Asamblisti i New Yorkut, Mark Gjonaj, u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve në mbarë botën të bojkotojnë produktet serbe. Ka thënë se lufta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ende nuk ka përfunduar pasi ende nuk janë dënuar kriminelët serbë që kanë vrarë mbi 10 mijë shqiptarë, kanë dëbuar 1 milion banorë nga Kosova dhe kanë dhunuar mbi 20 mijë persona.

Në një bisedë, Gjonaj ka thënë se shqiptarët duhet të vazhdojnë lobimin për Kosovën dhe Shqipërinë dhe të mos mendojnë se kanë përfunduar ndihmën për atdhe.

“Më së paku që mund të bëjmë është që gjithë shqiptarët të bojkotojnë produktet serbe. Duhet të rigrupohemi dhe të bëhemi bashkë kundër Serbisë. Ne po përkujtojmë 20 vjetorin e luftës, të masakrave që kanë kryer serbët në Kosovë”, ka thënë Gjonaj.

Mark Gjonaj është në një vizitë bashkë me anëtarët e Batalionit Atlantiku, ku disa shqiptarë ishin ardhur nga Amerika dhe ishin bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se produktet serbë duhet të bojkotohen edhe për shkak se ende më shumë se 1600 shqiptarë vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe nuk u janë gjetur eshtrat.

“T’i bojkotojmë produktet e Serbisë, në emër të viktimave dhe të të zhdukurve. Serbët duhet të dalin para drejtësisë për krimet e bëra në luftë, kurse në botën tjetër do të dënohen nga Zoti”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe. Më shumë se pesë muaj kanë kaluar kur një pjesë e madhe e produkteve të Serbisë dhe Bosnjës janë bllokuar të hyjnë në shtetin e Kosovës.

Mark Gjonaj u ka bërë thirrje edhe shqiptarëve tjerë në rajon të bojkotojnë produktet serbe. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress