MBROJTËSIT E LIRISË SË SHPREHJES ME STANDARTE TË DYFISHTA

Mua më goditën në mes të sheshit. Aty ku buron demokracia. Aty ku mijëra qytetarë ngritën zërin e protestuan për të drejtat e tyre. Më goditi dora e shtetit. Ata të cilët paguhen nga taksat tona. Vetëm se u shpreha lirshëm dhe ashtu siç mendojnë me të drejtë shumica e qytetarëve. Më përgjakën e thanë të mos bëja makiazh me gjakun tim.

Bashkë me avokatin, Tomë V. Gashi, ngritëm kallzim penal ndaj njerëzve të Presidentit që ushtruan dhunë fizike e psikologjike në mua. Edhe pas shtatë muajsh goditësit enden të lirë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Edhe pse sulmi u filmua nga mediat. Nuk u ndërmorë asgjë (ose të paktën unë nuk kam informacion) sepse ata ishin njerëzit e Thaçit. E pastaj na thonë se Liria e Shprehjes është e garantuar me Kushtetutë. Ama, me gjasë vetëm si nocion.

Ju pëlqen!

Për aktin tim, mora mijëra mesazhe mbështetëse nga ana e qytetarëve të zakonshëm. Më thonin që ajo që kishin parë ishte tronditëse, më uronin shërim e shëndet të plotë dhe më ofruan përkrahje të jashtëzakonshme. Reagoi edhe Lëvizja Vetëvendosje! subjekti në të cilin jam aktivist për më shumë se një dekadë. E dënuan dhunën dhe u bën thirrje organizatave për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe politike, me demokracinë e lirinë e fjalës, që të reagojnë kundër arrogancës diktatoriale që po tentohej të imponohej nga Thaçi. Reagoi vetëm KMDLNJ.

Pjesa dërmuese e shoqërisë civile nuk reaguan. As AGK nuk e dënoi dhunën dhe tendencën për t’i marrë kamerën gazetarit, Jeton Sopa, i cili po e filmonte rastin. As vet Hashim Thaçi nuk e dënoi dhunën edhe pse ishte President, e roli i tij duhej të ishte unifikues. Ai nxiti urrejtje dhe bëri thirrje për tu goditur oponentët politik. “Dy duar për një kry janë, ai që pretendon me të goditë, unë jam për me goditë i pari”. Gjithashtu, sjelljen e njerëzve të tij e quajti profesionale. As për këto deklarime të presidentit, nuk iu dëgjua zëri këtyre “mbrojtësve” të lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut.

Pikërisht shoqëria civile e të tjerët që nuk reaguan për rastin tim, reaguan për rastin e sulmit ndaj “analistit”, Valon Syla. Mbrojtësit e lirisë së shprehjes me standarte të dyfishta. Po u drejtohem kështu për të mos i quajtur frikacakë, të cilët frikësohen nga pushtetari e vjellin vrerë ndaj një mërgimtari. Valon Syla i cili përdori gjuhë fyese e fashiste ndaj mërgimtarëve, u goditë nga një mërgimtar. U goditë sepse përqeshi në plotë deklarime publike mërgatën e cila është katalizator e mirëmbajtës i ekonomisë sonë. I quante gërnaça, të padijshëm e analfabetë vetëm se e votonin Lëvizjen Vetëvendosje dhe “përziheshin në punët e brendshme të Kosovës”. Për këtë gjuhë të urrejtjes e cila ndalohet me Kushtetutë, nuk u thirrë asnjëherë nga institucionet përkatëse, Valon Syla, të paktën për tu marrë në pyetje. Kur organet ligjore nuk funksionojnë, disa individë mund të priren kah vetgjyqësia.

Megjithëse, sulmet e tilla janë të papranueshme dhe duhet të dënohen, njëashtu duhet dënuar dhe gjuha fyese, gjuha e urrejtjes e tendenca për bullizëm ndaj komuniteteve të caktuara. E, sidomos ndaj mërgimtarëve që janë ndërgjegja e pastër e shoqërisë sonë, vlerë dhe krenari e kombit tonë./Veron Hasani/

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.