Një pjesë e mirë e publikut në Tiranë janë mes tronditjes dhe entuziazmit pas fitores së Albin Kurtit. Nisur nga përvoja e tyre tridhjetë vjeçare me demokracinë tranzit, ata nuk mund të besojnë se mund të jetë kryeministër i shqiptarëve një njeri i pakorruptuar dhe i ditur. Këta janë vullnete të ndrydhur e që po zgjohen. Ndaj dhe një nga sloganet tanë është “Pranvera vjen nga Kosova”.
Pjesa më e madhe e mediave të Tiranës nuk mund të pranojë këtë ngjarje madhore në ndërgjegjet e shqiptarëve, ndaj dhe kjo shumicë mediatiko-oligarkike përsërit në çdo rast se pushteti do ta korrruptojë Albin Kurtin. Redaktorët dhe gazetarët e tyre kryesorë nuk mund të pranojnë se, ndërsa janë korruptuar vetë pa rezistencën më të vogël, ka nga ata që as nuk e kanë ndër mend poshtërimin.
Ata nuk e njohin biografinë e Albinit. Ata vetë kanë lindur e janë rritur në një shoqëri që e ka vendosur shpresën në inkriminimin mercenar. Këta janë vullnete të shitur që në pikënisje. E këta nuk mund të rizgjohen. Veç mund të hiqen mënjanë.
Po ! Emri i Albin Kurtit është perbashkimi i tri kohëve: 1. përbën një ndërhyrje të peshës historike e të shkuar në aktin politik, 2. e rikthen politikën në ndikim epror aktual në ndërgjegjen e qytetarëve, 3. gjithnjë e më të shumtë do të jenë njerëzit që do ta mendojnë politikën si sintezë të ndjeshmërisë dhe ndershmërisë. Dhe kjo e fundit do të jetë e ardhmja si besim.
Shëmtia e intitucioneve dhe përfaqësuesve tanë nuk do të jetë më fataliteti ynë. /Elvis Hoxha/