***LETER E HAPUR*** mbi “Ballkanin e Hapur”!

Drejtuar intelektualëve, politikanëve, gazetarëve, shoqërise civile dhe çdo shqiptari që ka kurajon të kërkojë se çfarë do të bëhet me të ardhmen e vendit të vet!

Në një vend ku Kryeministri çon gazetarët “e pabindur” në riedukim apo zhduk çdo koment kritik duke u bllokuar fjalën qytetarëve të vet, kushdo që ka një zë publik duhet ta përdorë sot më fort se kurrë!
Më poshtë një Letër e Hapur drejtuar atyre që nuk u është mohuar akoma e drejta e fjalës, me thirrjen për të reaguar sot, sepse “Ballkani i Hapur” kështu si po na serviret, pa transparencë e asnjë studim, nuk është një lojë por një aventurë fundi i së cilës mund të jetë i hidhur për shqiptarët.

Ju pëlqen!

Të nderuar bashkatdhetarë,

“Ballkani i Hapur” është një nga termat dhe temat e nxehta që po qarkullon prej kohësh në mjedisin mediatik dhe politik shqiptar.
Për një qytetar të zakonshëm, me informacionin e dhënë deri tani, “Ballkani i Hapur” është një nismë jo-transparente, me përfitime të paqarta për shqiptarët në Ballkan, me presion të pamerituar ndaj Kosovës, me objektiva të pashpjeguara dhe me “aktorë” të çuditshëm pozicioni dhe përgjegjësia e të cilëve është e paqartë për shqiptarët.

Deri tani publikut, politikës e parlamentit të Shqipërise nuk i është ofruar asnjë studim në të cilin të artikulohen qartë përfitimet dhe kostot e një ndërmarrjeje të tillë e cila mund të ndryshojë përgjithnjë balancat ekonomike e politike në Ballkan.

Besojmë fort se çdo shqiptar i mire është në mbështetje të plotë të nismave të bashkëpunimit reciprok dhe fqinjësisë së mirë midis gjithë vendeve në rajon. Gjithsesi, historia na ka treguar që vendime për bashkëpunime të këtij niveli duhet të jenë të mirëstudiuara nga ekonomistë, politikanë, historianë, sociologë dhe eskpertë të fushave nga më të ndryshmet.
Për këtë arsye, nismat rajonale të bashkëpunimit të cilat bëhen nën mbikqyrjen e garantëve seriozë, në bazë studimesh e me instrumenta mbështëtes për vendet më të dobët , sic është për shembull “Procesi i Berlinit” nën mbikqyrjen e organizmave të BE, janë të mirëpritura dhe shikohen me optimizëm.

Ndryshe ndodh me projekte e nisma të cilat bëhen me dyer të mbylluara, pa studime të mirëfillta dhe që i serviren publikut si dëshira personale të liderëve të cilët gjithsesi janë të përkohshëm në historinë e një vendi.

Kjo letër është një thirrje e hapur që i drejtohet të gjithë shqiptarëve që kanë një zë publik, që ta përdorin atë, me forcë dhe insistim, për të kërkuar më shumë transparencë dhe debat publik përsa i përket kësaj nisme që mund të ndryshojë balancat në Ballkan dhe më gjerë.

Dy javë më parë, përpjekja jonë dhe e shumë qytetarëve që kërkonin transparencë u bllokua në mënyrë brutale nga Kryeministri shqiptar i cili u hoqi mundesinë shumë prej nesh për të shprehur pakënaqësinë me nismën në faqën e Facebook të Kryeministrit.

Reagimi ynë qytetar shprehte shqetësimin për:
1. Mungesën e transparencës lidhur me motivet, nismëtarët dhe mënyrën sesi kjo nismë do të ndikojë ekonominë dhe politikën rajonale;
2. Presionin dhe minimin që po i bëhet përpjekjeve për njohjen e Kosovës;
3. Arrogancën që po tregohet dhe imponimin që po u bëhet shqiptarëve për një nismë të paqartë, të padebatuar gjerësisht në publik dhe me aktorë me role të pasqaruara (siç është Aleksander Soros) të cilët gjenden në krah të liderëve të Ballkanit sa herë që bëhen takime të nivelit të lartë, por pa sqaruar cfarë pozicioni kanë dhe mbi të gjitha cfarë përgjegjësie mbajnë në rast se gjërat nuk shkojnë në mënyrën e duhur.

Pasi Kryeministri na bllokoi mundësinë e shprehjes, në mediat e veta sociale, duke qënë të shqëtësuar për efektin që “Ballkani i Hapur” mund të ketë për të gjitha arsyet e shprehura më lart, në pozitën e shqiptareve te zakonshëm ju bëjmë thirrje të gjithë intelektualëve, politikanëve, gazetarëve e shoqërise civile që të bëhen zëri i shqiptarëve të thjeshtë, të cilët për shumë arsye nuk kanë mundësi t’u dëgjohet fjala apo shqetësimi.

“Ballkani i Hapur” në fakt duket si një biznes i mbyllur, ku një grup i vogël njerëzish vendosin për fatet e një kombi dhe brezave që do të vijnë.

Ju intelektualë, politikanë, artistë e aktivistë shoqërise civile që keni një zë publik në Shqipëri, Kosovë e kudo, bëhuni zëri i shqiptarëve të thjeshtë!

Në cdo dalje publike, media sociale, televizione, konferenca shtypi kundërshtoni mënyrën sesi po i imponohet “Ballkani i Hapur “shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës duke minuar edhe përpjekjet e kësaj të fundit për njohje ndërkombëtare.

Ju që keni zë publik, ju lutemi të pyesni në emër të shqiptarëve të thjeshtë, te jepni alarmin në emër të tyre, të kërkoni llogari edhe për ta, të protestoni fort për ta… tu jepni zërin tuaj atyre që nuk e kanë.

Koha për të folur është tani. Më vonë do të jetë shumë vonë!

Me respekt,

Iva Grillo dhe Erisa Bajaziti

Dy shqiptare nga diaspora

#ballkanihapurballkanikapur

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.