gezim mekuli
 

Nga Gëzim Mekuli

Lajme të pabesueshme në mediat shqipe: “7 km kolona e gjatë për tu futur në Serbi. 9 orë pritje në kolonë për të kaluar kufrin Kosovë-Serbi.”

Viti 2002. Norvegji. Qyteti Stavanger. Jemi mysafirë në shtëpinë e profesoreshës së universitetit së Stavangerit, zonjës Kiperberg. Të ftuar, ishin edhe shtatë studentë norvegjezë si dhe një profesor nga universiteti i Prishtinës. Mikëpritje miqësore nga zonja e shtëpisë.

Ju pëlqen!

Gjatë ndenjes patëm bisada të shumta. Ndër të tjera filloi edhe tema për marrëdhënjet serbo-shqiptare. Pra, flisnim për luftën e fundit të Serbisë që e bëri në Kosovë. Që në fillim u fol shumë për “falje të Serbisë”, “për harresë ndaj krimeve serbe”, “për ardhmëri”, “moshakmarrje”, “jeni fqinjë”, “jemi në shekullin XX” etj., etj.

Më erdhi radha edhe mua ta thoja mendimin tim. Unë thashë se, “nuk ka marrëdhënje të shëndosha shqiptaro-serbe përderisa politikat serbe nuk kërkojnë falje për masakrat, dhunën, shkatërrimin dhe gjenocidin, që shteti serb e kreu mbi shqiptarët e Kosovës”.

Këtu ndërhyri Profesoresha e universitetit norvegjez, rektorja Kipperberg. Drejtoi trupin në drejtimin tim, me krenari, paksa të tepruar, ngriti kokën, më vështroj kritikueshëm dhe me zë të një “gjithditure” më këshilloj: “Gëzim, ju duhet të harroni luftërat me serbët. Ju, shqiptarët, duhet shiquar nga ardhmëria. Duhet të mësoni të falni”. “Ja, shiqoni neve norvegjezëve. Ne ua kemi falur gjermanëve. S’keni arsye që të mos falni edhe ju, lufta mbaroj. Serbia ka qeveri të re e demokratike, tani”, thoshte ajo. (Asokohe ishte, tashmë i ndjeri, dr. Zoran Gjingjiq, kryeministër i Serbisë).

Përsëri, në qetësi e me këmbëngulje, e pa aspak dyshimi, mbrojta qëndrimin: “nuk ka marrëdhënie normale e të shëndetshme me shtetin serb përderisa ky shtet nuk kërkon falje publikisht e zyrtarisht”. Nxorra shumë shembuj të kërkimfaljes politike nga historia. Kot! Nuk bindej rektorja e universitetit të Stavangerit!

Situata pas 3 orësh!

Biseda vazhdoi me plot tema tjera interesante, serioze, por edhe me plot humor.

Kur “papritmas” ndodhi ajo që unë edhe e prisja. Historia e Norvegjisë dhe pushtimi i Norvegjisë nga Gjermania e Rajhut të Tretë. U bisedua për dëmet dhe për 10.000 të vrarët nga nazizmi gjerman. Profesoresha Kiperberg foli për shkatërrimet e aviacionit gjerman, veçanërisht për ato bombardime e vrasje në veri të Norvegjisë, e në Oslo. Pas plot 60 vitesh profesoresha e nderuar ishte ende e emocionuar. E kuptoja! Kisha empati, normale kjo. Dhe e mbështesja.

U fol edhe për gjuhën gjermane dhe arsyet se përse, ende, gjuha gjermane nuk ishte aq e pëlqyer nga nxënësit norvegjezë për t’u studiuar.

Atëherë dhe atje, intelektualja e nderuar, pas ca gotave verë, na tha hapur: “Unë kurrën e kurrës nuk i kaloj pushimet në Gjermani. Bile, as nuk blejë biletë aeroplani nga kompania e fluturimeve gjermane “Lufthansa”. Dhe vazhdonte: “As nëpër teritorin e Gjermanisë nuk dua të kaloj me makinën time. Thjeshtë, na kanë bombarduar dhe më kanë okupuar vendin tim të dashur, Norvegjinë”.

Po, mu kështu u shpreh intelektualja e nderuar norvegjeze e Universitetit të Stavangerit, më pas edhe rektore e këtij institucioni mësimor. Moralin e dyfishtë nuk mund t’a përpijë e as ta duroj. Thjeshtë është pjesë e edukatës sime. Andaj edhe ju drejtova asaj: “E nderuar, Ju vetëm para 3 orëve, këtu, më mbajtët ligjëratë për “harresën”, “tolerancën”, “faljen dhe demokracinë”. “Juvet para ca orëve, këtu para 9 personave, na thatë se “duhet pajtuar e mos shikuar nga e kaluara”. Tani, më thuani se “nuk shkoni e as nuk kaloni nëpër Gjermani!”.
Ju këtu sapo na thatë se “nuk bleni as biletë aeroplani e nuk shkelni teritorin e Gjermanisë, vetëm e vetëm sepse ju kanë okupuar”. “Ju dëgjova dhe ju mirëkuptova”, vazhdoja unë. “Ju mbani mend krimet edhe pas 60 vitesh, ndërsa kërkoni nga ne, shqiptarët, të harrojmë gjenocidin serb që ndohi vetëm para 3 vjetësh”. “Si është e mundur që ju të kërkoni diçka nga ne, që ju nuk e bëni dot vet”. “Ky është moral i dyfishtë dhe unë nuk pajtohem me ty”.

Pse e bëra publike këtë përjetim?

Me këtë desha të ngrija një çështje tjetër dhe të pyes gjithë ata shqiptarë, të cilët po presin nga 7 e deri në 9 orë për tu futur në teritorin e shtetit që dhunoi mbi 20.000 gra (dhe burra), nëna, vajza, e motra shqiptare, në tokën e Serbisë. Si është e mundur, ne, mërgimtarët, të cilët edhe nuk jemi të varur, tek e fundit, ekonomikisht nga shteti i Kosovës, të veprojmë në këtë mënyrë? Çfarë është vetëdija jonë politike kolektive? A ka vlera qytetarie në veprimet tona? A ka principe humane në jetën tonë?

Si është e mundur, që të investojmë e ta ndihmojmë ekonominë e një shteti që nuk ka kthesë pozitive politike ndaj shqiptarëve? Politikat serbe janë aktive dhe dëmtuese sot, aq sa edhe politikat e Millosheviqit. Por tani jo me tanke e me avionë, por në forma e mënyra tjera.
E pakuptueshme, zhgënjyese dhe primitive është derdhja e milionave euro te ekonomia-politikat e një shteti që s’po na lejon dot të marrim frymë si komb. Kuptohet, secili e secila ka të drejtën e lëvizjes së lirë. Por, kjo dritëshkurtësi politike e ky budallallëk social kolektiv, nuk po kuptohet mirë as nga “miqtë tanë ndërkombëtarë”.

*Serbisht: Sretan vam put = Shqip: Udha e mbarë ju qoftë!
(Ky shkrim është shkruar në vitin 2009) Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.