39-VJETORI I THEMELIMIT TË LËVIZJES

Po ofroj platformën ideopolitike të Lëvizjes, e cila kishte për bazë “tezat që Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës”. OMLK-ja i pat hartuar në maj 1981. Për shkak pamundësive për t’i diskutuar në Kosovë, ngarkohet Kadri Zeka për t’i ofruar për bisedime në emigracion. Në verë 1981 u diskutuan, modifikua dhe Jusuf Gërvalla u ngarkua të bënte redaktimin finalizues. Ky është varianti që Jusuf Gërvalla e finalizoi dhe u shpërnda si trakt informues në emigracion.

Më 17 Janar 1982, nga Jusuf Gërva dhe Kadri Zeka, në prani të Ibrahim Kelmendit, merret vendimi për formimin e Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Me atë rast vendoset që platforma e miratuar në gusht 1981 të përshtatën për organizatë politke, pa ndonjë pararojë, meqë tashmë nuk ezistonte as OMLK-ja.
Më 17 shkurt 1982 UDBashët Abullah Prapashtica dhe Sabri Novosella bëjnë komplotin të quajt themelim të “Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi” (LRSSHJ). Më 9 maj 1982, Xhavit Shatri, si “përfaqësues” i OMLK-së inekzistente, deklaron se i bashkohet LRSSHJ-së.
Vetëm në vitin 1987 ia dolëm të mbajmë Mbledhjen e parë të Përgjithshëm, e cila Lëvizje e riemërtoi në Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). Mbledhja miraton Programin që e ka hartuar ekipi i autorizuar, i cili për bazë orientuesi pati “tezat” e gushtit 1981. Në Mbledhjen e 3-të Lëvizja riemërtohet në Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).
Në Kuvendin e 7-të dhe të fundit, mbajtur në fund të qershorit 1999 në Prizren, vendoset shpërndarjen.
***
TEZA RRETH FRONTIT POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS
I.
Kriza e rëndë që ka mbërthyer Jugosllavinë revizioniste, i ka sjellë masat punonjëse kudo në Jugosllavi në një gjendje shumë të vështirë. Por, veçanërisht e rëndë dhe e padurueshme është kjo gjendje në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, ku mbi masat punonjëse po ushtrohet një shtypje e shfrytëzim i egër e i shumëfishtë kolonial e
kapitalist.
Populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi ka luftuar në shekuj për lirinë, të cilën nuk e fitoi kurrë. Megjithë gjakun e shumtë që derdhi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ai nuk fitoi të drejtën e tij të ligjshme dhe të premtuar që të vendosë vetë për fatin e tij. Këtë të drejtë, që më parë e kishin proklamuar vetë shovinistët e rinj jugosllavë, pas përfundimit të luftës, e mbytën me gjak. Me anë të forcës e të tradhtisë, ata bënë që Kosova dhe tokat e tjera shqiptare, që fuqitë e mëdha i kishin shkëputur padrejtësisht nga shteti shqiptar, të pushtohen përsëri dhe të copëtohen në mes të Serbisë, Maqedonisë dhe Mali të ZI. Populli i robëruar shqiptar u bë objekt i një politike të egër shoviniste të shtypjes e shfrytëzimit të pamëshirshëm, objekt i dhunës dhe terrorit, shkombëtarizimit dhe gjenocidit të paparë. Çështja kombëtare e popullit tonë mbeti një problem i pazgjidhur, një plagë që kërkon shërim. Popullit shqiptar në Jugosllavi dhe sidomos atij në Maqedoni e Mal të Zi i janë mohuar e shkelur të drejtat më elementare kombëtare.
Përveç marrëdhënieve kapitaliste në prodhim, gjendjen e masave punonjëse dhe të të gjithë popullit shqiptar në Jugosllavi e rëndon edhe shfrytëzimi i egër kolonial që ushtrohet mbi të. Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi janë shndërruar në koloni të vërteta të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, në burim të tyre, thjesht të lëndëve të para dhe të krahut të lirë të punës. Mbi supet e klasës sonë punëtore dhe masave të tjera punonjëse po hidhen jo vetëm pasojat e krizës që ka mbërthyer ekonominë kosovare, por edhe ato të krizës së ekonomisë të të gjithë Jugosllavisë. Kjo ka bërë, që megjithë pasuritë e shumta që kanë Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi jo vetëm të jenë pjesa më e pazhvilluar në Jugosllavi, por që edhe prapambetja e tyre në krahasim me viset e tjera të Jugosllavisë të shtohet vazhdimisht.
Kjo ka bërë që Kosova jonë e begatshme të mbetet „shtëpia e varfër e Evropës “, vendi i prapambetjes, papunësisë, kurbetit, analfabetizmit, errësirës, sëmundjeve, skamjes dhe mjerimit
II.
Populli ynë heroik ka luftuar në shekuj për lirinë dhe të drejtat e tij. Ashtu si dhe më parë, ai nuk u pajtua kurrë me zgjedhën e re të robërisë revizioniste. Luftën e pandërprerë të popullit tonë kundër zaptuesve të rinj shovinistë nuk kanë mundur ta shuajnë as gjeno¬cidi, dhuna e terrori i egër fashist dhe as premtimet, demagogjia, feja, shthurja e degjenerimi. Krahas ngritjes së vazhdueshme të ndërgje¬gjes kombëtare e klasore të popullit tonë të robëruar, u rrit dhe u intensifikua edhe lufta e tij për të drejta e liri.
Lëvizja revolucionare e pranverës së këtij vitit është vazhdim i drejtpërdrejtë i luftës së pandërprerë të popullit tonë për liri, dëshmi e ngritjes së saj në një shkallë akoma më të lartë.
Grevat dhe demonstratat e mëdha të pranverës nuk kishin aspak karakter shovinist, irredentist, reaksionar e kundërrevolucionar, siç po për piqet t’i paraqesë ato propaganda jugosllave. Ato ishin pasojë e gjendjes së padurueshme, në të cilën ndodhet populli ynë, e shty¬pjes dhe shfrytëzimit të egër kolonial e kapitalist që ushtrohet mbi masat tona punonjëse. Me anë të këtyre demonstratave dhe grevave, populli ynë kërkoi kushte më të mira jetese, kërkoi lirinë dhe të drejtat e mohuara kombëtare e demokratike; dhe në mënyrë të veçantë kërkoi që Krahinës Autonome të Kosovës t’i jepet statusi i Republikës brenda Federatës Jugosllave. Këto kërkesa qenë paqëso¬re; të përgjakshme ato i bënë shovinistët serbomëdhenj dhe tradhta¬rët shqiptarë, që urdhëruan shuarjen e tyre me armë dhe me gjak, me milici speciale, tanke dhe ushtri.
Ata janë përgjegjës për gjakun që u derdh në këto demonstrata popullore dhe për të gjitha dëmet që u shkaktuan.
Suksesi i demonstratave dhe grevave të këtij viti është i jashtëzakonshëm.
* U arrit një politizim, mobilizim dhe bashkim i paparë i popullit tonë.
* U ngrit në një shkallë akoma më të lartë fryma e tij, luftarake, patriotike e klasore.
* U shtua edhe më shumë besimi i tij në forcat e veta të pashtershme.
* Politika antipopullore e udhëheqjes shoviniste të Jugosllavisë u demaskua e u diskreditua edhe më shumë jo vetëm në sytë e popullit tonë, por edhe në sytë e popujve jugosllavë dhe të atyre të botës.
* Doli në shesh jo vetëm politika e shovinistëve serbomëdhenj për fashistizimin dhe rankoviçizimin e mëtejshëm të Jugosllavisë, por edhe plani i rrezikshëm që ata po kurdisin në bashkëpunim me socialimperialistët sovjetikë – kundër popujve të Jugosllavisë dhe të allkanit.
* Çështja e Kosovës u popullarizua edhe më shumë në të gjithë botën. Lufta jonë e drejtë fitoi simpatinë dhe përkrahjen e të gjitha forcave përparimtare në të gjithë botën…
III.
Të tmerruar nga goditjet dërmuese që morën nga grushti i ngritur i popullit, shovinistët serbomëdhenj kanë shpërthyer tani një fushatë të tërbuar antishqiptare. Ata po përdorin të gjitha mjetet dhe meto¬dat, me qëllim që të shkatërrojnë lëvizjen komuniste e patriotike, që po rritet e forcohet vazhdimisht, ta nënshtrojnë popullin tonë të pamposhtur, ta mbysin luftën e tij çlirimtare, e madje edhe të na i rrëmbejnë ato pak liri e të drejta që i kemi fituar me gjak e sakrifica. Por, siç ka treguar historia jonë e lavdishme dhe siç po e tregon edhe lufta e gjithnjë në rritje që po bën populli ynë edhe në këto kushte, nuk ka forcë në botë që mund ta mposhtë popullin tonë të paepur, që të ndalë marshimin e tij të pandalshëm drejt lirisë e socializmit.
* Në këto kushte, para gjithë lëvizjes komuniste, patriotike e revo¬lu¬cionare në Kosovë del detyrë e ngutshme bashkimi dhe organizimi më i mirë i gjithë popullit tonë dhe luftës së tij të drejtë.
* Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës mendon se në kushtet e tanishme kjo mund të arrihet më së miri duke organizuar FRONTIN POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (FPRK).
IV.
* Qëllimi i FPRK-së është që Krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e republikës brenda federatës jugosllave.
* Kërkesa për Republikën e Kosovës është e drejtë dhe përkrahet nga i gjithë populli shqiptar.
* Populli i Kosovës kurrë nuk ka vendosur për fatin e vet, tokat e tij janë pushtuar me forcë, janë copëtuar dhe në kundërshtim me vullnetin e tij, i janë aneksuar Serbisë.
* Në mbledhjen e AVNOJ-it ku u vunë themelet e pushtetit të sotëm jugosllav, nuk u fol fare për çështjen e popullit shqiptar në Jugosllavi dhe më të nuk morri pjesë asnjë delegat shqiptar.
* Populli shqiptar jeton në tokën e tij, ku ka jetuar brez pas brezi.
* Populli shqiptar në Kosovë i ka të gjitha karakteristikat që përbëjnë një popull dhe një komb; ai nuk është „pakicë kombëtare”, nuk është „kombësi” dhe as “popullsi” (“narodnost”), siç e kanë cilësuar shovinistët jugosllavë; ai përbën mbi 80 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
* Për nga numri i banorëve, Krahina e Kosovës është rreth tri herë më e madhe se Mali i Zi, që ka republikën e vet.
* Republika e Kosovës do ta bëjë të mundshëm zhvillimin sa më të shpejtë ekonomik dhe kulturor të Kosovës si dhe afirmimin e mëtejshëm kombëtar të të gjithë popullit shqiptar në Jugosllavi.
* Republika e Kosovës do të jetë fitore e madhe edhe për popullin shqiptar në Maqedoni, në “Serbinë e ngushtë” dhe në Mal të Zi, prandaj edhe përkrahet prej tij.
* Republika e Kosovës nuk u sjell asnjë të keqe popujve jugosllavë dhe federatës së tyre; përkundrazi ajo është dhe në interes të tyre dhe e forcon Federatën jugosllave.
* Kërkesa për Republikën e Kosovës është një e drejtë që buron edhe nga Kushtetuta e Jugosllavisë, një e drejtë që e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë në Jugosllavi. Dënimet që u jepen përkrahësve të kërkesës për Republikën janë të paligjshme.
* Kërkesa për Republikën e Kosovës nuk është kërkesë për ndryshimin e kufijve në Jugosllavi e Ballkan. Ajo nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara as me vendimin e Helsinkit dhe nuk sjell kurrfarë rreziku për paqen në Ballkan.
V.
* Për t’ia arritur këtij qëllimi, FPRK-së duhet të bashkojë në luftë për Republikën të gjitha masat popullore, punëtorët, fshatarët, zejtarët, rininë, gratë, inteligjencën revolucionare dhe elementë përparimtarë nga radhët e borgjezisë; të gjithë komunistët, patriotët dhe revolucionarët e vërtetë, pavarësisht nga bindjet politike e nga dallimet klasore, fetare e krahinore.
* Fronti Popullor për Republikën duhet të jetë jo një koalicion i paqëndrueshëm i krerëve të forcave të ndryshme politike, por një bashkim luftarak i pathyeshëm i të gjitha masave tona popullore; jo marrëveshje me fjalë në letër, por një bashkim në luftë e sipër; jo qëllim në vete, por një levë e rëndësishme për edukimin, obilizimin dhe organizimin e masave popullore në luftë për të drejta e liri.
* Bazë e Frontit duhet të jetë aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë, nën udhëheqjen e klasës punëtore dhe të pararojës marksiste leniniste të vërtetë, që do të dalë nga lëvizja komuniste në Kosovë, e cila po rritet, bashkohet e forcohet çdo ditë.
* Në Frontin për Republikën do të bëjnë pjesë të gjitha organizatat dhe grupet ilegale komuniste, patriotike e revolucionare, pavarësisht nëse janë ose jo për socializmin e vërtetë. Republika e Kosovës është në interes të të gjithë popullit të Kosovës, në interes të të sotmes dhe të së ardhmes së tij, prandaj në Front duhet të bëjnë pjesë të gjithë ata që janë për lirinë e Kosovës, për Republikën e saj.
* Në Frontin për Republikën mund të bëjnë pjesë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës, në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, në viset e tjera të Jugosllavisë apo kudo në botë. Fronti do të luftojë për lirinë dhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi.
* Republika e Kosovës është në interes edhe të popujve joshqiptarë në Kosovë, prandaj edhe ata duhet ta përkrahin kërkesën për Republikë dhe të përfshihen në radhët e Frontit.
* FPRK-së nuk do të ketë asgjë të përbashkët, por do të jetë kundër LKJ-së dhe organizatave tradhtare të masave si LSPP, LRS, LS, KKASHG etj., që janë vegla të shovinizmit serbomadh. Fronti do të luftojë për demaskimin dhe izolimin e udhëheqjeve të tyre tradhtare dhe për tërheqjen në anën e tij të masave të mashtruara e të manipu¬luara prej tyre.
* Në Frontin për Republikën nuk mund të bëjnë pjesë gjithashtu as grupet e organizatat fashiste e terroriste dhe agjenturat e ndryshme, që organizon reaksioni i jashtëm apo i brendshëm.
VI.
* Krahas luftës për Republikën, Fronti do të punojë edhe për organi¬zi¬min e luftës në çdo ndërmarrje, fshat, shkollë e fakultet, për mbroj¬tjen e të drejtave kombëtare, politike, ekonomike e shoqërore të klasës punëtore, fshatarësisë, rinisë, gruas, inteligjencës etj., për organizimin e rezistencës kundër plaçkitjes së pasurive të Kosovës, të luftës për mbrojtjen e kulturës materiale e shpirtërore të popullit tonë etj.
* Për realizimin e qëllimeve të tij, Fronti do të përdorë të gjitha for¬mat e luftës dhe organizimit, do t’i kombinojë e zëvendësojë ato në përputhje me kërkesat e situatës dhe të strategjisë së tij.
* Në veprimtarinë e tij, Fronti do t’i japë përparësi organizimit dhe luftës ilegale, por krahas kësaj ai do t’i shfrytëzojë gjerësisht edhe të gjitha format e mundshme legale.
* Fronti është kundër reformizmit dhe legalizmit borgjez dhe, nga ana tjetër, lufton kundër pikëpamjeve dhe metodave anarkiste e terroriste të luftës, të cilat e dëmtojnë rëndë dhe e komprometojnë luftën tonë të drejtë.
* Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për përçarjen e popullit tonë me anë të fesë, hakmarrjes, vëllavrasjes, etj.
* Fronti do të luftojë kundër përpjekjeve për armiqësimin e popullit shqiptar në Jugosllavi me Shqipërinë socialiste. Ai do t’i populla¬rizojë sukseset madhështore që po arrin në të gjitha fushat Shqipëria socialiste nën udhëheqjen e Partisë së Punës dhe të shokut Enver Hoxha. Fronti do të përpiqet për zhvillimin e marrëdhënieve sa më të ngushta e të gjithanshme mes popullit shqiptar në Jugosllavi dhe atij në Shqipëri.
* FPRK-së do të luftojë gjithashtu edhe kundër përpjekjeve të shovi¬nistëve serbomëdhenj për ta armiqësuar popullin shqiptar me popujt jugosllavë në Kosovë dhe në Jugosllavi. Fronti nuk i ngatërron po¬pujt jugosllavë me krerët e tyre shovinistë. Luftën e tij ai jo vetëm që nuk e drejton kundër proletariatit dhe popujve jugosllavë, për¬kun¬drazi, ai i konsideron ata si aleatë të tij në luftën për të drejta e liri.
* Duke ndjekur një politikë konsekuente internacionaliste, Fronti do ta lidhë luftën e tij me luftën që bëjnë popujt dhe proletariati i të gjithë botës për liri e socializëm dhe do të luftojë kundër imperiali¬zmit me atë amerikan në krye, kundër socialimperializmit sovjetik, kundër fashizmit dhe reaksionit të të gjitha ngjyrave.
Gusht 1981
(Teksti është marrë nga libri i Faridin Tafallarit, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 208-213).

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.