Kosova dhe Serbia i janë rikthyer dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me udhëheqës të palëve, kryeministrin Avdullah Hoti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, por ata janë të pabarabartë për kah fuqia politike dhe legjitimiteti përfaqësues, vlerësojnë analistët shqiptarë dhe serbë.

Përfaqësues të opozitës dhe analistë të çështjeve politike në Kosovë, vlerësojnë që kryeministri Hoti, për shkak të qeverisë së brishtë dhe opozitës së fuqishme në Kosovë, nuk do ta ketë legjitimitetin e mjaftueshëm për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Ndërkaq, analistët serbë, vlerësojnë që Vuçiq, partia e të cilit tashmë ka shumicën prej dy të tretave të ulëseve në Parlamentin e Serbisë, mund “të shtyjnë” çfarëdo marrëveshje dhe ta ratifikojnë atë.

Ju pëlqen!

Zyrtarët e Bashkimit Evropian, në disa raste kanë theksuar që e respektojnë faktin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili deri më tash, në emër të Kosovës ka udhëhequr bisedimet me Serbinë, ishte angazhuar që procesi i dialogut të kalojë në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se, siç kishte thënë, Brukseli e ka humbur kredibilitetit në këtë proces, por edhe në raportet me Kosovën.

Në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga viti i kaluar është përfshirë edhe i dërguari i presidentit amerikan, Richard Grenell, i cili deri më tash ka arritur t’i sigurojë tri marrëveshje në letër, për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore, si dhe për autostradën Prishtinë-Beograd.

Ndërmjet dy palëve, më 27 qershor, ishte caktuar takimi në Shtëpinë e Bardhë , i cili tri ditë para se të mbahej është shtyrë , për shkak të njoftimit për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë.

Nagavci: Pafuqia e Hotit për marrëveshje në dialog, e pafavorshme për Kosovën

Në ditën e enjte, kur kishte rinisur dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, më 16 korrik, Thaçi po e përfundonte intervistimin katërditor para prokurorisë në Hagë. Në Bruksel, ai nuk ishte i ftuar.

Ndërkaq, në Kosovë, kryeministri Hoti nuk e ka mbështetjen politike për vazhdimin e dialogut. Në krye të vendit është qeveria e tij, e cila është miratuar me votat e 61 deputetëve nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës, ndërkohë që ekziston opozita e fortë e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kryeministri Hoti, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të tetorit të vitit 2019, ka fituar 26.094 vota dhe në listën e kandidatëve më të votuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është renditur i pesti. Kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, kishte marrë 176. 016 vota, ndërkaq që vota më shumë se ajo, kishte marrë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjithsej 183.952.

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se faktorët gjeopolitik aktual, por edhe pafuqia e kryeministrit Hoti, jo vetëm në politikën e jashtme , por edhe në planin e brendshëm, për shkak të brishtësisë së qeverisë së tij, e vë Kosovën në situatë të pafavorshme në dialog me Serbinë.

Siç thotë Nagavci, kryeministri Hoti nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për çështjet, të cilat nuk është në gjendje t’i shtyjë tutje në interes të vendit, duke pasur parasysh edhe rolin dhe fuqinë e opozitës.

Ajo shpreh mendimin që madje nuk do të ketë së shpejti as marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga e cila, njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati më i paktë që duhet të dalë.

“Hoti, për këtë as nuk është i përgatitur e as nuk ka një platformë, një ekip dhe të tjera si këto, si dhe nuk e ka legjitimitetin as brenda vendit. As në kuadër të koalicionit të tij qeverisës nuk e ka fuqinë, por as në raport me gjithë spektrin politik, përfshirë këtu edhe opozitën”, thekson Nagavci.

Krasniqi: Hoti nuk do të jetë i vetëm në dialog

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për radion Evropa e lirë, thekson që shkuarja drejt përfundimit të dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, nuk do të mund të bëhet vetëm nga partitë të cilat janë në pushtet.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.