“Hitleri dhe Stalini mund të krahasohen përsa i përket brutalitetit dhe papërgjegjshmërisë dhe për faktin se zbatonin sundimin njëpartiak që përqendrohej në personalitetin e një udhëheqësi, i cili do të vinte në jetë synimet e partisë në mënyrë të dhunshme”

Kush ishin udhëheqësit e fuqive botërore që hodhën miliona njerëz në këtë luftë, njëra prej periudhave më të dhunshme të historisë? Hitleri, njeriu që e mbajti botën në tmerr për vite me radhë, erdhi në fuqi në vitin 1933, duke përhapur me shpejtësi vizionin e tij totalitar të Rajhut të Tretë. Gjashtë vjet më pas ai pushtoi Poloninë dhe ngjarjet e mëpasme do të çonin në fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtën kohë, në Rusi, Stalini përpiqej të zgjeronte pushtetin e vet si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Dr. Hans Ottomeyer, është drejtor i Muzeut Historik Gjerman “Hitleri dhe Stalini mund të krahasohen përsa i përket brutalitetit dhe papërgjegjshmërisë dhe për faktin se zbatonin sundimin njëpartiak që përqendrohej në personalitetin e një udhëheqësi, i cili do të vinte në jetë synimet e partisë në mënyrë të dhunshme.”
Në vitin 1939, Stalini nënshkroi një pakt mossulmimi me Gjermaninë naziste. Pastaj ai pushtoi Poloninë, vetëm 16 ditë pas fillimit të invazionit gjerman. Duke marrë pjesë aktive në këtë pikë-kthese historike, Stalini shpesh shihet si njeriu që e nxiti Luftën e Dytë Botërore. Por Stërnipi i Stalinit, Jakov Xhugashvili, nuk është dakord me këtë pikëpamje.

Ju pëlqen!

“Mendoj se të gjitha akuzat e historianëve dhe qeverive perëndimore kundër Stalinit dhe udhëheqjes së atëhershme sovjetike janë marrëzira fund e krye dhe më saktë janë keqdashëse. Ata e njohin mirë historinë e Europës, prandaj këto akuza janë një formë e re agresioni kundër asaj që mbeti nga Bashkimi Sovjetik, kryesisht kundër Rusisë.”
Më 3 shtator 1939, Britania, Australia dhe Zelanda e Re i shpallën luftë Gjermanisë, të pasuara nga Franca, Afrika e Jugut dhe Kanadaja. Një vit më pas, më 1940, Uinston Çurçill u bë kryeministër. Çurçilli ishte jashtëzakonisht popullor dhe i njohur për fjalimet e tij frymëzues. Ai u bë forca që i mbante gjallë shpresat e britanikëve për fitore.
Fil Rid, është drejtor i Muzeut Churchill. “Nëse përdorim një fjalë për të përshkruar rolin udhëheqës të Çurçillit, ajo do të ishte “frymëzues”. Mendoj se edhe njerëzit që e kritikojnë Çurçillin, nuk mohojnë dot aftësitë që ai kishte për të frymëzuar një komb që të besonte te vetja dhe te fitorja përfundimtare.”

Çurçilli u bë shpejt i njohur si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të periudhës së luftës. Përpjekjet e tij për të fituar luftën u ndihmuan sidomos nga marrëdhëniet e tij të ngushta me Presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt. Dy udhëheqësit u takuan në 12 konferenca strategjike.
Një ndër më të rëndësishmet ishte Konferenca e Kazablankës, e cila përcaktoi objektivin e aleatëve për një kapitullim pa kushte të Gjermanisë dhe Japonisë. Zoti Reed shpjegon se marrëdhëniet më të ngushta Çurçilli i kishte me Ruzveltin, kjo as që diskutohet. Ai e dinte se Britania nuk do të mund ta fitonte kurrë luftën e vetme.
Në Itali, një tjetër diktator përpiqej të zgjerohej përtej kufijve të vendit të tij. Benito Mussolini, themeluesi i fashizmit, i cili më 7 prill 1939 pushtoi Shqipërinë, e rreshtoi vendin në anën e Gjermanisë.

Giovanni Orsina, është profesor historie në Universitetin Luiss Guido Carli të Romës. “Si të gjithë dikatorët, në një moment ai u shkëput nga realiteti. Në gjysmën e dytë të viteve 30, kur në Gjermani erdhi në fuqi Hitleri, Mussolini filloi të humbte kontakt me realitetin dhe nisi të mendojë se ai dhe Italia mund të bënin gjëra që në fakt ata nuk i arrinin dot. Dhe, kjo ishte ndër arsyer kryesore që e hodhi Italinë në luftë.”
Në vitin 1945 kur po afrohej disfata, Mussolini u përpoq të arratiset në Zvicër. Por diktatori dhe e dashura e tij u kapën dhe u ekezekutuan në publik. Njerëzit e festuan vdekjen e tiranit nëpër rrugë në të gjithë Italinë.
Figura e gjatë dhe krenare e De Golit u bë simbol shprese për bashkatdhetarët e tij pas pushtimit të Francës në vitin 1940.

Refuzimi i de Golit për të njohur qeverinë e Vishisë të kontrolluar nga nazistët bëri që ai të dënohej me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze. Ai u largua për në Londër ku shpalli formimin e një qeverie franceze në mërgim.
Gjeneral Pierre-Marie Gallois, strateg ushtarak tregon se De Goli ishte në pozitë të vështirë sepse nuk kishte asgjë. Si rrjedhojë, ai pati disa mosmarrëveshje me Çurçillin, i cili herë-herë e admironte dhe herë të tjera e shihte si një barrë. Edhe Shtetet e Bashkuara, sidomos Ruzvelti nuk e kishin qejf DeGolin.

Por kur aleatët e rimorën Parisin në vitin 1944, ishte figura shtatlartë e DeGolit, kreut të forcave të lira franceze që udhëhoqi paradën e fitores në Shanz Elize. Gjatë pritjes prej heroi që iu bë nga qytetarët, DeGoli u shpreh me këto fjalë: “Paris, Paris i zemëruar, Paris i shkatërruar, i martirizuar, por një Paris i çliruar.”

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!