Presidenti francez, Emmanuel Macron, thotë se e kupton tronditjen e myslimanëve për karikaturat e profetit Muhamed, por nuk mund të pranojë kurrë që ato të përdoren për të justifikuar dhunën. Në një intervistë për “Al Jazeera”-n të shtunën, ai u përpoq të sqaronte pozicionin e tij mbi islamin dhe të qetësonte tensionet që u ndezën pas vrasjes së një mësuesi, i cili u tregoi karikaturat e Muhamedit nxënësve të tij.

“Unë e kuptoj dhe respektoj që mund të tronditemi nga këto karikatura. Unë kurrë nuk do të pranoj që mund të justifikojmë dhunën fizike për këto karikatura dhe në vendin tim do të mbroj gjithmonë lirinë e mendimit, lirinë për të shkruar dhe vizatuar”, tha Macron.

Ai theksoi se shtypi francez është i lirë të botojë atë që dëshiron dhe se ajo që botohet nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të qeverisë.

“A mendon presidenti se duhet hequr kjo e drejtë? Përgjigjja është jo, sepse kjo është e drejta e popullit francez”, tha ai.

Sa u takon deklaratave të tij të ditëve të fundit, Macron tha se disa kanë përhapur “gënjeshtra dhe shtrembërime” për ato që ai ka thënë. Disa ditë më parë, presidenti francez tha në një fjalim se “Islami është në krizë” dhe shtoi se do të merren masa të reja për të luftuar islamizmin radikal në Francë. Ai e përforcoi këtë qëndrim pas ngjarjes që 16 tetorit, kur një mësuesi iu pre koka, pasi u tregoi nxënësve karikaturat e profetit Muhamed gjatë një ore mësimi mbi lirinë e shprehjes. Komentet e Macron u pasuan me protesta anti-franceze në vendet me shumicë myslimane dhe me bojkot të produkteve franceze. Tre sulme kanë ndodhur që prej asaj kohe duke përfshirë një sulm vdekjeprurës me thikë në një kishë në Nisë.

“Kam parë shumë njerëz në ditët e fundit që kanë thënë gjëra të papranueshme për Francën, duke vërtetuar të gjitha gënjeshtrat e thëna për ne, për ato që kisha thënë dhe duke u bërë bashkëpunëtorë të heshtur deri me më të keqen”, tha ai për Al Jazeera.

Franca, tha ai, nuk po lufton islamin por islamizmin radikal.

“Sot, në emër të islamit dhe duke shtrembëruar këtë fe, ekstremistët e dhunshëm po bëjnë më të keqen”, shtoi ai.

Ai vuri në dukje se shumica dërrmuese e viktimave të terrorizmit gjatë katër dekadave të fundit kanë qenë myslimanë dhe argumentoi se masat për të cilat foli herën e fundit kanë për qëllim të mbrojnë edhe qytetarët francezë të besimit mysliman. Masat e qeverisë franceze për të frenuar islamizmin radikal përfshijnë fundin e një sistemi që lejon imamët të përgatiten jashtë vendit, më shumë transparencë në financimin fetar dhe kërkesa të reja për shkollimin në shtëpi.

“Kudo këto javë të fundit në botën myslimane, janë shtrembëruar deklaratat e mia, janë thënë gënjeshtra. Është thënë se Presidenti i Republikës Franceze dhe si pasojë edhe vetë Franca, ka një problem me Islamin. Jo, ne kemi nuk ka problem me Islamin. Asnjë”, tha ai.