Institucionet e Maqedonisë së Veriut thonë se gjendja me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është e qëndrueshme, andaj edhe besojnë se nuk ka nevojë për rikthimin e masave kufizuese apo vendosjen e masave të reja.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka deklaruar se periudha që nga paraqitja e rasteve të para e deri te rritja e tyre në masë të madhe ka dëshmuar se masat kufizuese mund të jenë efikase, por vetëm për një afat të shkurtër meqë pas çdo heqje të kufizimeve janë paraqitur raste të reja. Andaj, sipas tij, me këtë sëmundje shtetet mund të përballen vetëm duke i respektuar masat mbrojtëse.
“Karantina nuk është masë adekuate. Ne kemi masa, të cilat nëse respektohen, do të kemi një situatë shumë më të mirë. Çdonjëri prej nesh duhet të mbajë maskë, të ruajë distancën në vende publike ku ka më shumë njerëz, apo në vende të mbyllura, në punë, në institucione, zyra e kështu me radhë. Kufizimi i lëvizjes nuk është zgjedhje e përhershme. Për një moment mund të duket si zgjidhje, por vetëm përkohësisht meqë pas çdo lirimi të masave, paraqiten raste. Virusi është këtu dhe ne duhet të mësohemi të jetojmë me të, por duke i respektuar masat mbrojtëse”, ka deklaruar Filipçe.
Veç kësaj, ministri i Shëndetësisë, FIlipçe, paralajmëron edhe heqjen e të gjitha kufizimeve në pikat kufitare, respektivisht heqjen e testeve PCR, vendim ky që vlen për shtetasit e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe ata të Bosnjës.
“Këtë fundjavë në seancën e Komisionit për Sëmundje Infektive do të bisedojmë për hapjen e kufijve. Vendimi do të bazohet në analizat mbi gjendjen aktuale në gjithë rajonin ku kemi thuajse vlera të njëjta epidemiologjike. Ja tani po hapen edhe aeroportet në të gjitha shtetet, kuptohet duke i respektuar masat mbrojtëse, maskat, distancën dhe higjienën”, ka thënë Filipçe.
Maqedonia e Veriut, aktualisht, ka të regjistruar më shumë se 9,400 persona të infektuar me COVID-19, prej tyre deri të mërkurën 432 kanë vdekur, 4,940 janë shëruar ndërsa 4,040 ende janë aktiv.