Ishte vetëm 25-vjeçar, por me sytë e mendjes shihte se vetëm shkollimi i të rinjve shqiptarë ishte rruga drejt emancipimit.
Në emër të studentëve nga Peja, ai po e përshkruante gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Mbretërinë e Jugosllavisë.
“Përfundimi i studimeve do të bënte të mundur t’i kthehet borxhi atdheut e kombit tonë”, shkruante Esad Mekuli në letrën që mban datën 17 qershor 1941.
Ishin muajt e parë prej se Kosova dhe një pjesë e viseve shqiptare në Maqedoni po merrnin frymë lirshëm. Kërkohej më shumë se kurrë shkollimi i të rinjve në Itali e Austri.
Këto episode, thuajse të panjohura, janë shpalosur në takimin e shkrimtarëve për nder të poetit, përkthyesit e veprimtarit të kulturës, Esad Mekuli.
Kjo mbrëmje e quajtur “Ora e shkrimtarit”, që u mbajt të martën mbrëma në “Caffe Galeri KultPlus”, ka hapur siparin e aktiviteteve kulturore të PEN Qendrës së Kosovës për t’i përkujtuar emrat e autorëve që kanë lënë gjurmë në letrat shqipe në Kosovë.
Fare të paktë kanë qenë të interesuarit në mbrëmjen që iu kushtua poetit të lindur në Plavë.
“Është një kohë e pakohë kjo situata me pandeminë, e prandaj edhe arsyetohet mosardhja e njerëzve”, ka thënë shkrimtari Binak Kelmendi, i cili është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës.
Sipas tij, kjo mbrëmje për Mekulin është e para në projektin e paraparë që nderon dhjetë shkrimtarë të ndjerë.
“Dua që aktivitetet e radhës të bëhen edhe për shkrimtarët që janë gjallë mes nesh”, ka shtuar Binaku.
Në hapje të takimit, poeti e krijuesi Ibrahim Berisha ka lexuar një jetëshkrim të shkurtër të intelektualit të lindur para 104 vjetësh.
Ai kishte qenë edhe një nga themeluesit e gazetës më jetëgjatë shqiptare në ish-Jugosllavi “Rilindja”.