Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, deklaroi se pala e Kosovës ka treguar papërgatitje absolute për dialog dhe negociata mbi problemet kryesore në zbatimin dhe shkeljen e marrëveshjeve të arritura deri më tani, shkruan kosovo-online.com.

Ai po ashtu citohet të ketë thënë se deklaratat e zëvendëskryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, janë provokime.
“Mesazhet e Besnik Bislimit, të cilat vijnë pas bisedimeve, janë vetëm një vazhdim i politikës së provokimeve, dhe Beogradi nuk do t’u kthehet atyre, as nuk do të ikë kurrë nga bisedimet, ashtu si negociatori i Prishtinës iku nga të gjitha temat në tavolinën e negociatave”, thuhet në njoftim.

Drejtori i kësaj “zyreje” po ashtu tha se “ajo që është e rëndësishme është se është bërë përparim në çështjen e personave të zhdukur dhe se Prishtina më në fund ka njohur ekzistencën e arkivave të UÇK-së dhe ka rënë dakord t’i hapë ato, të cilat nuk do të jenë më të fshehura.”

Dje, Bislimi tha se pala serbe është pajtuar që të hapen të gjitha arkivat, përfshirë edhe ato shtetërore të Kosovës.

“Pala serbe të paktën deklarativisht ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat që nënkupton edhe ato shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në”.