Nga kujtimet e Hamid Gjylbegajt
Përgatiti për botim: Shefqet Deliallisi

Një ditë duke ndenjur në kafe “Ballkan” në Beograd me Nexhip begun, i fola për trimërinë dhe vdekjen burrërore të Isa Buletinit, të cilin e prenë në besë malazezët.

Ai u shpreh: “Vdekja në këtë mënyrë e Isa Buletinit, asht e mirë, mbasi mbetet si shëmbëlltyrë morale e heroizmit shqiptar. Por, në anën tjetër, për Shqipërinë, u hoq një shushunjë që i thithte gjakun kombit, e që nuk ishte në gjendje me kontribua asgjë. Është mirë që në këtë mënyrë të largohet dhe Bajram Curri, se këta janë mësuar me kap e me ngrënë në tryezën e Sulltan Hamidit. Këta dy diplomatë të Kosovës, pa shkollë e kulturë, që merren me politikën e çështjes shqiptare, i përngjasin një farë Shaban agës, kafexhi në Vuçiternë. Kur vinin katundarët në qytet, ktheheshin me pi kafe, por ishin edhe të parruar, ndonëse Shaban Aga nuk ishte berber, u thoshte: ‘Hajde se po ju rruaj unë’. I vente në stol, i lagte me ujë e bashkë me një brisk që mbante në xhep, nxirrte dhe kutin e duhanit që kur t’i priste, t’u vente duhan. Kështu, si Shaban Aga, edhe këta dy diplomatët tonë e kanë vënë Shqipërinë në stol e po e rruajnë duke pre dikush hundën e dikush veshin”.

Ju pëlqen!

Duke e mbyllë, Nexhip Begu më tha: “Lum vllau, merrni vesh se ç’asht populli shqiptar, e dini me u sjell me të”. Këto ishin mendimet e Nexhip bej Dragës. Duket, për këtë arsye ai, nuk dëgjoi për të ardhur në Shqipëri.

Në kohën që unë isha në Beograd, Maliq Gjyli më telegrafoi nga Selaniku, që të mos shkoja atje mbasi, Esat Pasha brenda 4-5 ditëve nisej për Paris dhe programin e qeverisë së tij po ma dërgonte me anë të gjeneralit, Bardi De Fourtou (francez, komandant i forcave aleate). Kur erdhi në Shkodër, gjenerali ma pruri programin e Esatit të cilin të gjithë ne në komitet e studiuam dhe menduam ta përkthenim në shqip e ta botonim pjesë-pjesë në gazetën “Populli”. Mirëpo, Sali Nivica, nguli këmbë për jo, duke thënë se memorandumi i këtij autokrati nuk na duhej, dhe ne duhej ta luftonim.

Hyrja e trupave italiane në Shkodër

Gjatë largimit nga Shkodra, trupat austriake vunë mina në ndërtesën e prefekturës, urën e Baçallëkut dhe urën e Bunës. Të ndodhur para kësaj situate, oficerët shqiptarë tashmë të liruar nga shërbimi austriak, u mblodhën dhe vendosën për t’i shpëtuar e ruajtur këto tri objekte. Rexhep Shala preu fitilat e minave në prefekturë dhe e shpëtoi atë. Edhe ura e Bunës shpëtoi, mbasi trupat austriake, nuk patën kohë t’i ndiznin fitilat.

Ndërkohë, regjimenti i kavalerisë italiane, kishte ardhur deri në Lezhë. Një person i familjes, Hasan beg Bushati, më bie një letër me anë të së cilës më njoftonte se një oficer italian, kërkonte të na takonte. Së bashku me të dhe axhën tim, Alush Gjylbegun, vendosëm për të shkuar në Bushat. Mbasi kaluam me çule nëpër Bunë, deri te Blini i Katilinës, rreth kodrave të Bërdicës, erdhëm në Bushat, ku u takuam me oficerin zbulues italian në shtëpinë e Hasan beg Bushatit.

Mbasi biseduam me oficerin, dërguam një korrier kavalerie për në Lezhë, duke i kërkuar italianëve që të na dërgonin një kompani mitralozash. Kjo arriti natën vonë. Oficerit të kompanisë së mitralozave, i kërkuam që ne shqiptarëve të na jepte katër mitraloza që të shkonim, dy nga Bërdica e dy nga jugu i kodrave të Berdicës, në breg të Drinit, për të gjuajtur urën e për të krijuar panik te ushtria austriake, që mos të kish kohë të prishte urën e Baçallekut. Mirëpo, italianët, si tuça që janë, nuk dëgjuan të na hipnin mitralozat dhe plani ynë dështoi. Një pjesë e urës u hodh në erë. Austriakët u tërhoqën pa i hyrë ferrë në këmbë.

Të nesërmen vjen një tjetër person, e na tregon se në Shkodër kishte hyrë Franca e Serbia. Po sa e mori vesh, komandanti italian dha alarmin, mori flamurin dhe së bashku me oficerët politikë u nisën për Shkodër. Bënë një urë provizore mbi lumin Drin dhe hynë në qytet. Mbas dreke, kur edhe ne të tre hymë në Shkodër, pamë shpalljet që ushtria italiane kish shpërndarë gjithandej. Në to shkruhej: “Mbas një lufte të rreptë, ushtria ngadhënjyese italiane hyri në Shkodër dhe ngriti flamurin në kështjellën historike të Rozafës”. Vlen për t’u shënuar se, trupat franceze duke ardhur nga Selaniku nëpër grykën e Shalës, mbërritën në Shkodër para ushtrisë Italiane.

Formimi i qeverisë së Durrësit (dhjetor 1918)

Me formimin e Qeveris së Durrësit, aktiviteti politik i grupeve të ndryshme u shtua edhe më shumë. Komiteti ynë “Krahu Kombëtar”, mbajti qëndrim opozitar me Qeverinë e Durrësit. Edhe Lidhja Kombëtare e Nikoll Ivanajt mbajti të njëjtin qëndrim. Në këtë kohë, Mehdi Frashëri me ndërmjetësinë e Konsullatës italiane në Shkodër, më ftoi që të shkoja në Durrës për të formuar dhe organizuar e xhandarmërinë, gjë të cilën unë e refuzova.

Konferenca e Paqes në Paris

Me hapjen e Konferencës së Paqes në Paris, grupet e ndryshme politike brenda dhe jashtë Shqipërisë, filluan secili propagandën e vet në shtyp e në çdo lloj forme që ishte e mundshme, për unifikimin e kombit shqiptar. Ne të komitetit ishim të mendimit të dërgonim në konferencë, si përfaqësues Mit’hat Frashërin, mirëpo Qeveria e Durrësit e sidomos Luigj Gurakuqi, shfaqi mendimin që Mit’hati të mos dërgohej mbasi ishte shumë kundra Italisë.

Për këtë arsye, Mit’hati u pengua të shkonte në Paris dhe ne si komitet, për oportunizëm politik ndaj Italisë, me anë të gjeneralit Filips (anglez, komandant i trupave ndërkombëtare në Shkodër 1913-1914), mundëm t’i nxirrnim pasaportën dhe të dërgonim në Paris, si përfaqësues të Qeverisë së Durrësit, Monsinjor Luigj Bumçin, At Gjergj Fishtën e Luigj Gurakuqin. Këta kanë shkuar në Paris rreth muajit maj 1919.

Nikoll Ivanaj shkoi si individ, e atje bashkëpunoi me grupin “Krahut Kombëtar” i përkrahur ekonomikisht nga Fuat Dibra. Ne të komitetit, korrespondencën me shokët që kishin shkuar në Konferencën e Paqes në Paris, e bënim nëpërmjet gjeneralit Filips, për mos me qenë të kontrolluar nga italianët e serbët. Në këtë drejtim gjenerali Filips na ndihmoi shumë. Dhe, pikërisht për këtë përkrahje, Fuat Dibra i bëri një dhuratë prej 10 mijë korona sermi në Paris. Të njëjtë shumë, 10 mijë korona sermi, ia dhuroi edhe komitetit tonë me anë të Hasan Bekteshit.

Siç kemi përmendur më sipër, edhe Esad pashë Toptani kishte shkuar në Konferencën e Paqes në Paris, ku kishte paraqitur memorandumin e tij, duke kërkuar kufijtë e vitit 1913, dhe kushtin për t’u njohur prej konferencës si princ i Shqipërisë. Këtë pretendim e kishte si bashkëluftëtar me aleatët kundra Antantës, meqenëse aleatët fituan luftën.

Vrasja e Abdyl Ypit

Në kohën që Esati ishte në Konferencën e Paqes në Paris, Abdyl Ypi u përpoq të bënte mbledhjen e Shijaku në favor të Esat Pashës. Kjo u pengua nga ana e Komitetit tonë, ”Krahu kombëtar”, dhe bëri që mbledhja të dështonte. Mbas këtij dështimi, Abdyl Ypi u shtrëngua të bashkohej me vijën e Komitetit” Krahu Kombëtar”. Nga ana tjetër, edhe Mustafa Kruja, që ishte ministër i Postë-Telegrafëve i kabinetit të Durrësit, i uli armët dhe u shtrëngua të merrej vesh me Komitetin, me kusht që ky i fundit të mos bashkëpunonte me Esat pashë Toptanin.

Me rastin e festës kombëtare, 28 Nëntorit, në Durrës Abdyl Ypi mbajti fjalën e rastit. Si orator i madh që ishte, në vijën e një nacionalizmi të vërtetë, fjala e tij u prit me entuziazëm të madh nga populli i pranishëm. Duke parë këtë gjest popullor, Mustafa Kruja u shtrëngua të dilte t’i shtrëngonte dorën dhe ta falënderonte. Mirëpo, Abdyli nuk ia dha dorën, kështu që Mustafa mbeti shumë i fyer para opinionit publik. Për këtë arsye, të nesërmen në mbrëmje, ai i vuri pritë Abdylit dhe e vrau. Mustafa u mundua të shfajësojë veten duke thënë se Abdylin e vranë si “esatist”. Mirëpo, kjo vrasje bëri përshtypje fort të keqe në popull, dhe Kongresi që nisi për t’u bërë në Krujë, dështoi, dhe u shtrënguam ta bëjmë në Lushnjë.

Përgatitjet për Kongresin e Lushnjës

Kryesia e Komitetit tonë, veprimet e të cilit i drejtonte Hoxhë Kadria, mbante korrespondencë me Aqif pashë Elbasanin, Ahmet Zogun, Abdi bej Toptanin etj., për përgatitjen e Kongresit të Lushnjës. Korrieri isha unë. Sipas udhëzimeve të komitetit lëviza në Shkodër, Durrës, Tiranë. Gjatë kësaj kohe, kur kryeja punën e korrierit të komitetit në Durrës, u ftova një ditë prej oficerit politik italian, Rodi. Gjatë bisedës ai më ofroi 5.000 lira në muaj ndihmë për gazetën “Populli”, me kusht që mos të shkruanim kundër personazheve italiane, të cilët merreshin me veprimet administrative e politike në Shqipëri. Ky propozim u diskutua në komitet dhe u refuzua.

Nga ana tjetër në Tiranë, Meloni, konsulli italian në Vlorë, me anë të Shyqyri Borshit, më ftoi një ditë për drekë, për të biseduar rreth çështjes shqiptare dhe Kongresit të Lushnjës që ishte në organizim e sipër. Gjatë bisedës, ai më shfaqi dyshimin se mos mbrapa veprimeve që bëheshin në favor të Kongresit të Lushnjës, kishte dorë sllave. Unë e sigurova se nuk kish të bënte politika sllave. Ky veprim ishte thjeshtë kombëtar, i përkrahur nga Anglia dhe Amerika, dhe i kërkova që ai duhej të përpiqej të bindte shtetin e tij për një politikë në favor të Kongresit të Lushnjës dhe respektimit të kufijve të 1913-ës.

Mbasi u bind ai i shkroi shtetit të tij. Delegatët e ndryshëm nga Shqipëria u mblodhën në Lushnje më 21-31 janar 1920 dhe morën vendimet historike që dihet. Me krijimin e qeverisë që doli nga Kongresi, u ngarkova për t’i komunikuar aktin e dorëzimit qeverisë së Durrësit. Fejzi Alizotit, anëtar i Qeverisë së Durrësit, iu bë propozimi që të bëhej inspektor dhe organizator i përgjithshëm i Financave të Shqipërisë, por ai nuk pranoi, mbasi mbante ende shpresë tek gjeneral Ferraro (komandant i forcave italiane në Ballkan) që gjendej në Vlorë. Qeveria e Lushnjës më në fund e arrestoi.

Vrasja e Sali Nivicës

Sali Nivica ishte një atdhetar me parime të larta kombëtare dhe shoqërore. Ky bënte pjesë në degën e “Krahut Kombëtar” në Shkodër, ku unë isha kryetar. Nëpërmjet gazetës “Populli”, ai bënte propagandën e partisë e të kombit shqiptar. Me hyrjen e Malit të Zi në Shkodër, gjeneral Vashoviqi me agjentët e tij në Shkodër, kërkoi ta kapte Sali Nivicën, por nuk mundi ta gjente. Për këtë arsye, natën kam shkuar dhe e kam marrë prej shtëpisë ku banonte, te Mark Benusi, dhe e mora në shtëpinë time, prej nga e përcolla për në Durrës.

Më vonë, mbasi Saliu u rikthye përsëri në Shkodër, rifilloi aktivitetin e tij me anë të gazetës. Saliu kërkoi të merrte me qira një shtëpi pranë Bankës Kombëtare në pronësi të Kolë Ashiku. Për këtë qëllim, Saliu i dha Kolës parapagim gjashtë napolona ari. Mirëpo, ai as shtëpinë nuk ia lëshoi dhe as paratë nuk ia ktheu. Për këtë arsye, Saliu u shtrëngua ta padisë tek kapiteni i xhandarmërisë franceze, Veiz. Ai i thirri të dy në zyrë për ballafaqim. Me këtë rast Saliu i ka thanë Kolës se ti nuk qenke bir shqiptari, por bir anadollaku. Për këtë si duket Kola është fyer dhe doli dhe e vrau në rrugën afër Legatës Italiane. Në varrimin e Salihit, më 11 janar 1920, kam mbajtur fjalimin e rastit.

Bashkimi i Shkodrës me Qeverinë e Tiranës (maj 1920)

Me formimin e qeverisë qendrore në Tiranë, u morën masa të shpejta për bashkimin e Korçës e Shkodrës me të. Për këtë qëllim erdhëm në Lezhë bashkë me Hoxhë Kadrinë e Ahmet Zogun. Unë u dërgova si përfaqësues në qytet për t’u marrë vesh me administratën e Shkodrës, duke i premtuar dhe siguruar se qeveria qendrore do t’i lejonte të qëndronin në pozitat që kishin. Musa Juka, si kryetar të bashkisë, Malo beg Mylga si komandant të xhandarmërisë dhe Javer Lutfia, si komisar të policisë.

Propozimin që i bëra, këta e pranuan me gjithë gëzim dhe hynë në bashkëpunim me qeverinë qendrore të Tiranës. U lajmërua dhe Kisha katolike. U morën masa sigurimi për përcjelljen e francezëve nga Shkodra për në Jugosllavi, dhe për pritjen e delegacionit të qeverisë qendrore të Tiranës. U ktheva në Lezhë dhe lajmërova arritjen e marrëveshjes. Kështu, u prish plani që ne patëm vendosur më parë, për të ndaluar njëherë në Bushat, për të marrë masat e nevojshme për me hyrë në Shkodër. Erdhëm drejt e në Bahçallëk e hymë në Shkodër. Si shenjë gëzimi, dëgjoheshin tingëllimat e kambanave të kishave katolike.

Me hyrjen në Shkodër u mblodhëm në Komitet për të vendosur për ndryshimin e administrimit të qytetit. U vendos që përkohësisht të bëhej një administratë e përkohshme, e cila për dy vjet do të vepronte në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. U zgjodhën si prefektë, Sulçe beg Bushati dhe Shuk Serreqi. U shtrua dhe çështja e administrimit të Pukës. Unë mora përsipër të merresha me të. Kështu u emërova nënprefekt i Pukës.

Në Pukë

Puna e parë që bëra ishte pajtimi i gjaqeve. Mbas një pune shumë të lodhshme, ia arrita qëllimit duke pajtuar 75 gjaqe. Për ta pasur gjendjen në kontroll, kisha kërkuar nga qeveria qendrore e Tiranës, 125 xhandarë. Gjatë kësaj kohe ndodhi një vrasje të cilën prapë e pajtova. Mirëpo, duke parë se qeveria nuk po ma plotësonte kërkesën për xhandarët dhe kur ishte në rrezik të thyhej besa e lidhur, e pashë të arsyeshme të jepja dorëheqjen, dhe u ktheva në Shkodër.

Lufta e Koplikut korrik 1920

Kjo luftë u provokua nga ndërhyrja jugosllave, në bashkëpunim me banditët shqiptarë të paguar nga Jugosllavia, si Alush Lohja e Luk Luka me shokë. Unë isha i dorëhequr, dhe ndodhesha në shtëpinë time. Më vijnë në shtëpi Qerim Begolli, Xhemal Beg Prishtina, me nja 12 kosovarë, e më kërkojnë që t’i prija për mbrojtjen e atdheut. Si oficer, nuk kisha si të shkoja, mbasi nuk kisha ndonjë detyrë zyrtare (isha i dorëhequr). Mbasi ata ngulën këmbë, pranova të shkoja si vullnetar.

Mbasi shkuam në vend, komanda për drejtimin e veprimeve luftarake, kaloi në duart e mia. Forcat e grumbulluara i ndava në tri grupe kryesore. Grupi i parë, krahu i djathtë, në rrëzë të maleve, i drejtuar nga kapiten Taip Shkodra. Grupi i dytë, që mund ta quajmë dhe grupi i mesëm, me xhandarmërinë e Shkodrës i drejtuar prej Hasan Bushatit, u vendos në fushë, në xhadenë kryesore. Grupi i tretë, krahu i majtë, nën komandën time që përbëhej me forca vullnetare kosovare, shkodranë e kastratas, u vendos në buzë të ujit. Rreth 350 vetë, shkodranë, i lashë grup rezervë në qendër, nën komandën e Sulçe beg Bushatit. Në mes të forcave rezervë dhe ballit të frontit, vendosa një grup ndërlidhës, prej 10 xhandarësh, nën komandën e Oso Beg Koplikut.

Përveç këtyre forcave, kishim të organizuara edhe dy çeta, njëra nën drejtimin e Deli Metës e Bajram Hysenit, që vepronte në krahun e djathtë, dhe e dyta që vepronte në krahun e majtë nga buza e ujit, nën komandën e Zef Serreqit, me vullnetarë të katundit Kastrat. Me këtë mënyrë organizimi filloi lufta në kodrat e Koplikut. Çetat e krahut të majtë e të djathtë i kryen plotësisht detyrat, dhe të gjitha forcat e frontit avancuan deri në buzën e ujit, para kodrinave të Koplikut.

Ndërsa ishim në këtë situatë, pa ndonjë urdhër, grupi i mesëm, në qendër, si duket me iniciativën e Hasan Bushatit e Brahim Mandiqit, si pararojë e avancuar, mësyn nga çezma e Koplikut, ku mbetën rob (kjo punë mbeti mister). Ndër kohë që lufta vazhdonte dhe përparonte, Hasan beg Bushati me forcat e veta, lëshuan frontin dhe u kthyen në Shkodër, duke përhapur fjalë se Hamid Gjylbegaj, ka hyrë thellë në front dhe ka mbetur rob, ndërsa Taipi është tërhequr nga rrënxa e maleve. Me këtë propagandë ata e paraqitë luftën të humbur.

Kur e mora vesh ikjen e Hasan beg Bushatit nga Basi i Jakup Ferrit, i dhashë këtij të fundit urdhër që t’i hapte vullnetarët nga 25 metra larg njëri-tjetrit, në mënyrë që të mbanin lidhje me krahun e djathtë ku vepronte Taip Shkodra, duke i thënë se armiku ishte duke u tërhequr. Vetë, me një kalë të shpejtë shkova për të gjetur postën e ndërmjetme, ku ishte Oso beg Kopliku, por edhe ky kishte ikur bashkë me xhandarët.

Prej këndej kalova në qendrën ku ishte caktuar Sulçe beg Bushati me forcat e rezervës. Forcat ishin në vend, por komandanti i tyre me mbështetësit e tij dhe Oso Koplikun, kishin shkuar e fshehur si mysafirë në shtëpitë e disa shkjeve në Vrakë. Në këtë situatë me të shpejtë u ktheva në ballë të luftës dhe i dërgova një letër drejtuesve, duke i njoftuar se armiku po tërhiqej, dhe ata të sulmonin nga çezma e Koplikut.

Me gjithë intrigat e bëra, armiku u thye dhe lufta u fitua. Alush Lohjen dhe Luk Lukën me vullnetarët e tyre, nuk mundëm t’i zinim rob, për arsye të tradhtisë së Hasan Bushatit dhe Brahim Mandiqit.

Nga pikëpamja ushtarake, sipas ligjit të një ushtrie të rregullt, Hasan Bushati, Oso Kopliku, Sulçe Bushati e Malo beg Mylgashi, duhej të ekzekutoheshin për tradhti. Por, mbasi shteti nuk kishte një organizim të rregullt, këtë veprim të tyre e kaloi si pa ndonjë të keq, sikur nuk kishte ndodh asgjë, mbasi lufta u fitua.

Më vonë, me etapa të ndryshme, lufta vijoi në përroin e Thatë, në malin e Shej e në kodrat e Muksetit deri në kufi. Mbasi mbërritëm në kufi, unë i lëshova një raport qeverisë që gjendej në Shkodër duke i shpjeguar se në pikëpamje taktike, teknike dhe ushtarake, nuk mund të qëndrohej më në pozicionin që ne ishim. Prandaj, brenda 24 orëve ata duhej të bënin përpjekje të bënin paqe me Jugosllavinë. Përndryshe, forcat e armike na bombardonin dhe shkatërronin krejt frontin, mbasi ne nuk kishim artileri që të mbroheshim. Pra, ose duhej të avanconim për të kaluar kufirin e të dilnim në fushë, ose të tërhiqeshim menjëherë për të ardhur në Përroin e Thatë.

Mbasi avancimi nuk u bë dhe armiku na sulmoi, u detyruam të ktheheshim prapë në përroin e Thatë. Fronti, nën komandën time, u mbajt dhe u forcua vazhdimisht, derisa bëmë paqen me Jugosllavinë.

Formimi i regjimentit të parë të Shkodrës

Më vonë u morën masat për themelimin e ushtrisë shqiptare. Në Shkodër u themeluar regjimenti i parë, me komandant kolonel Ismail Haki Tatzati, komandant i batalionit të parë, kapiten Meleq Frashëri, komandant i batalionit të dytë, kapiten Lytfi Përmeti dhe komandant i batalionit të tretë, kapiten Hamid Gjylbegaj.

Këtë batalion, ministri i Luftës, Selahedin Shkoza, e cilësoi shembullor për gjithë Shqipërinë.

Me formimin e regjimentit, lindi nevoja që ushtria të merrte në dorëzim kufirin, mbasi deri në atë kohë ai mbahej e ruhej nga forcat vullnetare që kishin marr pjesë në Luftën e Koplikut, dhe prej një pjese të xhandarmërisë së vendit. Me këtë rast, Tatzati, Sylçebegu e Musa Juka më thirrën, mbasi kisha qenë edhe komandant i Luftës së Koplikut. Pasi u falënderuan vullnetarët, kufiri ju dorëzuar ushtrisë së rregullt.

Mbas kësaj ndodhi ngjarja e Ismail Deli Lohjes, të cilit iu vra vëllai dhe u plagos vetë në dy këmbët. Ky ishte i ngarkuar nga prefekti i Shkodrës, Sulçe beg Bushati, për të ndjekur e zbuluar veprimet tradhtare të Alush Lohjes dhe të Luk Lukes në Podgoricë. Edhe pse ishte kushëri i Alush Lohjes, ky kishte marrë pjesë në luftën e Koplikut me të tre vëllezërit kundër Alushit, duke dhënë besën se nuk tradhton. Sipas Kanunit të Lekës, po të tradhtonte do të duhej të shuheshin si fis.

Aksidenti ndodhi kur ky hynte e dilte në Jugosllavi. Një ditë kur Smaili ishte në Zogas tek një mik i tij për rregullimin e një martese, aspirantët e Marashit, regjimentit që ishte në roje të kufirit, panë që Smajli hynte e dilte në Jugosllavi. Ata lajmëruan Tatzatin, dhe i kërkuan Smail Delisë të dorëzohej. Ky nuk pranoi dhe luftuan me njëri tjetrin. Ismail Delia u vra. Familja e tij u detyrua të merrte gjak, vrau komandant Marashin dhe u shpërngul në Jugosllavi. /Memorie.al/

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!