Lista Serbe nuk buron nga vullneti i qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë por është krijesë e ngjizuar dhe e fuqizuar nga marrëveshjet e dala nga negociatat e vazhdueshme Thaçi- Daçiq e më vonë edhe Vuçiq.

Kur kjo krijesë u pat regjistruar në KQZ në vitin 2013, ishte vetëm Vetëvendosja ajo që e kundërshtoi me të njëjtat argumente që sot më në fund paska filluar ti përdorë edhe një pjesë e shoqërisë civile.
Roli i Listës Serbe ishte që të konsolidojë ndikimin dhe kontrollin e Beogradit në Republikën e Kosovës, në veçanti në komunat në veri të vendit si dhe të shërbejë si partner i koalicionit për PDK-në dhe PLANin në përgjithësi për ta mirëmbajtur pushtetin e tyre në vend si dhe për t’i quar para planet shoviniste serbe në Kosovë.
Krijimi i LS ngulfati të gjitha partitë, iniciativat dhe SHC e komunitetit serb në Kosovë, kjo sepse ishin vet institucionet e vendit në bashkëpunim me ato të Serbisë të cilat në mënyrë të planifikuar i krijuan hapësirë veprimi dhe ushtrimi të kontrollit.

Andaj, që nga ajo kohë në komunat me shumicë serbe dhe sidomos në veri të vendit LS i janë lënë duart e lira të veprimit duke iu ndihmuar edhe në legjitimimin përmes proceseve zgjedhore të manipuluara dhe të kontrolluara ku mbusheshin kutitë e votimit ashtu siç bënte vite më parë PDK apo AAK në komunat që i konsideronin bastione.
Rol në zhvillimin e LS ka edhe vet KQZ e cila në vazhdimësi i ka ndihmuar duke ia legjitimuar proceset manipulative zgjedhore deri në atë masë sa që zyrtarët e KQZ me makina zyrtare bartnin nga Nishi për në Prishtinë zarfet me vota të manipuluara nga MUP Serbisë.
Kur LS i pa të panevojshme votat me postë sepse tashmë i mjaftonin ato që mbushte vet në vendvotime, ajo hoqi dorë nga votat me postë.
Po ta krahasojmë praktikën e KQZ me trajtimin e zarfave me votat që vinin nga Nishi me ato që vijnë nga mërgata shqiptare do shohim një trajtim të tillë sikur ky institucion e ka bazën në Beograd dhe jo në Prishtinë.
Natyrisht që kontrolli politik i dhuruar Listës Serbe përfshinte edhe kontrollin ekonomik së paku në tri drejtime: në kontrollin e të gjitha resurseve qeveritare të Republikës së Kosovës dhe atyre të Serbisë që hynin me leje të qeverisë sonë, si dhe në kontrollimin e përbashkët të aktiviteteve ilegale dhe kriminale politike, ekonomike serbo-shqiptare në veri të vendit në të cilat janë të involvuar edhe ish qeveritarë dhe politikanë të PLANit.
Gjithashtu, kontrolli i komuniteteve jo serbe në Kosovë ishte ndërmarrje e përbashkët Thaçi- Vuçiq.

Ju pëlqen!

Aty ku nuk arrinte Thaçi përfshihej Serbia.

Tani ky kontroll ka marrë përmasa shqetësuese sa që po e rrezikon përfaqësimin e komuniteteve joserbe në parlament si dhe po e rritë ndikimin e Serbisë në parlamentin e Republikës së Kosovës për shkak se disa iniciativa nga komuniteti jo serb por që njihen si satelitë të LS dhe Vuqiçit kanë siguruar vota pikërisht nga ato zona ku nuk ka banorë të komunitetit të tyre, nga zona ku LS dhe Serbia ka kontroll të madh politik dhe në të cilat KQZ e dinë fare mirë që proceset zgjedhore manipulohen, pra thënë thjeshtë mbushen kutitë e votimit.
Si përfundim, Serbia vazhdon ti vjelë frytet e pakos së Ahtisarit dhe të marrëveshjeve të mëvonshme me qeveritë tona të udhëhequra nga PLANi, kurse Republika e Kosovës ndonëse tashmë e çliruar nga politika e stërvjetruar e cila është përgjegjëse për degradimit politik, ekonomik dhe social të vendit, ndodhet para një mali të madh bërllogu brenda shtëpisë së saj që duhet ta pastrojë përmes qeverisë së re dhe programit të saj si dhe reformave të thella në çdo sektor, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese.
Ky rrugëtim sado i vështirë është i vetmi dhe i domosdoshmi.
Natyrisht që roli ynë si qytetarë është që ti japim mbështetje të parezervë dhe të jemi pjesë aktive në zbatimin e tyre./Alban Krasniqi/

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.