NJËRI PREJ TRIBUNËVE TË MËDHENJ TË KOMBIT

”Grupi i Ramadanit ishte më i madhi, por kishte qytetarë, ka pasur djem të Istogut, të Deçanit, ka pasur djem të rrethit të Pejës, të Raushiqit, të Loxhës e vendeve të tjera. Ne të Gjakovës u bashkangjitëm me Grupin e Ramit dhe së bashku u bashkuam me LRBSH.

Kontakti me LRBSH ishte direkt dhe vetëm me Ramadan Shalën, me takime në Gjakovë, në Pejë, ose ndonjë vend tjetër, në natyrë, në Deçan.

Ju pëlqen!

Të gjitha urdhrat për aktivitete i merrnim prej Ramadanit dhe vepronim ashtu me radhë. Aty ishte edhe bukuria, ëmbëlesia, vlera, niveli i gatishmërisë, sepse thithej energjia prej njëri-tjetrit në drejtim të edukatës patriotike dhe atdhedashurisë. Prandaj, kishim këto aktivitete dhe takime liridashëse.

Fjala e Ramadanit ishte sikur ligj, fjala e të cilit duhej pa tjetër të respektohej. Deri në ditën kur Rami ndërroi jetë ka qenë një udhëheqës i mirë, të cilit nuk mund t’i thoshim jo. Ka qenë shumë i devotshëm dhe serioz në punët e atdhetarisë. Shumë serioz në kryerjen e detyrave ndaj atëdheut dhe popullit.

Lum populli dhe vendi që e ka pasur Ramadanin e djem të rrallë si ai në Lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar. Të gjitha energjitë e veta intelektuale, fizike, mendore i ka shkrirë për ato ideale. Dhe ato ideale sot kanë filluar të realizohen me mangësi shumë të madhe, të cilat Rami kurrsesi nuk do të pajtohet t’i pranojë si vlera, me të cilat duhet të ndërtohet dhe shkruhet historiografia e re e kombit shqiptar.

Prandaj, kemi qenë të lumtur që e kemi pasur në radhët tona dhe në krye të radhëve tona, me veprimet e tij aktive njerëzore, shoqërore historike, kombëtare.

Rami ka qenë një njeri që e ka dashur jetën, i ka dashur shokët dhe ka qenë i afërt me ta dhe i ka udhëzuar se si duhet të frymojnë kur është çështja e interesit madhor historik të kombit shqiptar.”

Xajë Nura, 2010

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!