Nga Dietrich Bonhoeffer 

Marrëzia a çmenduria është një armik më i rrezikshëm kundër së mirës se ç’është e keqja a keqbërja. Kundër të keqes mund të ngritemi, ajo mund të zbulohet, në rast emergjence, atë mund ta parandalojmë edhe me anë të forcës; e keqja gjithmonë mbart farën e shkatërrimit të vet, sepse te njerëzit ajo krijon neveri.

Kundër marrëzisë A ÇMENDURISË ne jemi të pafuqishëm. Kundër saj nuk mund të arrijmë asgjë as me protesta as me anë të forcës; argumentet për të çmendurit e tillë nuk vlejnë, thjesht askush nga të tillët nuk u beson fakteve që flasin kundër mendimeve tashmë të formuluara që më parë – në raste të tilla i marri çmendurak madje është edhe kritik…

Përpos kësaj, i marri, për ndryshim nga horri a krimineli, është plotësisht i kënaqur me veten e tij: po, ai është edhe i rrezikshëm për shkak se shumë lehtë inatoset dhe nis e sulmon. Për këtë arsye, ne duhet të jemi më të kujdesshëm me të marrët e çmendur, se me njerëzit e këqij. Asnjëherë nuk duhet të përpiqemi ta bindim me argumente, sepse kjo gjë është e pakuptimtë dhe e rrezikshme.

Në mënyrë që ta dimë se si t’ia dalim në kyre me marrëzinë, ne duhet të përpiqemi ta kuptojmë thelbin e saj. Një gjë është e sigurt: ajo nuk është në thelb një defekt i intelektit, por i të qenit i njerëzishëm, humanizmit a i panjerëzishëm…

Ka njerëz të pajisur intelektualisht shumë mirë, të cilët janë të marrë, dhe intelektualisht të ngathtë, të cilët janë gjithçka tjetër, por jo edhe të marrë. Këtë gjë, për habinë tonë, ne e hasim në situata të caktuara.

Përshtypja se budallallëku a marrëzia qenka një dobësi e natyrshme, nuk është aq e bindshme, sikundër që njerëzit në disa situata bëjnë marrëzira, pra, ata e lejojnë veten të jenë të turbulluar, të dehur në veprime.

Dhe ne mund ta vërejmë, se njerëzit që jetojnë larg nga pjesa tjetër, të vetmuar, këtë të metë rrallë e hasim te njerëzit apo grupet e njerëzve që kanë nevojë për shoqërim ose janë të orientuar kësisoj.

Duket, pra, se marrëzia çmendurake është më tepër problem sociologjik se psikologjik. Ajo është rezultat i veprimit të rrethanave të caktuara historike mbi njerëzit, një fenomen psikologjik që shoqëron disa kushte të jashtme.

Nëse e vëzhgojmë më detajisht, duket se çdo zhvillim i fuqishëm  i jashtëm i forcës politike apo i tipit religjioz, ndikon te shumë njerëz me anë të kësaj çmenduri-marrëzie. Gjithsesi, sigurisht kjo tingëllon si një ligj socio-psikologjik. Fuqia e njërit varet nga marrëzia a çmenduria e tjetrit.

Asnjëherë, megjithatë, disa aftësi njerëzore, si bie fjala ato intelektuale, nuk janë duke u zvogëluar dhe as duke u zhdukur, por mbizotëron përshtypja se zhvillimi i forcave që ushtron ndikim te njerëzit e caktuar, ua merr atyre pavarësinë, autonominë vetjake – ata, pak a shumë në mënyrë të pandërgjegjshme, heqin dorë nga të qenit të pavarur në një situatë, në të cilën ndodhen.

Fakti se i marri i tillë çmendurak është shpesh kokëfortë, nuk mund të na tundojë që të besojmë se ai qenka i pavarur. Që në biseda me ta, do të vini re se ne nuk kemi punë me ta personalisht, por me sloganet, parullat etj. nga të cilat të tillët janë të robëruar plotësisht.

Ai është i fiksuar e i obsesionuar, i verbuar, i keqpërdorur, i manipuluar dhe i abuzuar me krejt qenien e tij.

Ai është kthyer në një mjet të pavullnetshëm dhe kësisoj ai është në gjendje të bëjë çdo të keqe të mundshme, e nga ana tjetër, ai nuk është në gjendje për ta konsideruar veprimin e tillë si një krim a si një të keqe. Këtu qëndron rreziku i abuzimit demoniak, që njeriun mund ta shkatërrojë përgjithmonë.

Përktheu: Prend Buzhala

—————————————–

*Dietrich Bonhoeffer  (1906-1945) është pastor luteran gjerman, teolog, disident anti-nazist. Duke iu kundërvënë diktatit nazist, kryesisht programit të Hitlerit mbi eutanazinë dhe gjenocidin ndaj Judenjve, ky pastor u arrestua në prill të vitit 1943 dhe u dërgua në një kamp përqendrimi. Ai u var më 9 prill 1945. Duke shtruar pyetjen se si është e mundur që pothuajse i gjithë kombi të dorëzohej për idetë e çmendura të Hitlerit, Bonhoeffer Dietrich, luftëtar gjerman kundër nazizmit, shkroi këtë analizë të fenomenit të marrëzisë/çmendurisë njerëzore.

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur