BE synon të garantojë evakuimet nga Afganistani, ky është synim parësor, tha shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell.

Rënia e Afganistanit në duart e talibanëve është “ngjarja më e rëndësishme gjeopolitike që nga aneksimi i Krimesë”, tha Josep Borrell pas një takimi krize me ministrat e Jashtëm të BE. Tani duhet të mësojmë nga ngjarjet dhe të përballemi me të ardhmen. Borrell tha se ishin bërë gabime, përfshirë edhe në vlerësimin e ushtrisë afgane. Të gjithë u befasuan nga dobësia e saj pasi ajo kishte marrë kaq shumë ndihma.

Një nga pasojat për BE-në është që për shkak të së ardhmes së rajonit, ajo duhet të merret më shumë me vendet fqinje si Rusia, Turqia, India, Pakistani dhe Kina. “Ne do t’i përdorim të gjitha levat tona,” premtoi diplomati i BE-së, pa dhënë hollësi.

Përparësi evakuimet

Situata në Afganistan është e vështirë të vlerësohet, tha Borrell, prandaj evakuimi i punonjësve lokalë që kanë punuar për vendet perëndimore duhet të ketë përparësi. Në misionet e BE-së në Afganistan ishin punësuar rreth 400 vetë dhe është e vështirë t’i çosh të gjithë në aeroport, the Borrell. Spanja ofroi t’i strehojë ata, Italia do të organizojë fluturimet dhe Franca do të kujdeset për sigurinë e tyre. Për të gjitha evakuimet e mëtejshme të mijëra kontigjenteve të NATO-s, OJQ-ve, mediave dhe organizatave të tjera perëndimore mbajnë përgjegjësi vendet përkatëse.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas e bëri të qartë se bashkëpunëtorët afganë kanë vështirësi që të shkojnë në aeroportin e Kabulit. Shtetasit e huaj nuk kanë vështirësi që të shkojnë në aeroport, por talibanët nuk kanë dhënë për afganët asnjë garanci se do t’i lejojnë të kalojnë në pikat e kontrollit.

Bisedime me talibanët

Për të garantuar evakuimet ne duhet të bisedojmë me talibanët, tha shefi i diplomacisë së BE-së Borrell: “Talibanët e fituan luftën, pra ne duhet të flasim me ta.” Kjo është e nevojshme për të parandaluar një krizë humanitare, por edhe për të parandaluar një valë refugjatësh. Frikë nga refugjatët kanë vende të ndryshme të BE -së. Presidenti francez tha hapur në fjalimin e tij televiziv të hënën në mbrëmje: “Ne duhet të mbrohemi nga flukset e parregullta të migrimit.” Italia, Spanja, Qiproja, Malta dhe Greqia kanë bërë thirrje për një takim special të ministrave të Brendshëm të BE-së për këtë çështje.

Qeveria gjermane gjithashtu thekson se refugjatët nga Afganistani duhet të vendosen fillimisht në vendet fqinje dhe se dikush do të duhet të mbështesë Iranin ose Pakistanin për këtë. Sidoqoftë, tashmë ka miliona refugjatë afganë që jetojnë në të dy vendet dhe vështirë se ka ndonjë gatishmëri për t’i pranuar ata.

Përveç kësaj, BE dëshiron ta njohë qeverinë e talibanëve, nëse plotëson kushtet e nevojshme si respektimi i të drejtave të njeriut dhe i grave. Borrell dëshiron të bëjë një dallim të qartë midis kontakteve të domosdoshme me sundimtarët e rinj dhe njohjen diplomatike të tyre. Për të dytën nuk mund të bëhet fjalë për momentin.

Paralajmërim për terror dhe kohë të vështira

Borell mendon se afganët i presin kohë të vështira, sepse prodhimi i ushqimeve do të jetë i vështirë për shkak të problemeve klimatike, prandaj Evropa duhet të përgatitet për të ofruar ndoshta edhe më shumë ndihma humanitare se më parë.

Kurse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se me kthimin e talebanëve në pushtet, terrorizmi ndërkombëtar do të përbëjë përsëri kërcënim, prandaj aleanca perëndimore duhet të qëndrojë vigjilente dhe duhet të vazhdojë të luftojë terrorizmin. (DW)