Një ekip i KFOR-it është sulmuar në Zubin-Potok të dielën në mbrëmje. Lajmin e jep Koha.net që thotë se e ka konfirmuar nga disa burime të saj. Nuk raportohet për persona të lënduar. Nuk dihet se me çfarë është sulmuar ky ekip i KFOR. Ende nuk ka një reagim nga policia e Kosovës. Pjesëtarët e KFOR-it të cilët thuhet se janë sulmuar janë nga Letonia.

Të dielën u bënë 16 ditë që nga vendosja e barrikadave në veri nga serbët lokalë. Ata protestojnë ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç. Qeveria ka thënë se janë në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave. Vetë KFOR thotë se barrikadat duhet të hiqen me dialog. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të bisedojë me komandantin e KFOR-it pas festës së Krishtlindjes.

Mediat serbe raportojnë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç është takuar me kryeministren Ana Bërnabiç dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç. Takimi ka ardhur pasi siç pretendojnë mediat serbe, “ka pasur të shtëna armësh mes Policisë Speciale të Kosovës dhe serbëve që po qëndrojnë në barrikada”.