KY PRODUKT I PAGËZUAR ME EMRIN ”VJOSA” PËRMBAN MË SË PAKU VJOSË

Lirim Gashi

Duhet të jesh i verbër si lakuriqi i natës për të mos e kuptuar lojën që po e lozin me Vjosa Osmanin, Vetëvendosjen dhe elektoratin e gjerë krerët e djallëzuar të Ldk-së.

Nëse e analizojmë raportin e mëhershëm të Vjosës me njerëzit e fortë të subjektit, gjegjësisht me kreun e Partisë dhe vartësit e tij, që njëkohësisht janë edhe vartësit e Hashim Thaçit, atëherë shumë lehtë mund t’a kuptojmë se cilin çmim do t’a paguaj Vjosa, cilin çmim Vetëvendosje dhe cilin çmim populli dhe shteti i Kosovës nga epilogu i kësaj loje hipokrite, të pa ndershme, të pa moralshme, cinike, të fëlliqur dhe dinake.

Bëhet fjalë për një skenar që duhet t’i ngop njëkohësisht shumë orekse, apetite dhe synime egoiste e më së paku interesat e popullit dhe shtetit.

Dhe për t’i ngopur të gjithë këta egoman narcis që veten e tyre e shohin si të pazëvendësueshëm, kreu i Ldk-së e ka përpiluar skenarin e djallit të cilin e ka veshur me petkun e engjëllit.

Vjosa Osmani e vetëdijshme për rolin e saj inferior në Ldk (që iu imponua në të kaluaren nga kreu i subjektit dhe vartësit e tij) , u detyrua që të lëshojë pe për demarkacionin, sepse kjo ishte mënyra e vetme e mundshme për t’a vazhduar rrugëtimin me partinë e cila vetëm në kujtesën e popullit naiv ende jeton si kreacion i Ibrahim Rugovës, përndryshe për çdo njeri normal është e qartë se ajo pushoi se ekzistuari si e tillë në momentin që ai ndërroi jetë.

Dhe çuditërisht prej momentit që e votoi demarkacionin karriera e Vjosa Osmanit e mori një rrugëtim dy binarësh.

Në njërën anë ishte zemra e saj ajo që e shtyu për të marr pjesë në protestën me të madhe të pasluftës që u organizua nga Vetëvendosja e Albin Kurtit me 29 shtator të vitit të kaluar, ku ajo ishte tërësisht vetvetja ashtu siç e njohim të gjithë, e në anën tjetër ishte koka e saj ajo që i thoshte se duhet t’i përafroj qëndrimet me kreun e djallëzuar të subjektit dhe vartësit e tij nëse dëshiron t’a ketë një të ardhme të sigurt në Ldk, si gruaja më e votuar në Kosovë.

Udhëtimi i saj dy binarësh ishte në fakt një shpagat skizofren dhe tejet i mundimshëm që në shikim të parë premton të jet frytdhënës, mirëpo nëse i analizojmë rrethanat në të cilat ajo u nominua dhe njerëzit që do t’a monitorojnë, gjegjësisht udhëheqin, kontrollojnë, kushtëzojnë dhe shoqërojnë si hije fushaten e saj zgjedhore dhe karrierën politike, atëherë shumë lehtë mund të vijmë në përfundim se sa përqind Vjosë, sa përqind Isë dhe sa përqind Lutfi, Agim, Ismet, Haki e kështu me radhë përmban plan programi elektoral i Ldk-së, sepse ende është herët të flasim për një plan program qeverisës.

Nëse do t’a përshkruanim në gjuhën e marketingut ekonomik nominimin e Vjosës për Kryeministreshë, atëherë fjalët më adekuate do të ishin ” Konsumatorë të nderuar ky produkt i pagëzuar me emrin Vjosa përmban gjithçka por më së paku Vjosë” .

Më kujtohen si sot zgjedhjet parlamentare të vitit 1998 në Gjermani.

Pas një dominance të pakrahasueshme 16 vjeçare të Helmut Kohl-it dhe Partisë së tij konzervative CDU në skenën politike gjermane, shteti që sot njihet si lokomotiva ekonomike e EU-së ishte molisur aq shumë ekonomikisht nga bashkimi me pjesën lindore, sa që nga shumë ekspert me renome botërore konsiderohej si ”kranke Mann Europas” që në gjuhën shqipe i bie ” Njeriu i sëmurë (pacienti) i Evropës”.

Në këto rrethana partia e Oskar Lafontaine SPD e kishte shumë të lehtë ardhjen në pushtet, mirëpo udhëheqsi i saj përjetohej nga populli si një majtistit ekstrem, prandaj duhej të nominohej një kandidat tjetër që do t’i përfaqësonte interesat e shumicës në mënyrën më optimale të mundshme.

Në një sondazh të organizuar nga instituti për matjen e barometrit politik ‘Forza” personi që i plotësonte këto kushte doli të jet ish Kryetari i Niedersachsen-it Gerhard Schröder.

Si një fëmijë i rritur pa baba nga një nënë rrobaqepëse në një familje relativisht të varfër, biografia e tij ishte mallëngjyese dhe njëkohësisht reprezentative për shumicën.

Në të njëjtën kohë premtonte edhe sens për drejtësi dhe barazi, kauza këto të cilat e kishin shndërruar Partinë Socialdemokrate, gjegjësisht SPD-në e Wilhelm Brand-it dhe Helmut Schmidt-it në mbrojtëse të denjë të të drejtave të klasës punëtore

SPD ishte në fakt asokohe kreatore dhe gjeneratore e paktit solidar ndërmjet shtresës së pasur, mesme dhe të varfër, barazisë gjinore dhe klasore, si dhe e lirisë së mendimit dhe veprimit të përgjegjshëm.

Mirëpo pasi që Gerhard Schröder e kuptoi se sa e rrezikuar ishte Gjermania nga falimentimi financiar për shkak të financimit të gabuar që ia bëri bashkimit me pjesën lindore stafi i Helmut Kohl-it, ai u detyrua të bëjë reforma të dhimbshme ekonomike, financiare e sidomos sociale që e dëmtonin ekonomikisht dhe financiarisht më së shumti klientelen elektorale të SPD-së, gjegjësisht klasën punëtorë.

Në këto rrethana kryetari i partisë Oskar Lafontaine i cili njëkohësisht u nominua si Ministër i Financave në Qeverinë e re, e hodhi shumë shpejt peshqirin në ring dhe u dorëzua sepse :

A. Nuk pajtohej me reformat që e dëmtonin ekskluzivisht shtresën e mesme dhe të varfër, e që e favorizonin paturpësisht shtresën e pasur

dhe

B. Ishte një politikan idealist dhe pothuajse i lindur për udhëheqës të një Partie Socialdemokrate, por jo sa duhet i aftë për t’u përballur me sfidat komplekse të politikës reale.

Prandaj tre muaj pas ardhjes së Partisë së tij në pushtet ai dha dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha postet në Parti dhe pushtet.

Gerhard Schröder bëri politikë për të pasurit e republikës prandaj populli ia dha nofkën ”shoku i bossave”.

Agenda 2010 jo vetëm që e shpëtoi Gjermaninë nga falimentimi, por përmes ngrirjes së pagave dhe shkurtesave sociale ajo i iku konkurrencës evropiane me kilometra dhe u avancua në kampione botërore të eksportit.

Mirëpo përmes kësaj politike Gjermania jo vetëm që i dëmtoi interesat e klasës punëtorë në vend, por edhe në mbarë Evropën, sepse përmes prodhimit të lirë i dëboi nga tregjet botërore Francën, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar, USA etj..duke iu shkaktuar këtyre vendeve aleate papunësi të madhe.

Pas epokës se Gerhard Schröder e cila zgjati vetëm 7 vite partia e tij nuk i fitoi me asnjë pal zgjedhje, sepse klientela s saj tradicionale elektorale u ndie e tradhtuar, poshtëruar dhe nënçmuar përmes pagave mizore, shkurtimeve sociale dhe heqjes së mbrojtjes sindikale.

Me këtë dua të them se nuk mund të jesh Kryeministër i suksesshëm nëse nuk je njëkohësisht edhe kryetar Partie, sepse je i kushtëzuar nga mëshira e tipave egoman që mezi presin të gabosh.

Vjosa Osmani do të jet një luaneshë pa dhëmbë, prandaj si e tillë nuk do t’a ketë asnjë herë mundësinë për të qenë vetvetja.

Ajo se shpejti do të jet para dilemës shekspiriane ”të jesh ose të mos jesh” apo më mirë të them para dilemës ”ose unë, ose ata”.

Nominimi i kushtëzuar i Vjosa Osmanit me Lutfi Hazirin si shef të shtabit zgjedhor, e shndërron Vjosën në një të burgosur partiake të liruar me kusht nga burgu.

Natyrisht me kushtet e njerëzve të fortë në Parti që nuk kanë as vija të kuqe e as parime.

Gjasat që të ndodh një koalicion parazgjedhor LDK-VV janë po aq të mëdha sa të miat për t’a fituar çmimin Nobel pa e botuar asnjë roman.

VV do të jet partia më e votuar, mirëpo pushtetin edhe kësaj radhe do t’a merr dikush tjetër.

Pakti i mëkatarëve në skenen politike kosovare është aq i gjerë dhe fuqishëm, sa që VV mund të vijë në pushtet vetëm nëse i merr 50% + xy të votave.

Frika nga përgjegjësia dhe llogaridhënia i bashkon mëkatarët, e sidomos kur ndjejnë rrezik akut per t’i humbur privilegjet dhe pasurinë e fituar nga plaçka dhe abuzimi i parasë dhe pronës publike, buxhetit të shtetit, taksave, doganave, rezervave të shtetit, donacioneve, fondeve për zhvillim, tenderimit dhe privatizimin.

Nuk dua të ndalem te gabimet e shumta taktike dhe metodologjike të Albinit, sepse ato janë të kalibrit ”e zeza e vetvetes”, e as në raportin e tij të realksuar me rrymat ekstreme te islamit, por një gjë është e qartë: të qenit enciklopedi në dy këmbë dhe inteligjent e parimor nuk mjafton në vitin 2019 për të qenë edhe politikan i shkathët, gjegjësisht i zhdërvjellët.

Problemi më i madh i subjekteve politike kosovare është kryeneçësia, sujeta, egoizmi dhe paranoja e njerëzve të papërgjegjshëm që janë vrasës të modestisë, demokracisë së brendshme, synimeve përmbajtësore dhe kritereve për angazhimin e kuadrit më të mirë .

Sado që je i ditur, nëse je i rrethuar nga mediokri, nuk të ndihmojnë as 1000 këshilla, sepse në këtë rast diletantizmi dhe servilizmi peshojnë me tonelata e jo vetëm me killa.

Albini prej një politikani që angazhohej me kryeneçësi për ruajtjen e parimeve dhe moralit në politikë, është shndërruar në një politikan taktikisht të tejdukshëm dhe iracionalisht pragmatik, sepse këto zgjedhje i sheh apriori nga këndvështrimi i Shekspirit, gjegjësisht në frymën e asaj thënies së tij legjendare”të jesh ose të mos jesh”, si për vetveten dhe subjektin e tij, një ashtu edhe për Kosovën.

Dhe kjo shëtitje, gjegjësisht aventurë e Albinit prej njërit ekstrem në tjetrin e dërgoi atë në konakun e Isa Mustafës, ia humbi atij vetërespektin, respektin, origjinalitetin dhe e bëri me pak të besueshëm se sa në të kaluaren, si për për anëtarësinë e subjektit, ashtu edhe për elektoratin dhe popullin.

Si duket ndarja e Vetëvendosjes ia ka humbur atij drejtëpeshimin, vetëbesimin dhe busullën, gjegjësisht orientimin.

Unë nuk e di se kë e ka këshilltar Albini, por një gjë e di shumë mirë: të kesh kaq shumë vështirësi për të dalur bindshëm i pari si në kuptimin individual ashtu edhe në kuptimin partiak edhe pse konkurrenca është kaq e dobët dhe thellësisht e kalbur, mykur dhe mëkatare, është një paradoks që duhet të bëjë klik në kokën e çdo anëtari të Lëvizjes Vetëvendosje e sidomos në kokat e anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm.

Albini është duke ecur figurativisht mbi një urë të kalbur dhe shumë të ngushtë të drurit e cila mund të rrënohet në çdo çast. Nëse ai e kalon këtë urë me ndihmën e elektoratit gjithçka është e mundur në kuptimin pozitiv, por nëse nuk e kalon gjithçka është e mundur në kuptimin negativ.

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]