Daut Dauti

Mentaliteti jonë

Mentaliteti jonë është krijuar mbi frikën që kemi nga tjerët dhe mungesën e arsimimit adekuat. Ne e kemi pranuar që jemi të pafuqishëm dhe si të tillë të parëndësishëm. Shpresat janë deponuar te i fuqishmi apo mbrojtësi jonë që konsiderohet të jetë Amerika së bashku me disa shtete tjera. Bindja jonë është se ata i kryejnë punët tona dhe ne nuk kemi nevojë ta konsiderojmë qeverisjen dhe edukimin seriozisht. Prandaj, lejojmë të na qeverisin dhe edukojnë halabakët.

Ju pëlqen!

Në vitin 1999 kur punoja në Prishtinë, e kam pasë një zëvendës apo ndihmës, i cili ka qenë anglez. Takonim shumë njerëz se na duheshin. Por, të gjithë i flitnin atij së pari e pastaj mua. Bile disa, mua as që ma shtrinin dorën për përshëndetje se mendonin që jam përkthyes i tij, çfarë edhe detyrohesha të isha në shumë raste. Ia hapshin sytë veq atij për me ngu se çka po thot, e ai i ngrati binte në pozitë të keqe nëse fliste para meje. Unë edhe nëse flisja, nuk më dëgjonte kush.

Kur e merrnin vesh që unë isha shefi i tij, menjëherë ndërronte puna dhe nuk na merrnin seriozisht. Ishte diçka pa lidhje për shumë prej tyre që shqiptari me qenë në pozitë më të lartë se anglezi. Gati askush nuk e kuptonte këtë punë. Dhe, për këtë arsye mua më duhej të kaloja në pozitë të dytë se ndryshe shumë punë nuk kryheshin. Në këtë mënyrë e merrnin punën tonë shumë seriozisht por unë mbetesha i parëndësishëm.

E kam një ndjenjë që ky mentalitet do të jetë prezent deri atëherë kur fillojmë të besojmë në veten tonë.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!