Maria Tuçi u lind më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz, Mirditë dhe ishte e bija e Nikollë Mark Tuçit dhe e Dilë Fushës. Ka qenë nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër dhe më pas u bë mësuese në internatin e Oroshit.

Maria dallohej për shpirtin luftarak e human dhe dëshirën për t’u transmetuar dije të tjerëve. Në vitin 1946, sistemi komunist ndërmori një sërë masash persekutuese ndaj atyre që ushtronin besimin fetar. Maria i dënoi këto veprime duke u shprehur kundër poshtërimit që i bëhej kishës katolike nga komunistët. Ajo u arrestua më 10 gusht 1949, në kohën që pritej t’i bashkohej urdhërit të motrave stigmatine si murgeshë. Pas një raprezalje të sistemit komunist të asaj kohe, lindur nga ekzekutimi i Bardhok Bibës sekretar i partisë komuniste në Mirditë, familjet më të dëgjuara të kësaj zone u dënuan, përfshi dhe ajo e Gjonmarkajve, të cilës Maria i përkiste.

Në të njëjtën ditë u arrestua dhe vëllai i saj, Mark Gjonmarkaj, i cili nuk e pa më as të gjallë, as të vdekur Marien. Në qelinë e burgut nuk hynte drita e diellit, ishte ftohtë dhe me shumë lagështirë.

Një e burgosur, Olimbi Baruti, e cila ndau qelinë me Marijen tregoi se në qeli nuk kishin ndërresa, dhe vetëm një herë të afërmit e Maries u lejuan të sjellin rroba për të, e ajo i ndau me shoqen e saj. Një tjetër dëshmitare e asaj kohe, Vita Matlia, e cila ndau dy muaj të dënimit me të, shprehej se e vetmja mënyrë për t’u ngrohur në qeli ishte përqafimi me njëra-tjetrën.

Shefi i sigurimit të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili u magjeps nga bukuria e 22 vjeçares dhe mendoi se mund te abuzonte me të sipas dëshirës, por kur hasi në rezistencën e saj, ai vendosi ta torturonte në mënyrën më çnjerëzore.

E mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën atë me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej. U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej. Nga spitali i burgut u dërgua në spitalin civil dhe ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë, mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere. Në fillim ajo nuk e kishte njohur. Asaj Maria i ishte shprehur se shefi i sigurimit e kishte çuar deri në fund fjalën e tij, kur i kishte thënë se “do të të katandis aq sa të mos njihesh”.

Maria Tuçi vdiq në spitalin e Shkodres, më 20 shtator të vitit 1950, në moshën 22 vjeçare, dhe ishte e vetmja grua që renditet mes 40 martirëve të parë të kishës katolike shqiptare./Albfem

Historisë së saj të dhimbshme, poeti Meti Fidani ia kushtoi edhe një poezi:

PO VDES NANË, SOT PO VDES

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kan futur në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kan mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfushë
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nanë, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes.

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]