Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk e konsideron një çështje biografie, por askujt nuk i shpëton fakti se ky semestër europian në dorën e Gjermanisë, mund të jetë për të dera për të hyrë në histori si kancelarja që shpëtoi Europën ose si kancelarja që dështoi, shkruan analistja politke italiane, Rosanna Pugliese.

Me marrjen e presidencës së BE-së në një moment shumë të vështirë, pasi këto gjashtë muaj do të shënohen sidomos nga përpjekjet për të luftuar dhe kapërcyer pandeminë, Bundeskanzlerin e ka treguar veten më shumë sesa të motivuar për mbrojtjen e projektit europian nga shumë pengesa aktuale.

Ajo ka vendosur mbi tryezë të gjitha përvojat dhe aftësitë e saj politike, të vërtetuara tashmë prej vitesh.

Duke folur në Bundestag, në një seancë pyetje-përgjigje me deputetët për çështjet e brendshme të vendit, Merkel theksoi se ”detyra ime është të gjej mazhoranca të mira për zgjidhje të mira”.

”Qëllimet që dua të arrij, në pikëpamje të Këshillit Europian të 17 korrikut, më duhet të pranoj, se janë ende larg dhe do të duhen shumë bisedime të tjera”, deklaroi Merkel për negociatat për Fondin e Rimëkëmbjes/

”Marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur”, theksoi ajo.

Ndërsa mbi çështjen Brexit, një tjetër dosje që peshon si një gur, Merkel paralajmëroi se ”do të bëj gjithçka që është e mundur për të arritur një marrëveshje, por Gjermania dhe BE do të duhet të përgatiten për skenarin e një mosmarrëveshjeje me Londrën”.

”Gjermania dëshiron të veprojë si motor dhe moderatore, pasi ne ndërtojmë ura”, premtoi dje ministri i saj i Jashtëm, Heiko Maas.

“Pritjet janë shumë të mëdha, ato prekin fronte shumë të ndryshme, siç janë migracioni, financat, Fondi i Rimëkëmbjes, të gjitha çështjet që do të shoqërojnë për një kohë të gjatë Evropën në të ardhmen. Por, unë jam optimist se kjo krizë me efekte socio-ekonomike sa e fortë aq edhe aktuale, mund të sigurojë një shans për më tej zhvillimi të Bashkimit Europian”, theksoi ai.

”BE-ja që do të duhet të rritet në peshë për të mbrojtur vlerat dhe interesat e veta ndaj Kinës dhe Rusisë, duke rikalibruar marrëdhëniet e saj me SHBA. Në një moment historik në të cilën marrëdhëniet transatlantike janë të destinuara të ndryshojnë, pavarësisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë”, sipas ministrit Heiko Maas.

Në frontin e brendshëm të BE, Berlini tashmë ka ripozicionuar veten në krahasim me vitet e kaluara, sidomos gjatë ”paradës” së vendeve të Veriut, ai tani po shpenzon për t’u marrë me vendet më të prekura nga Covid-19, e në veçanti me Italinë, duke ofruar ndihma të domosdoshme derisa ata (italianët) të mund të ecin ”me këmbët e tyre”.

Merkel kupton shqetësimet për rrezikun që edhe një sasi e madhe parash nuk mund të zgjidhë problemet e vendeve anëtare, nëse nuk bëhen reforma, që është edhe pika vendimtare për t’u marrë me “skifterët”, por ndan pozicionin e drejtuesve europianë si Conte, Sanchez dhe Costa, sipas të cilëve nuk mund të vazhdohet më tej për të rritur peshën e borxheve mbi qytetarët, sidomos tani me Covid-19 nëpër këmbë.

Me kryeministrin italian, Giuseppe Conte dialogu është i vazhdueshëm dhe kostant, madje edhe të martën kanë biseduar telefonikisht dhe nyja SME nuk ka prishur marrëdhëniet e shkëlqyera me Romën.

”Vendimi është italian”, kishte theksuar kancelarja në intervistën me ”La Stampa”, i cili provokoi reagime në Itali.

Bashkëpunimi me Romën është rikthyer të jetë me rëndësi strategjike, siç shpjegojnë burimet, dhe në muajt e ardhshëm pritet të zgjerohet dialogu për të ardhmen e Evropës, duke përfshirë edhe më thellë Jugun dhe Lindjen e Europës.