Në vitin 1932, disa muaj pasi u takuan për herë të parë në Paris, edhe pse të dy të martuar, krijuesja kubane Anaïs Nin dhe romancieri shumë i suksesshëm amerikan Henry Miller nisën një marrëdhënie intime që zgjati për disa vite dhe që frymëzoi një nga korrespondencat më pasionante.

Më poshtë është një nga letrat që Miller i dërgoi Nin pas një vizite në shtëpinë e kësaj të fundit.

“Anais,

Mos prit më të jem shëndoshë mendërisht. Mjaft më me kujdesin e ndjeshmërinë. Nuk mund ta mohosh, ajo që ndodhi në Louveciennes ishte martesë që ç’ke me të. Ika që andej me ty të ngjitur në shpirtin e trupin tim: shëtis, notoj në oqean gjaku, të gjakut tënd andaluzian, të kulluar dhe helmues. Çdo gjë që bëj, që them, që mendoj ka të bëjë me atë martesë.

Të pashë si të dashurën e shtëpisë tënde, një Moor (persona të besimit mysliman në Afrikë) fytyrërëndë, zezake me trup të bardhë, grua, grua, grua. Nuk jetoj dot larg teje – këto ndarje janë si vdekja. Si t’u duk kur u kthye Hugo? Isha ende aty? Nuk i imagjinoj dot lëvizjet e tua me të ashtu si me mua. Këmbët mbyllur. Brishtësi. Dorëzim i ëmbël, tradhtar. Ti u bëre grua me mua. Dhe gati-gati u tmerrova. Ti nuk je thjesht një tridhjetëvjeçare – ti je njëmijë vjeç.

Ja ku jam dhe ende më djeg dëshira, si tym vere. Veç jo thjesht me pasion për mishin, por një uri konsumuese për ty. Lexoj nëpër gazeta për vrasje e vetëvrasje dhe tani e kuptoj pse ndodhin. Ndihem vrasës, vetëvrasës. Më duket, në një kuptim, se është e turpshme të mos bëj asgjë, ta vras kohën.

Ku shkoi koha kur meshkujt luftonin, vrisnin, vdisnin për një dorashkë, një shikim etj.? (Nga një gramafon po dalin tingujt e asaj aries skandaloze nga “Madamë Batërflaj” – “Një ditë ai do të kthehet!”).

Më duket sikur të dëgjoj ndërsa këndon nëpër kuzhinë një lloj melodie kubane, monotone, pa harmoni. E di që je e lumtur në kuzhinë dhe gatimi yt është më i miri që kemi ngrënë bashkë. Provova paqen dhe gëzimin më të madh ulur në dhomën e ngrënies, duke të të parë se si merreshe me punë, me atë fustanin si perëndesha Indra me shkëlqimin e njëmijë syve.

Anais, më parë mendoja se të doja. Kjo që ndiej tani nuk ka të krahasuar. A thua ishte kaq e mrekullueshme sepse ishte e shkurtër dhe e vjedhur? Mos vallë po aktronim me njëri-tjetrin, ndaj njëri-tjetrit? Mos është çmenduri të mendosh se mund të vazhdojë?

Të vëzhgoj kaq shumë që të zbuloj ndonjë të metë, pika të dobëta, zona të rrezikshme. Nuk i gjej dot, as edhe një. Kjo do të thotë që kam rënë në dashuri. Jam i verbër, i verbër, përgjithmonë! (Tani po këndohet “Parajsa dhe Oqeani” nga “Xhokonda”.)

Të imagjinoj duke dëgjuar disqet – ato disqet e Hugos, “Folmë për dashurinë”. Jeta e dyfishtë, shija e dyfishtë, gazi dhe mjerimi i dyfishtë. Duhet të jesh gdhendur e skalitur tashmë prej tyre. I di të gjitha këto, por s’bëj dot gjë për t’i parandaluar. Me kënaqësi do t’i kisha mbartur vetë të gjitha këto. E di që të janë hapur sytë tashmë. Ca gjëra nuk do t’i besosh më, ca gjeste nuk do t’i bësh më, ca keqardhje, pasiguri, nuk do t’i provosh më….

Gjithë mëngjesin u mora me shënimet e mia, duke menduar nga t’ia nis; para syve të mendjes nuk kisha një libër por një jetë të tërë librash. Nuk mundem. Muret janë të zhveshur, i zhvesha para se të vija të të takoja ty. Sikur po bëhesha gati të ikja përgjithmonë.

Kur bubullin e shkreptin, shtrihem në shtrat dhe më kaplojnë ëndrra të çmendura. Jemi në Sevilje, pastaj në Fez, pastaj në Kapri, pastaj në Havana. Gjithmonë udhëtojmë, por gjithmonë ka një makinë shkrimi dhe libra dhe trupi yt është gjithmonë pranë meje, shikimi yt nuk ndryshon kurrë.

Njerëzit thonë se do të pendohemi, se do të mjerohemi, por ne jemi të lumtur, gjithmonë qeshim, këndojmë. Flasim në spanjisht, frëngjisht, arabisht, turqisht. Na lënë të hyjmë kudo e na e shtrojnë udhën me lule.

Të thashë që kjo është ëndërr e çmendur, por është një ëndërr që dua të realizohet. Jeta dhe letërsia bashkë, dashuria – gjenerator, ti me shpirtin tënd kameleon që më jep një mijë dashuri, e qëndrueshme në çdo stuhi… kjo është shtëpia. Në mëngjes vazhdojmë ku e lamë. Rilindje pas rilindjeje.

Ti duke u bërë e sigurt në vete, duke jetuar jetën plot variacion, siç dëshiron dhe, sa më shumë beson te vetja, aq më shumë më dëshiron mua, ke nevojë për mua.. Zëri të ngjiret, të bëhet i thellë, sytë të erren, gjaku të trashet, trupi të ënjtet.

Një dëshirë kaq përulëse për të dhënë kënaqësi dhe një domosdoshmëri e dhunshme për të sunduar. Më e dhunshme tani se më parë, me ndërgjegje, me vullnet. Kënaqësia e pashuar e përvojës”.

Përktheu: E.Q. /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]