Lideri i serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, është takuar sot me presidentin rus Vladimir Putin.

Ai është ndër politikanët e paktë për të mos thënë i vetmi në rajon dhe Evropë, që po takohet me Putinin që kur filloi pushtimin rus në Ukrainë.

Pavarësisht se është futur nën sanksionet e SHBA-ve për shkak të veprimeve të tij radikale dhe nxitjen e urrejtjes dhe kërcënimet për luftë, Dodik ka ritheksuar gjatë takimit me Putinit, se Republika Srpska mbetet me orientim pro-rus.

Derisa agresioni rus në Ukrainë po vazhdon, Dodik gjatë bisedës me Putinin theksoi se Republika Srpska ka patur presione të mëdha nga Perëndimi për shkak të mbështetjes së Rusisë.

“Nuk kemi lejuar të merren vendime zyrtare për sanksionet ndaj Federatës Ruse dhe për këtë nga partnerët perëndimorë kemi patur presion dhe kanë anuluar projekte dhe programe të caktuara. Por, ne kemi vendosur të mos jemi pjesë e histerisë që po krijohet”, tha Dodik.

Videoja e takimit mes Dodik dhe Putin në Moskë është publikuar nga televizioni i afërt me Dodikun me seli në Banja Llukë që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara.