Ma gjeni Prishtinën e Migjenit
Një përqasje historike në antropologjinë e një qyteti

Durim Abdullahu

“Ma gjeni Prishtinën time” – do të mund të ishte nëntitulli i mbase të parës analizë të shkruar pas votimit në Kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, shkruar nga Migjen Kelmendi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Nëntitulli, sepse titulli duket të jetë vendosur me shumë bindje, andaj me shkronja kapitale: “LAŽNI CAR ŠĆEPAN MALI”. Shqip do të ishte: “Perandori i rremë Stefani i Vogël”. Por, siç sugjeron dhe vetë autori i analizës me këtë emër-titull, mes kllapash, (për këtë figurë më vonë).

Ju pëlqen!

Që në fillim, statusi-analizë shtrohet si një shkrim pasionant, gulçim i hapur i postuesit të tij që e nis me këto fjalë: “Gjate krejt kesaj kohe, jam permbajt ne gjykime dhe vleresime te veprimeve te Albin Kurtit, per mos me ja prishe egzaltimin e tij me fitoren ne zgjedhjet e 6 Tetorit”. Pas titullit në serbisht, shkrimi vazhdon me një gjuhë personale, sipas parimit ‘të shkruash siç flet’. Duke kujtuar debatet publike të autorit për shqipen, ku ai prej kohësh rri i rreshtuar si partizan i gegnishtes, gjuha e këtij shkrimi s’do të duhej të bënte përshtypje. Por si ligjërues i kursit të etnolinguistikës në Departamentin e Antropologjisë së Universitetit të Prishtinës, më vjen ta shoh edhe nga ky prizëm: kjo gjuhë mbartë me vete edhe një subkulturë; mbiemrat e saj do të mund të ishin: ‘urbane’, ‘qytetare’, ‘shehri’, ‘snobe’, ‘moderne’ apo ‘nostalgjike’, të kombinuara me ndonjë të përafërm më specifik, por që, asnjë nuk i rri tamam.

Pasi gjykon punën e Kryeministrit Albin Kurti, duke huazuar të vetmen fjalë në shqip që është mbajtur në mend, e thënë nga një ish-ambasadore e huaj në Kosovë, e që pati lënë nam me të, ai vë në pah hallin e tij: “Dhe nuk asht puna se deshtoi e iku, se Kurti na shfaqi nji talent prej aktori e drama queen’i, po se çka i bani Prishtines.” E tëra që pason, është kryesisht një vajtim, habi dhe shfryerje se si u bë që prishtinasit e votuan Albin Kurtin për kryeministër. Epitetet që ai përdor për këtë lider politik, janë brenda mendësive politike të partisë ku ai u anëtarësua një muaj para zgjedhjeve të fundit. Rezultati: kjo parti doli e treta, kurse vetë ai dështoi të bëhej deputet, me një numër pallogaritshëm të vogël votash. Të dala nga diskursi i PDK-së, kundërshtares më të madhe politike të Kurtit, këto epitete e gjykime janë krejt të kuptueshme dhe si të tilla s’kanë pse të merren në shqyrtim, bashkë me patetizmin e tyre autentik.

Prishtina! Për ata që duan ta shmangun leximin e plotë të shkrimit të Kelmendit, kumti i tij është përmbledhur në një paragraf të tij: “Qysh arriti ky njeri me kompromitue dhe çnderue Prishtinen qe e njoh une, qysh e manipuloi dhe trulloi Prishtinen qytetare, Prishtinen e nomenklatures se Krahines Socialiste Autonome te Kosoves (KSAK), Prishtinen europiane ne orientim, nji populist i rendomte, qe e valonte Flamurin kombetar, e fliste per Bashkimin me Shqipnine?”

Duke mos dashur ta kuptoi dhe pranoi emancipimin politik të qytetarit të Kosovës, përfshi dhe atij të Prishtinës, përkthyer në vota për forca politike të para gjerësisht si të pakorruptuara dhe më të dinjitetshme për të qeverisur me Kosovën, se sa partia e tij, ai e shtyen veten të thellohet në hullinë e kësaj habie, mbase edhe të sinqertë, por krejt në shpërputhje me realitetin aktual dhe historinë e Prishtinës. Prishtina e Nomenklaturës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, së cilës të paktën kulturalisht ai vetë i ka takuar, nuk ka qenë asnjëherë shumica e Prishtinës, edhe kur ka qenë kastë dominante. Madje, politikisht, kjo nomenklaturë, shpesh është quajtur edhe grupi i Gjakovës. Të tjerat i di vetë!

Prishtina autentike qytetare, trashëgimtare e asaj fisnikërie të oxhaqërisë shqiptare, e prejardhur nga dekadat e mbrama të kohës osmane, ruante kujtimin për deputetin e saj në parlamentin osman, Hasan Prishtinën dhe për përfaqësuesin e saj në paralamentin shqiptar, Hoxhë Kadri Prishtinën. Jugosllavia komuniste, vërtetë e ktheu Prishtinën në kryeqytet të asaj krahine, por përtej arkitekturës socialiste asnjëherë nuk arriti ta tjetërsonte politikisht në thelbin e saj. Kjo sepse Prishtina është edhe vendlindja e Murat Mehmetit, të vrarë në demonstratat e vitit 1968, në Prishtinë. Prishtina është para se gjithash dhe mbi të gjitha e atyre mijëra njerëzve të saj që ia patën mbushur rrugët në demonstratat e viteve 1981, 1989 e 1990. Pikërisht në këtë kohë, kur Migjen Kelmendi me grupin “Gjurmët” ishte bërë i njohur si artist, teksa i këndonte trenit për Prizren, më 2 nëntor 1989, në lagjen “Bregu i diellit” të Prishtinës, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu u vranë nga policia serbe pas një rezistence dhjetë orëshe. Legalisht kryeqendër administrative e KSAK-së, ilegalisht, Prishtina ishte qendër e dhjetëra lëvizjeve ilegale që shtypnin e shpërndanin trakte e revista kundër regjimit komunist jugosllav. Prej këtyre lëvizjeve ilegale derivon edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, drejtuesit e dikurshëm të së cilës mbushin gjysmën e forumeve të partisë së Kelmendit, përfshi dhe Sami Lushtakun, bashkë me të cilin së fundi të dy u zgjodhën anëtar të ri në kryesinë e PDK-së. Do të ishte shumë e vlefshme për publikun që përfoli nëpër facebook shkrimin e tij, të dinin se a do të kishte kurajo Kelmendi t’i shpaloste këto mendime të tij edhe në kryesinë e PDK-së, në selinë e saj në qendër të Prishtinës. A thua ç’përgjigje do të merrte nga ish-eksponentët e UÇK-së si Kadri Veseli dhe Sami Lushtaku, për tisin jugonostaligjik të këtyre mendimeve bruto e të pakrehura. Do ta (mirë)kuptonin ata bashkëpartiakun e tyre prishtinali?! Nëse po, a do të kishte ai guximin të vetëpropozohej si kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale, pas rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit?! E thënë prishtinçe: Let’s see!

Prishtina është edhe qendra e lëvizjes studentore të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, që më 1 tetor 1997, organizoi protestën e 1 tetorit që e bëri Kosovën lajm ndërkombëtar, si vendi europian që u ngrit kundër aparteidit dhe segregacionit të qeverisë fashiste të Millosheviqit. Pikërisht kjo lëvizje, e nxori nga anonimati Albin Kurtin, studentin që me pamjen dhe anglishten e tij, mishëronte autenticitetin e të riut shqiptar të Prishtinës së viteve të fundit të Jugosllavisë. Ajo që pasoi, (supozohet që) njihet. Tragjedi e quan Kelmendi faktin që qytetarët e Prishtinës i besuan këtij njeriu. Por ja që edhe ai është i Prishtinës. I lindur, i rritur, i shkolluar, i burgosur, i votuar dhe i zgjedhur kryeministër në Prishtinë. Fakt dhe ky! Për mua si historian, fakt me një peshë historike, për historinë politike të Kosovës. Në sytë e Migjenit, Kelmendit, Albin Kurti shihet si “elefanti në dhomë”, kur thotë që “Prishtina nuk e pa ate qe dokej ashiqare: se Albin Kurti ishte vetem nji – “Lažni car Šćepan Mali”. Nji aktor.” Në këtë pikë, ai keqlexon historinë: të vonën dhe të vjetrën. Kjo, teksa përqas origjinën familjare nga Mali i Zi të kryeministrit prishtinas, me një figurë nga historia e këtij vendi të vogël fqinj, Stefani i Vogël, një palo Car që kishte drejtuar Malin e Zi mes viteve 1767 – 1773, kur ky s’ishte veçse një biçim shtet që mbahej me ndihmat e Rusisë cariste. Një krahasim anakronik. Sepse Stefani i Vogël e udhëhoqi Malin e Zi kur krerët e tij nuk zgjidheshin por vendoseshin, ndërkohë që Albin Kurti u zgjodh Kryeministër i Kosovës, pasi fitoi në zgjedhjet demokratike të 6 tetorit, ku Prishtina votoi për subjektin e tij, dikur një lëvizje urbane të rinjësh që vetë e prodhoi.
Finally, Migjen Kelmendi i fyen të gjithë prishtinasit, duke i marrë për të verbër e torollak, kur shkruan “Treguen dhe deshmuen nji fuqi te hatashme mos me pa me sy çele! Missing the obvious, kishin me thane anglezet. Prishtina qytetare deshmoi tragjikisht se ka talent per mos me i pa argumentet qe nuk pershtateshin me pritjet dhe projekcionet e tyne qe i kishin investue te ky person.” Për ta sqaruar habinë e tij, “Ikona e Prishtinës” do të mund të provonte të shihte me sytë e njerëzve të zakonshëm të Prishtinës, që prej kohësh, zvezdat e dikurshëm i kanë zëvendësuar me yje si Rita Ora e Dua Lipa. Në këta sy, ai do të haste edhe pamjen e viteve të qeverisjes së PDK-së, që kurrë nuk çoi në Kuvend ligj për kryeqytetin, Prishtinën. E Prishtina e Migjenit, nuk ekziston dhe mbase as ka ekzistuar ndonjëherë, veçse në sytë e tij. Andaj ajo nuk gjendet, as gjurmët e saj. Ndryshe, ma gjeni Prishtinën e Migjenit.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!