Lufta me Serbinë nuk ka përfunduar

Diplomati serb Vuk Jeremiçi kishte shpërndarë dje një fjalim të tij të vjetër në OKB kundër pavarësisë së Kosovës ku ndër të tjera thotë që “Serbia është e palëkundur në vendosmërinë e saj për të mbrojtur qëndrimin e saj parimor mbi Kosovën në mënyrë paqësore, duke përdorur të gjitha mjetet politike, ligjore dhe diplomatike në dispozicionin tonë…” Serbia ende qëndron pas kësaj deklarate.

Gjuha e paqës këtu përdoret për të kërcënuar pavarësinë e shtetit të Kosovës. Zaten përmes paqës dominuesit sundojnë të dobëtit. Serbia do të përdorë të gjitha mjetet “politike, ligjore, dhe diplomatike” për ta përmbysur pavarësinë e Kosovës. Të kërcënon me mjetet e luftës në paqë: nuk ka mundësinë me të sulmu me luftë por ta bën të pamundur ekzistencën tënde në mënyrë paqësore. Kjo nuk është paqë e vërtetë, por luftë; luftë pa ushtri por luftë gjithsesi kundër Kosovës. Në vend të tankave dhe pushkave përdoret ligji dhe diplomacia.
Kosova është në luftë diplomatike me Serbinë dhe duhet ta bëjë të pamundurën që ta mposhtë Serbinë, përherë duke përdorur mjetet, (armët) politike, ligjore dhe diolomatike. Politika, ligji dhe diplomacia nuk janë instrumente të pavarura nga objektivat tona: ne duhet t’i përdorim për ta mbrojtur veten dhe për ta mposhtur Serbinë. Nuk ka asnjë konsideratë tjetër më të rëndësishme këtu. Në luftë duhet ta mundësh kundërshtarin: e në luftë diplomatike kërkohet ta mundësh me diplomaci dhe inteligjence.

Uroj që të diplomatët tanë të jenë më të shkathët se diplomatët serb, sepse pavarësia e Kosovës, përfundimi i kësaj lufte të ftohtë, varet nga shkathtësia e diplomacisë kosovare. Lufta diplomatike është lufta më e vështirë për ta fituar, por po nuk e fituam luftën diplomatike nuk e ruajmë as fitoren e luftës ushtarake./Sead Zimeri/