Mbi kosmologjinë e Platonit

Nagip Syla

Me fjalën kozmos nënkuptojmë tërësinë e formave të materies, që lëviz në kohë dhe në hapësirë, që ndryshe njihet si gjithësia ose universi, si një sistem i organizuar, thënë shkurt bota. Mendohet se kjo fjalë rrjedhë nga rrënja *ḱens- e proto-indo-evropianishtes, që ka kuptimin “shpall, vë rregull”, që ka dhënë fjalën paragreke *kónsmos , nga e cila kemi: κόσμος (kósmos). Por, studiusi etimolog Albert V. Nikolla i cili jeton dhe vepron në Belgjikë, jep një shpjegim interesant për fjalën “kozmos”, që sipas tij ka kuptimin: “koha zë masë”. Fjala “zë” është folje jokalimtare: filloj, nis, por ka edhe kuptimin: zuri (bima); ka zënë farë (pema), etj.

 

Thuhet se Pitagora ishte i pari që e përdori këtë fjalë për “universin”, ndoshta fillimisht në kuptimin “kupa qiellore”, por që më vonë u shtri në të gjithë botën fizike, duke përfshirë edhe tokën. Por, akti ose procesi i krijimit, që nga mitologjitë e lashta dhe religjionet, nga një perëndi krijuese ose një numër më të madh hyjnish, me shpjegime të shndërrimit të kaosit në rregull, gjithmone ka qene teme edhe e mendimeve filosofike.

 

Keshtu, edhe në veprën kryesore të kosmologjisë së Platonit, Timaeus, viti 360 p.k. thuhet se “krijuesi” i kozmosit ishte një demiurg, që për disa paraqet një simbol të arsyes kozmike, ndërsa për të tjerët paraqet një hyjni të rangut më të ulët. Demiurgu mori si model botën e përjetshme dhe të përsosur (ideale) dhe krijoi botën fizike (materiale), nga forma ose trajta, që ishin në një gjendje të çrregullt (kaosi). Por, e gjithë kjo lidhet me mendimin se kjo nuk do të mund të bëhej pa ndihmën e nous (paragreke: νοῦς “mendje” ose “intelekt”), që në filozofi njihet si aftësia e të kuptuarit intelektual dhe e mendimit intuitiv. Ndonjëherë identifikohet me intelektin më të lartë, ose hyjnor.

 

Nisur nga kjo, nëse fjalës “nous” ose “noos”, i largojmë prapashtesën, fitojmë “no”, që në aspektin e aftësisë së të kuptuarit, mund të merr kuptimin “njoh, njohuri” (hyjnore). Ndërsa, fjala “demiurg” thuhet se rrjedhë nga greqishtja e lashtë: δημιουργός (dēmiourgós, “ai që punon për njerëzit, një punëtor i aftë, një mjeshtër”). E tërë kjo mendohet se rrjedhë nga proto-indo-evropianishtja  *deh₂mos  (“popull”), ose nga *deh₂- (“me nda”)  + greqishtja e lashtë -ουργός (-ourgós, “punëtor”).

 

Në një anlizë që i bëhet librit të autores G.R. Carone, me titull “Plato’s Cosmology and its Ethical Dimensions“, analisti Wiliam Prior shkruan se një nga tezat dytësore të autores është që “demiurgu i Timaeus është një simbol i arsyes kozmike dhe jo një agjent shkakësor aktual”, me të cilën ai nuk pajtohet.

 

Kjo bënë të mendohet se në Timaeus, termi “de+mi+urg” rrjedhë pikërisht nga shprehjet: δημι (“di me”) + ουργός (“argat”). Fjala “argat” është fjalë që përdoret për një punëtor krahu, zakonisht në një arë (tokë punuese) dhe në ndërtim. Fjala ουργός rrjedhë nga rrënja έργο (érgo) “punë, vepër, krijim”, kështu që kemi shprehjen në formën: “di me argu”, në kuptimin e atij që di të punoj punën e “arkitektit” të kozmosit.

 

Sipas W. Prior, autorja Carone, në filosofinë e Platonit sheh ndarjen e realitetit në katër klasa: e pakufizuara, kufiri, kombinimi i të dyjave dhe shkaku i kombinimit, që thuhet se është mendja.

 

Me pakë fjalë, sipas saj, mendimi kozmologjik i Platonit mund të permblidhet në:

 

  • E pakufishmja, që sipas Platonit është “e Mira” Ideale, e tërësuar në “Një”; το ἕν (“the One”), ἕν (hen), “një”.
  • Kufizimi, Demiurgu është model i botës reale, të përceptueshme sipas modelit të ideve, por megjithatë kjo e kufizon sepse ai nuk është vetë “i Vetmi” (“the One”).
  • Kombinimi i dyjave, Demiurgu mori si model botën e përjetshme dhe të persosur të “formave” ose ideve, per të krijuar botën materiale.
  • Mendja, që thuhet se është shkaku i kombinimit të dyjave, νοῦς (nous), “njohuria, dija”.

 

Përndryshe, thuhet se fjala Timaeus paraqet grimcat ose “elementet” më të imëta të materies, që në filosofinë e Platonit kanë formën e figurave të vogla gjeometrike, nga të cilat u formua kozmosi. Po të shiqohet pjesa e parë e kësaj fjale “Tima”, ajo lidhet me kuptimin “të imëta”. Edhe ne fjalorë thuhet se me fjalën “Tima” emërtohen të lashtat me fara të imeta si gruri, elbi, tërshëra dhe thekra.

 

Filosofia e Platonit është studiuar dhe diskutuar edhe shumë shekuj pas tij, perfshirë tërë periudhën romake, ndërsa thuhet se ka patur ndikim edhe në disa rryma filosofike fetare te antikitetit të vonshëm. Sipas analizës së lartëpërmendur, ajo vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë temë e analizave dhe diskutimeve.