Ndër vite, librat janë ndaluar në shtete të ndryshme për arsye kryesisht politike, fetare dhe morale. Në disa vende, ende sot ka përpjekje për të ndaluar “Ditarin e Ana Frank”!
Asnjë rrezik nuk mund të vijë nga librat, që frymëzojnë, argëtojnë, informojnë. Rreziku i vërtetë vjen nga njerëzit që i ndalojnë ata.

Më poshtë gjeni një listë të librave që, ndër vite, janë ndaluar në shtete të ndryshme për arsye të ndryshme.

“Liza në botën e çudirave” – Ljuis Karol. U ndalua në provincën Huan, Kinë. Censori, gjenerali Ho Chien, besonte se t’u atribuoje kafshëve gjuhën e njerëzve ishte një fyerje ndaj njerëzimit. Ai frikësohej se libri do t’u mësonte fëmijëve t’i mendonin njerëzit dhe kafshët në të njëjtin nivel zhvillimi.
“Asgjë e re nga fronti i perëndimit” – Erih Maria Remark. I ndaluar nga Gjermania naziste sepse ishte demoralizues dhe fyes ndaj sistemit.
“Ferma e kafshëve” – Xhorxh Oruell. I përfunduar në vitin 1943, Oruell nuk gjeti dot një publicist për librin për shkak të kritikave ndaj ish-Bashkimit Sovjetik, një aleat i rëndësishëm i Britanisë gjatë Luftës. Kur u botua, libri u ndalua në ish-Bashkimin Sovjetik dhe disa vende të tjera komuniste. Libri është ende i ndaluar në Kubë, Korenë e Veriut dhe Kinë.
“Më e mira e botëve” – Aldous Huxley. I ndaluar në Irlandë në vitin 1932 për shkak të referencave seksuale. I ndaluar edhe në Australi nga 1932-shi më 1937-n.
“Zoti president” – Migel Angel Asturias. I ndaluar në Guatemala sepse shkonte kundër qeverisjes së vendit.
“Lolita” – Vladimir Nabokov. Francezët e ndaluan për shkak se ishte i turpshëm, të njëjtën gjë bënë zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar, Argjentinë, Zelandën e Re dhe Afrikën e Jugut.
“Zonja Bovari“ – Gustav Flober. Romani i Floberit u ndalua, ndërsa vetë ai u hetua për fyerje ndaj moralit publik.
“Vargjet satanike” – Salman Ruzhdi. I ndaluar për blasfemi ndaj islamit në: Bangladesh, Egjipt, Indi, Iran, Kenia, Kuvajt, Malajzi, Pakistan, Senegal, Singapor, Tanzani, Tajlandë.

Në periudhën e komunizmit shumë nga kryeveprat botërore ishin të ndaluara dhe mund të qarkullonin rrallë nën dorë.
Më i rëndë ishte fati i letërsisë shqiptare, si ajo e ndaluar, anatemuar dhe e mohuar (e shkruar nga At Gjergj Fishta, Faik Konica, Vinçens Prenushi, Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi si dhe gjithë tradita letrare françeskano-jezuite), ashtu edhe letërsia shqipe e burgjeve (Sejfulla Malëshova, Kasëm Trebeshina, Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi etj).