Faik Konica boton në të përkohshmen “Albania” më 15 shtator 1901, këshillat e mëposhtme për një djalë që kishte ndërmend të botonte një gazetë shqip në Misir. Mbi çdo zgjedhje që bën, autori tregon në çdo fjali një anë negative të shqiptarëve. Ia vlen ta lexoni materialin e mëposhtëm.

“I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend.

Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prish punë duke egërsuar qeverinë.

Ju pëlqen!

Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që ta pushosh gazetën. Në mos gjetsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjetsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folsh për nevojën të përpiqemi ta shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqie të Madhe, s’qenke shqiptarë i vërtetë.

Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjtë, atëherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi”.

Në fund fare, të nderuar lexues, mund të ju garantojmë se redaksia e “MekuliPress” i ka përjetuar që të gjitha këto intriga e fjalë negative, vetëm e vetëm pse nuk deshti, e nuk do të jetë, vegël e asnjë partie politike, klani apo bande ekonomike, por vetëm gazetë informative e kritike në shërbim të publikut e të kombit shqiptar.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.