Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) nënshkruan këtë të hënë në Tiranë marrëveshjen e themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një komunikatë për publikun, KOSTT tha se marrëveshja u nënshkrua me dijeninë e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Kjo marrëveshje parashikohet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020.

Ju pëlqen!

Në komunikatën zyrtare shkruhet se ky bashkëpunim ka si qëllim kryesor operimin më të lehtë në aspektin teknik dhe ekonomik të dy sistemeve elektroenergjetike:

“Operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektroenergjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve.”

Gjithashtu në komunikatën shkruhet se ky lloj bashkëpunimi do të mundësojë edhe sjelljen në jetë të Bursës së përbashkët energjetike mes dy vendeve:

“Me këtë, fillon bashkëpunimi i parë konkret i shkëmbimit të rezervave në kuadër të dy tregjeve energjetike Kosovë-Shqipëri me synimin e mëtejmë për jetësimin e Bursës së përbashkët të energjisë (APEX) në kuadër të së cilës do të mundësohet që edhe palët e tjera tregtare të bëhen pjesë e bursës që do të themelohet së shpejti.”

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-së theksoi se kjo marrëveshje historike i garanton Kosovës daljen nga blloku rregullues energjetik i Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë:

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me OST (Shqipëri) dhe fillimin e implementimit të saj në prill të vitit 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe EMS dhe bëhemi pjesë e Bllokut Rregullues me OST Shqipëri, ku me implementimin e kësaj marrëveshje rritet dhe garantohet siguria e operimit dhe balancimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, sipas standardeve të kërkuara nga ENTSO-E.”

Nga krahu tjetër z.Skerdi Drenova, Administratori i përgjithshëm i OST theksoi se krijimi i Bllokut të Kontrollit “OST-KOSTT” garanton sigurinë e operimit për të dy Sistemet Elektroenergjetike dhe krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda Bllokut.

SCAN

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!