Pas një shkëputje 4-vjeçare, Bashkia Lezhë ka rikthyer çmimin letrar “At Zef Pllumi”. Botimet më të mira në publicistike, memorialistike dhe monografi u vlerësuan nga kjo njësi vendore, në një aktivitet organizuar me pjesëmarrje mjaft të gjerë. Krijuesit e këtij çmimi dhe kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, vlerësuan kontributin e At Zef Pllumit dhe sipas tyre kjo është minimumi që mund të bëhet për këtë figurë mjaft të rëndësishme të kombit shqiptar.

‘Është një çmim të cilin s’e kemi shpikur apo krijuar ne, por i dedikohet Salvador Kaçes të cilin e përshëndes, dhe ia kemi marrë dhe e kemi sjellë prapë përballë gjithë botuesve të të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë zona shqiptar-folëse dhe për ta sjellë përballë opinionit publik lezhjan që ta forcojmë dhe realisht të japim ato mesazhe që At Zef Pllumi ka dhënë në veprat e tij’, tha Ndreu.

‘Ka qenë një kënaqësi shumë e jmadhe për mua, Salvador Kaçen dhe për Agron Gjekmarkaj, që morëm një vendim që ta krijonim çmimin kombëtar “At zef Plllumi si një moment i nderimit veprës dhe të jetës së tij.;, u shpreh Preç Zogaj. Juria e përbërë nga Alfred Lela, Jonila Godole dhe At Vitor Dema, shpalli fituesit në kategorinë publicistikë Belina Budinin, memorialistikë Vera Bekteshin dhe monografi Sabri Hamitin. Çmimi kombëtar “At Zef Pllumi” u krijua për herë të parë në vitin 2012 nga ish komuna Shëngjin me iniciativën e Preç Zogaj e Agron Gjekmarkaj.

‘Ndihem, jo vetëm e gëzuar, por e lumtur, që sot më akordohet ky çmim i rëndësishëm i Shqipërisë. Gjithnjë kam menduar se nëse ka një çmim që i përshtatet më mirë librit tim ” Vila me tri Porta”do ishte pikërisht ky çmim’, tha Vera Bekteshi, shkrimtare.

‘Sigurisht emocion por edhe kënaqësi e veçantë por është edhe nder. Është një nga ato çmime, që jo vetëm në botën kulturore por edhe atë në mjedisin akademik ku ne jetojmë dhe zhvillojmë veprimtarinë tonë është shumë i çmuar’, u shpreh Belina Budini, shkrimtare. ‘At Zef Pllumi nuk është vetëm misionar, por ai është edhe një shkrimtar i madh. Është një njeri që ka shkruar një kryevepër do të thosha jo vetëm në letërsinë shqipe por edhe në atë botërore’, tha Sabri Hamiti, studiues.