Liria dhe shëndeti kanë diçka të përbashkët: ato vlerësohen me të vërtetë atëherë kur nuk i kemi.

Nuk ka njeri që të mos e dojë lirinë, por i drejti e kërkon për të gjithë, ndërsa i padrejti vetëm për vete.

Përbetimi nuk ka qënë asnjëherë mjet për të fituar lirinë. Atje ku vullneti dhe forca e shumicës së popullit janë pjekur për lirinë, nuk ka nevojë për përbetim, atje ku janë ato, ai nuk ndihmon dot.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Liria që shërben për të zhdukur lirinë, duhet zhdukur.

Njeriu i lirë nuk synon të sundojë, liria i kundërvihet në masë të barabartë si skllavërisë ashtu edhe sundimit.

Askush dhe asnjëherë nuk ka pasur të drejta të tjera, përveç atyre që ka fituar dhe i ka mbrojtur vetë.

Pse është kaq gjë e rrallë liria? Sepse është e mira më e madhe.

Vetëm mëndjet e lira e ndjejnë peshën e vargonjëve.

Liria është një fe e re, feja e kohës sonë.

Vetëm ai është i denjë për jetën e lirinë që çdo ditë del në luftë për to.

Liria pa ideale sjell më tepër dëm se dobi.

Pëlqej të jem shpirt i lirë në burg, se sa puthador dhe frikacak në liri.

Ne nuk mund të presim që nga despotizmi në liri të na shpien mbi jastëk me pupla.

Privilegjet e çdo lloji janë varri i lirisë dhe i drejtësisë.

Liria nuk është të rrish duarkryq, por është përdorimi i arsyeshëm i kohës, është zgjedhja e punës dhe e veprimit.

Liria është një bukë që popujt duhen ta nxjerrin me djersën e ballit.

Despoti kur bëhet i tillë, e shndërron vetveten në skllav.

Ujku dhe qengji e kuptojnë në mënyra të ndryshme fjalën “liri”.

Thelbi i shtypit të lirë, është thelbi burrëror, ashtu si një pjesë e trupit kushtëzon tjetrën.

Asnjë njeri nuk lufton kundër lirisë; në rastin më të skajshëm njeriu lufton kundër lirisë së të tjerëve.

Liria është njeriu. Madje edhe që të bindesh duhet të jesh i lirë; që të sakrifikosh duhet t’i përkasësh vetvetes.

Të jesh i lirë do të thotë, ndër të tjera, të mos jesh rob i llogjikës tënde.

Liria është një e mirë që lejon të përdoren të mirat e tjera.

Liria është perëndia e shpirtit tim.

O liri, magji e jetës time, pa ty puna është torturë, jeta-vdekje e ngadaltë.

Kemi nevojë për liri, por ca më tepër të na drejtojnë njerëz që i duam.

Liria e vërtetë është më e çmueshme se ari dhe argjendi.

Të gjithë tiranët që kanë jetuar mbi këtë tokë, kanë besuar gjithashtu në lirinë – por në lirinë për vetveten.

Mundësia për të bërë gjithçka që të na pëlqejë, nuk është liri, por më tepër shpërdorim fyes i lirisë së vërtetë.

Është vënë re se ata që bërtasin më tepër se të gjithë, duke kërkuar liri, nuk para e durojnë me qejf atë.

Ka vlerë vetëm ajo liri që u jep hapësirë energjisë, mendjes dhe vetive të mira të popullit.

Nuk mund të jetë i lirë ai popull që shtyp popujt e tjerë.

Liria e vullnetit, për pasojë, nuk është tjetër veçse aftësia për të marrë vendime me kompetencë.

Mjaft të quash veten skallav dhe do të jesh i tillë.

Skllavëria mund t’i ulë njerëzit aq shumë, sa ata të fillojnë ta duan atë.

Shërbëtorët nuk kanë zotëri, nuk bëhen të lirë, shpirti i skllavit ka hedhur rrënjë tek ata.

Në qofsh ti vetë shkaku i robërisë tënde, mëshirë mos prit në orën e vështirë.

Atje ku është ligjësuar skllavëria, nuk mund të ketë kulturë humane.

Kur dëgjoj që ndonjë mbron skllavërinë, më lind një dëshirë e zjarrtë ta detyroj atë që ta provojë vetë këtë fat.

Veprimi prej skllavi nuk është gjithmonë karakteristikë vetëm e skllavit.

Një që është tiran në shtëpi, jo rrallë është skllav në shoqëri.

Dhuna krijoi skllevërit e parë, frika i përjetësoi.

Nuk ka skllavëri më të turpshme se skllavëria vullnetare.

Pushteti mbi vetveten është pushteti më i lartë, skllavërimi nga pasionet vetjake – skllavëria më e tmerrshme.

Njeriu më i lirë është ai që di të qëndrojë i lirë edhe në skllavëri.

Asnjë lloj pabarazie nuk mund të përligjet përveç asaj që ka krijuar vetë natyra në formën e ndryshimeve midis njerëzish.

Republika, më tepër se çdo gjë, i afron njerëzit te barazia.

Barazia e të drejtave është ligj i shenjtë i njerëzimit.

Despotët e mëdhenj të lashtësisë u ngjajnë ca bredhave madhështorë, majat e të cilëve prekin qiellin, por që, duke mos pasur rrënjë të thella, përmbysen nga shtrëngata e parë.

Përdorimi i një pjese të popullit për të mbajtur nën fre pjesën tjetër, është një mënyrë veprimi e vjetër të despotëve.

Tiranët në krye të familjes dhe ata në krye të shtetit ndryshojnë vetëm nga përmasat e zotërimeve dhe nga numri i skllevërve.

Unë nuk dua të jem sundimtar, siç nuk dua të jem dhe skllav. Ky është koncepti im për demokracinë.

Tirania është gjithmonë shprehje e dobësisë.

Tirania më e egër është ajo që vepron nën hijen e ligjshmërisë dhe del me flamurin e drejtësisë.

Qevrisja despotike është një rend i tillë punësh ku sunduesi është i poshtër, e të sunduarit janë të poshtëruar.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!