Në një raport të gjatë e të detajuar hartuar nga Aleks Buda dhe një ekip specialistësh për dëmet e luftës në sektorin e trashëgimisë në Shqipëri, jepen detaje të imëta mbi objektet e shkatërruara plotësisht, grabitjet, apo edhe objektet arkeologjike të dëmtuara rëndë nga ushtria gjermane.

Në një pjesë të raportit të tij hartuar në janar 1947, Aleks Buda fokusohet në shkatërrimet e ndodhura në Apolloni dhe në Butrint si dhe në disa qytete të vjetra shqiptare si Berati, Durrësi, Elbasani etj.

Por alarmin më të madh Buda e jep për shkatërrimet, grabitjet dhe dëmtimet e rënda në Apolloni.

Ju pëlqen!

Ja çfarë shkruan ai në raportin e tij të dëmeve të luftës nga ushtria gjermane në Shqipëri:

“Shqipnia gjatë luftës kundër okupatorit gjerman ka pësue dame kolosale në pasuninë e saj arkeologjike-artistike; qoftë nga veprimet e luftës drejt për drejtë, qoftë nga fortifikimet që ndërtoi ushtria gjermane në bregun e detit ose në vend e të tjera të përshtatshme, qoftë nga grabitje kolektive apo individuale nga ushtarë gjermanë. Me gjithë pengesat që ka statistika në gjetjen e dameve private, tabela nr.1 na ep nji shumë të konsiderueshme për objekte me vleftë artistike ose antikuare që u janë grabitë privatëve nga ushtarë gjermanë. Por dami ma i madh që i asht shkaktue pasunisë arkeologjike së Shqipërisë asht vandalizmi i bamë në qytetin antik të Apollonisë (Pojan). Qyteti i rrëmuem nga misionin arkeologjik francez nën drejtimin e prof. Leon Rey u transformue në një fortifikatë detare. Pa marrë parasysh vleftën arkeologjike, gurët u çkëputën nga muret, nga kamaret, e u përdorën për me ndërtue fortifikime ose strehime antiajrore të mëdhaja.

Xhevahire si portiku i shek.II-të para Krishtit u shkatërrue tue i marrë shtyllat e stilit jonik maqedonik, nji stil që gjindet vetëm në Apolloni. Muri i Akropolit u prish për të hapë strehime antiajrore. Asht dëmtue randë theatri, monumenti i Agustëve etj, duke lanë me nj’anë materialin e lujtshëm si fragmente etj, që asht grabitë nga ushtarët gjermanë. Dami i shkaktuem në Pojan-Apolloni asht kolosal e me çdo shumë reparacionesh nuk mund të vihet në vend.

Në fushën tjetër të rrëmimëve me famë botnore, në Butrinto, përveçse nga grabitjet e materialit të luejtshëm nga fushat e rrëmimeve na asht shkaktue nji dam i madh me shkatërrimin e plotë të fortesës e të pallatit venecian nga fortifikimet detare gjermane. Me këtë asht zhdukë monumenti ma me rëndësi nga historia mesjetare e Butrintos.

Dame të konsiderueshme kanë pësue fortesa të vjetra karakteristike për qytetet e vjetër të Shqipërisë e që datojnë nga kohë të vona të antikitetit, nga epoka byzantine, veneciane ose turke. Kështu p.sh me rastin e një bombardimi që bani ushtria gjermane në Durrës ditët e kapitullimit të Italisë (shtator 1943) e me rastin e fortifikimeve detare asht damtue kalaja e Durrësit; nga ndërtime strehimesh antiajrore dhe nga nji bombardim i Beratit ditët e çlirimit nga ushtria N.Ç. (shtator 1944) asht damtue Kalaja e Beratit. Nga ndërtimi strehimesh antiajrore asht damtue ma në fund edhe kalaja e Elbasanit”.

Aleks Buda ishte ngarkuar nga qeveria e pasluftës, menjëherë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, për të verifikuar e analizuar dëmet e luftës në fushën e trashëgimisë historike e artistike, sikurse edhe për sistemimin dhe administrimin e pasurive të trashëgimisë të sekuestruara nga regjimi komunsit në vitet e para të pasluftës.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.