Shtypi në Kosovë, qoftë ai i shkruar, po edhe ky elektronik, janë futur në garë për ngjarjet që pasuan në Mitrovicë se kush po benë lajm më sensacional, duke dashur të “lavdërojnë” aksionin, me qëllim a pa te, ata krijuan hapësirë thash e thënash!

Shtrembërimi publik i së vërtetës së domosdoshme të veprimit, krijon hapësirë, ku mund të manipulohet nesër, deri tek akuzat që nënkuptohen kundër veprimeve ligjore të shteti të Kosovës! Këto medie paçavure në Kosovë, që mund të kenë porosi dhe cak qëllimkeq  për të yshtur situatën politike aktuale në Kosovë, lënë shumë për të dëshiruar! Mediat në fjalë, në të shumtën e rasteve kanë qenë shpifëse, etiketuese, sajuese, yshtëse dhe ngjizëse, duke sajuar informata të paqena e deri tek mbëltimi i ndonjë shkrimi që në vete mund të ngërthej edhe ndonjë konflikti individual apo kolektiv e kështu me radhë.

Me rastin e arrestimeve të të dyshuarve për kontrabandë (të cilët në mënyrën më profesionale dhe ligjore e bëri policia e Republikës së Kosovës), mediat tona u vunë në garë me tituj bombastik, se kush po ia kalon me shkrime kujt, si vijon: “Shteti në aksion, tregon forcën në veri!”, që aludon se një shtet i tërë qenka ngritur në aksion për të arrestua ca persona që ushtrojnë kontrabandë atje. Me tutje: “ shteti tregon forcën në veri!” që nënkupton se policia e Kosovës, paska shkuar atje për të treguar forcën dhe jo për të goditur një rrjetë kontrabandistësh të mirëorganizaur dhe të rrezikshëm !… Më tutje këto medie shkruajnë se: “dikush nga policia e Kosovëskishte njoftuar Vuçiq-in për aksionin!” , “se u përdor forca e panevojshme atje ” etj.Me këta rast, këto paçavure gazetash të shkruara dhe elektronike, me dashje dhe pa verifikuar të dhënat, bëjnë një akuzë publike mbi kurriz të policisë së Kosovës me sajesa të shkruara ku fshihet qëllimi i tyre degradues për të ngritur një frymë pasigurie gati tek të gjitha institucionet tona!

Është e pa shpjegueshme, ose le shumë për të dëshiruar fakti se këto medie, nuk shkruan (apo shkruan fare pak), për rrezikun që përjetuan policët tanë atje, në një kohë kur atje luhej edhe me jetë, nuk shkruan se dikush në veri të Kosovës përdori edhe armët kundër policisë së shtetit tonë! Nuk shkruan se atje forcën treguan grupet e organizuara kriminale, të cilat shtinë me armë në policinë e Kosovës, ku pati edhe të plagosur. Grupe këto, të cilat bllokuan rrugët me makina të rënda, ushtruan mosdëgjueshmëri ndaj shtetit dhe organeve të rendit!

Kudo në botën demokratike, edhe një herë kudo, arrestohen dhe goditën të gjithë ata që merren me hajni, kontrabandë dhe vepra të paligjshme, mosbindje ndaj shtetit dhe policisë, për këtë po japim vetëm një shembull, vetëm një:

“Të provoj dikush, dhe plagos me armë zjarri një polic në Gjermani, Danimarkë, Holandë, Zvicër, Suedi, Rusi, Francë, Poloni etj, po shih se ku do të përfundoj!”… Vetëm në Serbi ekziston ky mentalitet, vetëm nga Serbia dëgjon kërcënime të tilla:

“ mos i ngani hajdutët!, dhe atë nga Presidenti i shteti, madje Vuçiq, kërkoi edhe mobilizim të ushtrisë dhe policisë për të mbrojtur kontrabandistët dhe hajdutët në Kosovë!… Me këtë akt,Serbia po i tregon botës së është në gjendje që të ngrehi edhe ushtrinë në këmbë për të mbrojtur hajdutët dhe kontrabandistët në Kosova!

Edhe më kontradiktor më bëhet fakti se; po të ndodhte një veprim i tillë,  kudo në shtetet e Evropës e më gjerë, kudo, do të kërkohej mbështetje për organet e rendit për arrestimin e hajdutëve, kontrabandistëve, të korruptuarve të cilët cenojnë rendin dhe demokracinë e atij shteti. Diçka të çoroditur që dëgjova me këtë rast si:

Përfaqësuesit e BE-së, që mëtojnë demokracinë i tërhoqën vërejtjen Kosovës që të veproj me maturi, por nuk ia tërhoqi vërejtjen Serbisë që kishte thirrur gjendje gatishmërie të Ushtrisë! Me këtë BE, dha porosinë e qartë, që të mos ngucën hajdutët dhe kontrabandistët që po veprojnë në veri të Kosovës! BE- nuk e mbështeti, dhe nuk i tha Kosovës dhe Serbisë se:

Ju, të dy shtetet që po synoni Bashkësinë evropiane, duhet ta mbështesin njëra-tjetrën në luftimin e kontrabandizmit, korrupsionit, hajdutërisë, kriminalitetit dhe veprave tjera të pamira, që cenojnë lirinë, demokracinë dhe jetën e qytetarëve!

Në fakt, Serbia, e para do duhej ta mbështeste veprimin e policisë së Kosovës e cila me sakrificë e vetëmohim, po mbron qytetarët tanë nga keqbërës e hajdutë, nga kontrabandistë të pandërgjegjshme të llojit të vet (pa varësisht komunitetit që i takojnë).  Ky veprim i organeve gjegjëse të Kosovës, para së gjithash i kontribuon fqinjësisë së mirë për ruajtjen e stabilitetit dhe luftimin e anarkisë e korrupsionit në vend e rajon. Shteti i Kosovës e ka për obligim qytetarë dhe Kushtetues, luftimin e krimit të organizuar, mbrojtjen e demokracisë dhe zhvillimin e shoqërisë sonë drejtë synimeve euroatlantike dhe atë pas asnjë lëkundje, duhet të veproj kurdo dhe kudo që e kërkon nevoja.

Dorën në zemër, jo të gjitha mediat, bie fjala:  “Radiokosovaelire”, “Kosovapress”, “Albaniapress”, “Mekulipress” , “Pashtriku” e dhjetëra dritare tjera informimi, janë në nivel të detyrës të cilat me korrektësi, plasojnë për opinion lajmin e verifikuar, pa ngjyra yshtjesh, shpifjesh e sajesash. Pa prapavijë politike, që kanë për qëllim degradimin e personalitetit të tjetrit, qoftë ai/ajo, figurë politike apo fizike.

Është e pamohueshme se lexuesi i rëndomtë, vëren pa mbulesë psikologjinë e varfër deri në mjerim të disa mediave tjera në Kosovës, se sa poshtë kanë rënë morali i tyre në shoqërinë tonë! Këto medie, nuk lënë gurë pa rrotulluar vetëm e vetëm për të lakuar një emër, apo figurë të caktuar, qofshin ato edhe burim të dyshimta, të yshtura, të shpifura, të sajuara etj. mjafton që të bëjnë lajm, dhe lajmi të bënë sensacion, pavarësisht se këto lëndojnë qytetarin e pafajshëm, rrethin e tij, miqtë e tij, familjen e tij e kështu me radhë, me lajme të pa verifikuara, me lajme të yshtura dhe sajuara etj. Në të kundërtën, çdo masë ligjor kundër tyre tek ata krijon një histeri çjerrjeje; se po iu cenohet e drejta e shprehjes, në fakt atyre duhet të iu cenohet e drejta e shpifjes, yshtjes dhe sajimit të lajmeve të rreme…  

Veç kësaj, mediat e shumta të shkruara dhe elektronike në Kosovë, janë futur në garë, me paranojën e “klikimeve”, se klikimi kthehet në lekë etj. Prandaj nuk hezitojnë të japin lajme pa kriter e masë etike, pa kodeks e përgjegjësi gazetareske, qoftë edhe kundër shtetit dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës, vetëm e vetëm se ndonjëri nga bartësit e tyre aktual i takon një ngjyrimi tjetër politik, ose në rast se ai nuk është i preferuari i tyre!…

Për më tepër nëse ai/ajo/ata, bartës të politikës aktuale në Kosovë, nuk i kanë përmbushur kërkesat e tyre materiale apo politike, për punësim të ndonjë familjari, për ndikim të ndonjë përfitimi politik a material e kështu me radhë. Ka raste, kur nën prenë e “dhunës” së mediave, dikaster të caktuar të institucioneve tona, kanë rehatuar familjaret e përfaqësuesit të këtyre mediave, dhe kjo ka dhënë rezultat për të shërbyer pastaj si alibi: “ma futë vajzën, çunin, mikun apo familjarin tim në punë- ndryshe unë do të publikoj në shtyp për yt dhe do të të rrotulloj tepelekun e kokës!”…

Shteti ynë, Institucionet tona, Policia e Kosovës, do duhej që të luftoj kurdo dhe kudo që ndodhin dukuritë negative në hapësirat kosovare, madje edhe shpifjet e yshtjet nëpër medie të cilat jo në pak raste, kanë ngritur tensione, kanë krijuar atmosferë jo të këndshme, kanë traumatizuar persona të pafajshëm dhe familjarët e tyre, duke sajuar lajme të rreme dhe të shpifura të cilat kanë pjellë situata jo të këndshme më pastaj.

Edhe ky veprim, pra siç është rasti i sajimit të lajmeve të rreme dhe të shpifura hyn në rangun e rasteve të  kontrabandimit të lajmeve të rreme për të krijuar atmosferë të nderë! – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress