Liga unike e Kosovës dhe Shqipërisë në basketboll nuk i sjell asnjë dobi basketbollit të Shqipërisë, e aq ma pak atij kosovar. Ishte domosdoshmëri për Kosovën gjatë okupimit dhe gjatë periudhës derisa Kosova nuk ishte e pranuar në FIBA

Agim Kasapolli

Nëse dikush në sportin kosovar ja ka pa hairin pandemisë, atëherë kjo i takon udhëheqjes ilegale të FBK-së, të cilës në qershorin e vitit të kaluar i ka skaduar mandati. Megjithatë, me leje të “Bajram Begut”, i mbajnë postet për zhvatje dhe për sorollatje nëpër dynja, me rroga të majme që ua sigurojnë taksapaguesit kosovarë dhe me vetëdije vazhdojnë ta varrosin basketbollin kosovarë.

Ju pëlqen!

Derisa futbolli disi ia doli ta përfundojë kampionatin dhe mori pjesë me tri ekipe në kupat evropiane, basketbollin pandemia e “detyroi” që 8 xhiro para përfundimit të kampionatit t’i ndërpresë garat pa e shpallur kampionin në superligë. Mirëpo, i njëjti bord për hesape të vetat, pa përfunduar garat në ligen e parë, e shpall Vllaznimin e Gjakovës kampion që nënkupton anëtar të ri të Superligës. Ndërsa me vendim të taralushes nga liga i largojnë dy ekipet e fundit në tabelë, Feronikelin dhe Lipjanin.

Të gjitha këto pisllëqe këta matrapazë me dekada bëjnë në dëm të basketbollit, sepse këta bilmeza janë në shërbim te plotë të politikanëve. Se Superliga e Kosovës ishte me dekada improvizim, i cili u politizua skajshmërisht, dhe bordi i taralushes në tersi ishte në kontrollin e plotë të KB Prishtinës, ku dirigjent i këtyre marifetllëqeve ishte Blerant Stavileci. Kjo tani shihet si drita e diellit, pandemia ishte pretekst i mirëseardhur që garat në ligat e basketbollit menjëherë të ndërpriten!

Po si ndodhi kjo?

Humbja e pushtetit të PDK-së i solli telashe klubit të basketbollit Prishtina, e cila është e zhytur deri ne fyt në borxhe dhe me vite funksionon me pesë xhirollogari, të vetëdijshëm se kungulli gjithmonë nuk noton mbi ujë dhe ardhja e qeverisë Kurti në pushtet me ambicie të vendosur që korrupsionin ta luftojë. Gati në heshtje pa kurrfarë transparence Blerant Stavileci jep dorëheqje nga posti i kryetarit të klubit dhe ikën pa ferrë në këmbë! Njëkohësisht largimi i Stavilecit nënkupton se PDK-së-nuk e ka më në kontroll këtë klub, që nënkuptohet se para më nuk ka. Njëkohësisht federata tani ngel pa ideologun e vetë Stavilecin dhe në këtë situatë të vështirë të pandemisë këta tutkuna të bordit sillen si gusa në mjegull, sepse s’ka para për blerje të lojtarëve të huaj. Tani besoj e keni të qartë pse Prishtina hoqi dorë nga blerja e lojtarëve jashtë Kosovës.

Edhe Peja veproi si Prishtina, edhe kjo nuk e ka ma përkrahjen materiale nga korporata Devolli, sepse kryetari i KB Pejës, Art Gashi, po ashtu u largua nga posti i kryetarit. Ai që e pagëzoi në këtë post ishte babai i tij, Fatmir Gashi, i cili po kalon në pension dhe mundësitë e tij për shërbimet “tranke franke” me korporatën e Devollve i takojnë të kaluarës.

Rahoveci në dy vitet e fundit për shumëkënd ishte befasi e këndshme në basketbollin kosovar. Me pallatin e ri sportiv dhe me blerjen e gati të gjithë lojtarëve të huaj Rahoveci u bë “meka” artificiale e basketbollit në Kosovë. Kam frikë se ky pallat në qytezën e Rahovecit me një ekonomi të ligë që e ka nuk ka mundësi që ta mirëmbajë, prandaj lehtë mund të ndodhë të shndërrohet në magaze për grumbullimin e rrushit.

Trepçën moti e braktisën ata që shkuan për t’i “ndihmuar”, të njëjtit janë ende në basketboll, por tash të barrikaduar në poste të uzurpuara në federatë, kurse klubi është para shuarjes.

E vetmja skuadër që pati rahati materiale në dy vitet e kaluara është IGËLL Ylli i Suharekës. Ndërsa dy skuadrat e Prizrenit u munduan ta imitojnë Prishtinën dhe Pejën, por kaqiku i tyre material diktoi suksesin në gara. Skuadrat e tjera as që ia vlen të përmendën, ato ekzistojnë për pazare të pista të klaneve që veprojnë në kuadër të bordit të federatës.

Po ç’na solli në pah pandemia për basketbollin kosovar?

Paraqitja e pandemisë i detyroi klubet që t’i largojnë hiç më pak se 37 lojtarë të huaj, të cilët ishin të angazhuar në Superligë; u larguan nga Kosova për shkak te mungesës së mjeteve materiale. Ky largim i lojtarëve të huaj solli në sipërfaqe mashtrimin dhe punën e mbrapshtë që e bëjnë gati 15 vite uzurpatorët e posteve në FBK. Dhe në momentin kur pritej leja nga IKSHPK për vazhdimin e kampionatit, klubet e Superligës pas një dekade u dorëzuan dhe e pranuan se nuk paskan lojtarë pas largimit të lojtarëve të huaj. Por, eventualisht nëse dy ekipe disi arnohen me lojtarë vendorë, që me dekada qëndruan në bankën e rezervistëve, loja e tyre nuk premton as cilësi minimale! Kjo ishte pra arsyeja që menjëherë kampionati u ndërpre, për të mos dalë në pah turpi i punës së mbrapshtë. Kështu dështimin e kampionatit dhe mospunën 10 vjeçare të bordit të FBK-së dhe klubeve e shpëtoi pandemia.

Për ta dëshmuar edhe më bindshëm manipulimin e këtyre mashtruesve, pason veprimi i dytë edhe më i dhimbshëm dhe i turpshëm për basketbollin kosovar: pas pesë vite pranim në FIBA-s klubet kosovare në dy konkurrencat hoqën dorë nga garat e sivjetme ndërkombëtare të FIBA-s.

Heqja dorë nga garat zyrtare të FIBA-s domethënë heqje dorë nga sovraniteti sportiv i shtetit që një armatë e njerëzve flijoi shumë për t’u bërë pjesë e familjes sportive evropiane dhe botërore dhe ky lajm dëshpërues më së shumti e gëzon dhe inkurajon Serbinë.

Për t’i fshirë gjurmët e këtij turpi këta mashtrues që sot mbajnë poste në këtë federatë, të cilët gjatë okupimit kur nuk patëm rast t’i shohim në lëvizjen për pavarësimin e sportit gjegjësisht të basketbollit, tani këta të njëjtit që paguhen me rroga të majme nga taksat e popullit, na prezantuan mashtrimin e radhës, duke luajtur me ndjenjat e njerëzve dhe duke përdorur kartën e patriotizmit të rrejshëm dhe duke promovuar njëfarë lige unike midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe duke emërtuar këtë ligë si ngjarje “historike!”.

Në manifestimin i cili u mbajt në Tiranë lidhur me formimin e ligës unike, ku Shqipëria dhe Kosova me pjesëmarrjet me nga katër skuadrave, me gjithsej tetë ekipe formohet liga unike. Me rastin e promovimit të kësaj ngjarje “historike”, në Tiranë nuk mungoi zijafeti, që ishte për çdo lakmi, arsyetimi i themelimit të kësaj lige i përngjante atyre mbledhjeve të dy qeverive (Kosovë-Shqipëri), të cilat nëse ju kujtohen ajo e Prizrenit dhe ajo e Pejës na prodhuan mjegull. Në këtë zijafet allafrenga për t’i dhënë pompozitet kësaj maskarade ishte edhe ish basketbollisti rezervist i Tironës, tani kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në fjalimin e vet na shitke sapuna për samuna. Aty prezente ishte edhe ministrja për sport e Kosovës, Vlora Dumoshi, e cila në vend se t’i fillojë reformat në federata (që në këto institucione në krye me KOK-së punët po shkojnë hallakamë e vilikam), kjo hanemablla qe prej momentit kur u emërua ministre e sportit u mbyt duke marrë pjesë nëpër heftebasha sportive dhe duke ndarë hedije rend e pa rend. Për ta rrumbullakuar këtë ditë “historike”, kuptohet për vlerën dhe peshën e ligës turistiko shqiptaro-shqiptare, folën dy kryetaret e federatave, ky i Kosovës Fetahu, (i cili gjatë okupimit të sportit kosovar ishte vërtet fetah as me ne as me ata), dhe ai i Shqipërisë, Ponari, i cili është pronar i Sigalit në Kosovë dhe mbi dhjetë vite sponsor i KB Prishtinës, i klubit me pesë xhirollogari dhe duke sponsorizuar miliona euro, kështu vetë deklaroi në një emision, herifi u dashurua por edhe u qmistua në këtë sport natyrisht “pa kurrfarë interesi”.

Por, cila vërtet është dobia e kësaj lige unike për basketbollin e dy vendeve të pranuara në FIBA?

Kjo ligë unike nuk i sjell asnjë dobi basketbollit të Shqipërisë, e aq ma pak atij kosovar. Ishte domosdoshmëri për Kosovën gjatë okupimit dhe gjatë periudhës derisa Kosova nuk ishte e pranuar në FIBA-s të luajë me Shqipërinë, kjo me mjaft peripeci edhe u realizua disa ndeshje midis dy kombëtareve, kjo për kohën arsyetohej, sepse ishte e vetmja dritare e hapur për aktivitetin e basketbollit kosovar. Mjerisht edhe atëherë, por edhe tash cilësia e lojës të dy shteteve është më e dobëta në regjion, dhe kjo ligë do të thotë izolim total nga basketbolli i avancuar evropian.

Patriotizmi në sport dëshmohet kur në atë shtet profesionalizmi vlerësohet, kur ke ngritje në cilësi të lojës, kur ke rezultate në atë sport, kur rinia kosovare që është ma e reja në Evropë angazhohet dhe çdo vit paraqiten frytet e punës dhe vetë ata janë kryefjala në garat ndërkombëtare.

Nuk arrihet suksesi me njerëz që sportin e fusin në shërbim të politikës. Nuk arrihen rezultatet me borde mafioze që federatën e shndërrojnë në maskarallëk, duke hequr dorë nga garat ndërkombëtare dhe duke u kthyer në liga qe para fillimit paralajmërojnë dështim. Sot, klanet e organizuara, ku në mesin e tyre ka edhe gazetarë, po veprojnë me zell si bartës të zhbërjes së pariparueshme mbi basketbollit tonë, i cili më këtë ligë unike turistike Shqiptaro -Shqiptare ka përjetuar vdekje klinike.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.