Meningjiti është një inflamacion i membranës (meninges) që mbështjell trurin dhe palcën kurrizore. Zakonisht, enjtja nga meningjiti shkakton simptoma si dhimbje koke, temperaturë dhe qafë të mpirë.

Shumica e rasteve me meningjit shkaktohen nga një infeksion viral, por, shkaqe të tjera janë dhe infeksionet bakteriale, parazitike dhe fungale. Shumë raste të meningjitit përmirësohen pa u trajtuar, në pak javë. Por, të tjerë mund të jenë të rrezikshëm për jetën dhe kërkohet trajtim urgjent me antibiotikë.

Kërkoni ndihmë të menjëhershme mjekësore nëse dyshoni se ju apo dikush tjetër mund të keni meningjit. Trajtimi i hershëm i meningjitit bakterial mund të parandalojë kompikacione serioze.

Ju pëlqen!

Simptomat

Simptomat e hershme të meningjitit mund të imitojnë gripin (influenza). Ato mund të zhvillohen gjatë disa orëve ose gjatë disa ditëve.

Shenja dhe simptoma të mundshme për çdokënd mbi 2 vjeç përfshijnë:

  • Temperaturë e lartë e papritur
  • Qafë e mpirë
  • Dhimbje e madhe koke, që duket ndryshe nga zakonisht
  • Dhimbje koke me marrje mendsh dhe të vjella
  • Hutim apo vështirësi në përqendrim
  • Kriza (dridhje e pakontrolluar e trupit)
  • Përgjumje apo vështirësi në zgjim
  • Ndjeshmëri ndaj dritës
  • Mungesë urie dhe etje
  • Acarim dhe irritim (kruarje, skuqje) i lëkurës

Fëmijët nën moshën 2 vjeç mund të shfaqin këto simptoma:

  • Temperaturë e lartë
  • Të qara të vazhdueshme
  • Irritim dhe përgjumje e tepërt
  • Pasivitet dhe plogështi
  • Ushqyerje jo e mirë
  • Një gungë në vendin e butë, në majë të kokës së bebes
  • Mpirje në trup dhe qafë

Foshnjat me meningjit mund të jenë të vështirë për t’u qetësuar dhe mund të qajnë edhe më shumë po u mbajtën në krahë.

Infeksionet virale janë ndër shkaqet më të zakonshme të meningjitit, ndjekur nga infeksionet bakteriale dhe më rrallë, infeksionet fungale.  Meningjitit bakterial është shumë serioz dhe mund të jetë vdekjeprurës brenda ditësh nëse nuk trajtohet në mënyrën e duhur me antibiotikë. Trajtimi i vonuar rrit riskun e të dëmtimit të përhershëm të trurit apo vdekjes.

Faktorët e riskut

Faktorët e riskut për meningjitin përfshijnë:

  • Moskryerja e vaksinave: Risku rritet për çdokënd që nuk ka kryer të gjitha vaksinat e parashikuara në programin e vaksinimit, në fëmijëri apo në moshë të rritur.
  • Mosha: Shumica e rasteve të meningjitit viral ndodhin në fëmijët më të vegjel se 5 vjeç. Meningjiti bakterial është më i zakonshëm në personat poshtë 20 vjeç.
  • Jetesa në një banesë komunitare: Studentët që jetojnë në konvikte, personeli në bazat ushtarake dhe fëmijët në shkollat me konvikt apo në qendrat e kujdesit, janë në risk më të lartë për meningjit të shkaktuar nga bakteri meningokok. Kjo ndodh sepse, bakteri shpërndahet në rrugë respiratore, dhe përhapet shpejt në grupet e mëdha.
  • Shtatzënia: Shtatzënia rrit riskun e listeriozës, një infeksion që shkaktohet nga bakteri listeria, e që mund të shkaktojë edhe meningjit. Listerioza rrit riskun për lindje të parakohshme dhe abort të padëshiruar.
  • Sistem imunitar i dobët: SIDA, alkoolizmi, diabeti, përdorimi i ilaçeve imunosupresuese dhe faktorë të tjerë, mund të ndikojnë në sistemin imunitar dhe ta bëjnë atë më të prekshëm nga meningjiti. Heqja e shpretkës, gjithashtu e rrit riskun, prandaj ata persona që e kanë bërë këtë duhet të vaksinohen.

Komplikacione

Komplikacionet e meningjitit mund të jenë të rënda. Sa më shumë të vonoheni në marrjen e trajtimit, aq më i madh është risku për kriza dhe dëmtime të përhershme neurogjikale, duke përfshirë:

  • Humbje e dëgjimit
  • Probleme me kujtesën
  • Vështirësi në të mësuar
  • Dëmtim i trurit
  • Probleme me të ecurin
  • Dëmtime në veshka
  • Shok
  • Vdekje

Me trajtimin e duhur, edhe pacientet me forma të rënda të meningjitit mund të përmirësohen.

Parandalimi

Bakterie apo viruse të zakonshme që mund të shkaktojnë meningjitin mund të përhapen me anë të kollitjes, të tështirave, puthjes, apo bashkëpërdorimit të mjeteve të ngrënies, furçës së dhëmbëve apo cigares.

Në mënyrë që të parandaloni prekjen nga meningjiti:

  • Vaksinohuni: Sigurohuni që t’i kryeni të gjitha vaksinat që janë parashikuar në Programin e Vaksinimit, dhe të tjera nëse janë të nevojshme dhe rekomandohen nga mjeku juaj.
  • Lani duart: Larja e kujdesshme e duarve ndihmon në parandalimin e përhapjes së mikrobeve. Mësojini fëmijët që t’i lajnë shpesh duart, sidomos para se të hanë dhe pasi të shkojnë në tualet, të kalojnë kohë në një vend publik me shumë njerëz apo të përkëdhelin kafshë. Tregojuni se si t’i lajnë dhe shpërlajnë duart në mënyrën e duhur.
  • Praktikoni higjienë të mirë: Mos përdorni të njëjtat ushqime, pije, mjete të ngrënies, zbutës buzësh apo furça dhëmbësh, me dikë tjetër.
  • Ruani shëndetin: Ruajeni sistemin tuaj imunitar duke pushuar mjaftueshëm, duke bërë rregullisht ushtrime fizike dhe duke konsumuar një dietë me fruta të freskëta, perime dhe drithëra.
  • Mbuloni gojën: Mbuloni gojën dhe hundën tuaj kur kolliteni apo tështini.
Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.