurajë intelektuale, qytetari dhe profesionalizëm të lartë”.

Në një ceremoni të veçantë ku ishin të pranishëm akademikë, shkencëtarë, diplomatë, arkeologë, studiues, shkrimtarë, kritikë, doktorë, botues dhe përfaqësues të mediave, Presidenti i Republikës vlerësoi lart veprimtarinë e shquar dhe kontributet e shumta të arkeologut, shkrimtarit, eseistit, historianit, filozofit dhe mendimtarit Moikom Zeqo në dobi të historisë, artit, kulturës dhe historisë sonë kombëtare.

Në fjalën e tij presidenti Meta u shpreh:

“Jam shumë i lumtur që sot, i akordoj titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’, një personaliteti dhe një njeriu të veçantë; një intelektuali të shquar; një zëri të fuqishëm dhe pene të fortë e të thellë; një ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë; një mendimtari të vyer për kombin tonë; një studiuesi të paepur; një miku të dashur, zotit Moikom Zeqo, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij.

Kërkohet një kohë e pafundme të flasësh për krijimtarinë, për kontributin dhe ndikimin shoqëror, kulturor dhe atdhetar të Moikomit, pasi kur flitet për një njeri të tillë mbetemi pa fjalë për shkak të kontributit dhe veprave të tij të shumta, si një prej personaliteteve me të njohura të kulturës sonë kombëtare, një ndër studiuesit dhe krijuesit shqiptarë më të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit.

Për kulturën tonë Moikomi mbetet një nga penat më poliedrike dhe prodhimtare, i cili vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm si në fushën e letërsisë e të kulturës, ashtu edhe të studimeve akademike.

Rrallëherë ndodh që një vend të ketë në gjirin e vet njerëz me një profil kaq të gjerë intelektual.

Ai mbart brenda vetes historianin e antikitetit dhe të Bizantit, poetin, arkeologun dhe novelistin, piktorin dhe muzikologun, politikanin, intelektualin e angazhuar në jetën publike, mendimtarin dhe eseistin.

Me erudicionin e tij të jashtëzakonshëm, Moikomi mbetet një zë i fortë intelektual në Shqipëri dhe më gjerë.

Me një finesë oratorie dhe një stil tejet të rafinuar të shkruari ai ka ditur që gjatë gjithë jetës të shprehë mendimet dhe qëndrimet e tij me shumë mençuri, mendjemprehtësi dhe elegancë.

Gjithashtu, ai ka ditur të ushqejë vazhdimisht etjen për dituri dhe kureshtjen e pafund.

Bota e dijes është e mbushur me mistere magjike, në pritje që mendjet tona të bëhen më të mprehta për t’i kuptuar ato.

Mendja e Moikomit, hulumtimi i kthjellët dhe kritik i tij, jo vetëm që kanë zbuluar të vërtetat e shkuara, por mbeten si trashëgimi akademike dhe kulturore si të vërteta të së ardhmes.

Si shkrimtar, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, kontributi i Moikomit ndër vite ka qenë gjithnjë i vyer dhe është njohur dhe i vlerësuar gjerësisht.

Cilësi të tilla plot kualitet dhe profesionalizëm nuk kanë qenë aspak të rastësishme, por fryt i përpjekjeve të vazhdueshme intelektuale”, – theksoi mes të tjerash Presidenti Meta.

“Por, mendja e tij e ndritur përkon edhe me një personalitet njerëzor të jashtëzakonshëm.

Një njeri fisnik, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, një njeri i shtrenjtë për miqtë dhe familjen, i përkushtuar ndaj virtytit dhe lirisë.

Edhe në angazhimet e tij publike në politikë, Moikomi është dalluar gjithmonë si një intelektual i përkushtuar ndaj të vërtetës, të mirës publike dhe interesit kombëtar.

Një intelektual, i cili e ka treguar dashurinë për vendin përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, të cilat do shërbejnë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes.

Ndaj sot, i uroj Moikomit edhe shumë vite të tjera me dëshirën për të lexuar vepra e tij të pashtershme. Faleminderit!” – nënvizoi Presidenti i Republikës.

Pasi mori në dorëzim titullin e lartë, zoti Moikom Zeqo falënderoi Presidentin e Republikës për vlerësimin në këtë përvjetor të shtatëdhjetë të ditëlindjes dhe citoi fjalët e Heroit tonë Kombëtar: “Unë do të jem mik i virtyteve, por jo i fatit”.

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
[wpedon id=16879]