Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka deklaruar se “komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Prishtinës që të shtyjë vendimin për regjistrimin e makinave”.

Price është shprehur i zhgënjyer nga vendimi i qeverisë së Albin Kurtit, të cilës i ka njohur të drejtën e regjimit të ri të targave, por ka kujtuar se shtyrja në kohë e vendimit do të ishte në interes të progresit të dialogut. Sesi do të ndodhë kjo, Price nuk e ka thënë dhe ndërkohë mediat në Kosovë raportojnë se qeveria ka nisur zbatimin e vendimi që parashikon një fazë dy javore të “qortimit” të shkelësve.

Çfarë po ndodh është asgjë më shumë sesa episodi i radhës i tregtisë së stabilitetit që bëhet me Kosovën, Bosnjen dhe Maqedoninë e Veriut në Ballkan nga aktorët perëndimorë që janë aksionerë dhe garantë të tij. Këta aktorë e kanë shumë të qartë se këshillat për shtyrje vendimi e vendosin në pozitë të vështirë Kurtin brenda vendit të tij, por kjo është shumë më pak problematike sesa p.sh të vendosësh në pozitë të vështirë Aleksander Vuçiç që i mban një sy shkelur Rusisë.

Ju pëlqen!

A ka diçka parimore apo të paktën të ndershme në këtë politikë? Jo, aspak. Kosova është Ekuadori i radhës në drejtimin politik amerikan, e cila e përdor Prishtinën dhe madje mbarë faktorin shqiptar si gur pazari.

Se çfarë lloj politike ndiqet këtë e kuptojmë duke kujtuar se disa vite më parë kur Maqedonia e Veriut kërkoi të trajtohej më vete nga Shqipëria e Edi Ramës për procesin e negociatave, z. Rama bëri çmos, duke shfrytëzuar miqësitë personale që kjo të mos ndodhte. Dhe kjo nuk ndodhi me shumë gjasë jo mbi arsyetimin se nuk duhet të lëmë ishuj në Ballkan, por për të mos vënë në pozitë kryeministrin e vendit më të korruptuar në Europë.

Dhe kur më pas, edhe Maqedonia e Veriut kërkoi të mos ndahej nga Shqipëria, z. Rama kërkoi dhe madje kërcënoi se do kërkonte të shkëputej nga fati i fqinjit të saj lindor.

Më tej, z. Rama preferoi të mësonte nga mentori i tij në Beograd, duke gjetur mënyrë diversioni te miqësia me Ankaranë, me të cilën luan një politikë simbolike që nuk dihet se çfarë interesi ka për Shqipërinë. Edhe Ballkani i Hapur hyn në piruetat e Beogradit për të presuar mbi Europën, ndërkohë që në këtë koniunkturë të cilës z. Rama mesa duket i beson verbërisht se është fusha ku ai shkëlqen, Kosova ka njohur vetëm një të mirë: ka njohur fytyrën e Tiranës zyrtare.

Ata që mirëkuptuan deri më dje problemet e z. Rama dhe i hapën dyert, i kuptojnë përherë problemet e Vuçiç, por asnjëherë të Kurtit dhe Prishtinë, një mësim i mirë ky pë rata që merren me politikë në Kosovë. E mira e gjithë kësaj turbullire është se ajo rithemelon racionalizmin në relacionet mes shteteve në një rajon ku flitet për vëllezër dhe armiq. Dhe Kosova po mëson të ndjekë rrugën e vet megjithë reminishencat e një retorike nacionaliste dhe përbashkuese të cilën e përgënjeshtroi vetë qenia shqiptare.

s.zaimi

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!