Nga pikat kryesor që Gjykata Kushtetuese shfaq në njoftim, mund të nxjerrim përfundimin se ajo është shndërruar në Paragjykatë Presidenciale. Pra, nëse Isa Mustafa, i pavotuar prej popullit, na njoftoi që demokracia nuk është më çështje qytetarëve por e kuvendarëve të Isës, Gjykata na tregoi se institucioni i Republikës nuk garantohet nga nenet e Kushtetutës, por nga frazat pa lidhje të Presidentit. Lexojeni përsëri Zululandin e Konicës, dhe do të shihni se si Kushtetuta është kthyer në një copë mishi në duart e halldupëve. Çka do të mbetet nga kjo Kushtetutë e gjorë janë sigurisht poak kocka të Republikës.

E themeluan si trup të brishtë me Ahtissarin, tani po ia zhvasin mishin për Presidentin.
Ja vetëm pak prej vërejtjeve:

1. Meqë pranoi kërkesën mbi papajtueshmërinë e dekretit të Presidentit me nenin 82, atëherë GJK vendosi ta zhdukë nga Kushtetuta nenin 82. Ndaj dhe i referohet nenit 95 i cili nis me formulën “pas zgjedhjeve”. Eshtë si me e vendosë me e tërheq kerrin me një kalë dhe me i vendosë kalit në shpinë shënimin “motorr diesel”.
2. Meqë Gjykata Kushtetuese mund të heqë nga lista një nen, ne mund ta kuptojmë se ajo ka për funksion ta kuptojë Kushtetutën duke e thjeshtuar atë, pra në një farë mënyre, si një pedagoge e shkollës fillore për Kushtetutën. Një pedagoge që meqë nuk e kupton mësimin që do të shpjegojë, i merr nxënësit e saj për aq budallenj sa është dhe vetë. Kushtetuesja e sqaron në kuptim të mirëfilltë Kushtetutën duke e pastruar prej neneve. Edhe pak punë do t’i duhet Gjykatës ta reduktojë Kushtetutën vetëm në nenin e kompetencave të Presidentit. Për Kushtetuese, Kushtetuta është e presidentit dhe jo e Republikës.
3. Meqë Presidenti nuk ka të drejtë të prodhojë politikë partiake, por vetëm të përfaqësojë unitetin e popullit, GJK vendosi që presidenti të prodhojë politikë dhe të mos shprehë më unitetin e popullit. Kështu që i duhet të flasë në përgjithësi për kompetencat e Presidentit, duke e kthyer Presidentin në dekretues të qeverive sa herë që ai dëshiron. Pra populli nuk ka të drejtë të zgjedhë, por Presidenti ka të drejtë të konsultojë partitë e dyta dhe të formojë qeveri sa herë ia ka qejfi. Gjykata është dakort me deklarimin e Presidentit me vepru sipas maskimës së “qejfit”.
4. Meqë Presidenti nuk e ka të shkruar askund në Kushtetutë ndonjë afat për kërkim mandatari, GJK ka opinionin se Presidenti ka qenë tepër i duruar edhe ato 20 ditë kur shkroi pesë letra. Pra Gjykata merr përsipër të përcaktojë edhe afatet e prishjes së “qejfit” presidencial.
5. Meqë partitë në dispozicion të Presidentit janë të dytat, atëherë ajo vendosi të mos merret parasysh rezultati i zgjedhjeve që përcakton fituesin e tyre, por opinioni i Presidentit mbi fituesin që i takon. Pra këtej e tutje është kushtetues politik qejfi i Presidentit dhe jo efekti legal i zgjedhjeve. Natyrshëm, në kompetencat e Presidentit në Kushtetutë qejfi nuk bën pjesë, por meqë Gjykata Kushtetuese punon për qejf të tij, Presidentit i lejohet ta bëjë qejfin e vet me Republikën.
6. Nga njëra anë, GjK merr si referencë nenin 95 “pas zgjedhjeve”, por, nga ana tjetër, ia ngjit këtë copë zhdukjes së legjitimitetit të fituesit të zgjedhjeve. Pra, GjK ka për funksion ta kthejë Kushtetutën në një përzjerje laramane dhe ta quajë këtë frymë të Kushtetutës.
7. Meqë më parë Kushtetuta e ka përcaktuar praktikën e shpërndarjes së Kuvendit fill pas mocionit të mosbesimit, Gjykata vendosi që Kushtetuta të mos merret parasysh, pra të mos shpërndahet Kuvendi si më parë. Dhe këtë GjK e bën për zbavitje, sepse nuk ia vlen me i përsëritë të njëjtat rrjedhoja. Ka frikë se mos Presidenti e humb humorin kur zbatohet njësoj e njëjta Kushtetutë.
8. Meqë nuk ka ndodhur refuzimi shprehimisht i mandatarit të dytë prej fituesit të zgjedhjeve, atëherë Gjykata mori përsipër të zgjidhë ngërçin jo duke gjykuar por duke paragjykuar, pra duke u kthyer nga gjykatë në paragjykatë. Në vend që të interpretojë Kushtetutën, ajo interpreton gjestet e politikës. GjK kthehet kështu në analiste politike. Edhe pak dhe do ta shohim të sponsorizohet nga studiot televizive.
9. Meqë mocioni i mosbesimit ndodhi me 2/3 e votave, po aq sa kërkohen për shpërndarjen e Kuvendit, atëherë Gjykata vendosi të flasë për mosbesim me 61 vota dhe mosbesim me 2/3 e votave, një dallim që nuk ekziston askund në Kushtetutë. Edhe këtë e ka bërë për të na sjellë pak humor. Tërë ato faqe me arsyetim kanë nevojë për pak hajgare dhe çartje. Ndryshe nuk i lexon kush.
10. Meqë u votua mosbesimi dhe meqë Presidenti, sipas Kushtetutës, mund ta shpërndajë Kuvendin, GjK vendosi të zhdukë nenin 82 dhe të kapërcejë në nenin 95, por duke treguar se po të lexohet Kushtetuta si tërësi unike, fare mirë mund të harrohet ndonjë nen i saj. Leximi në përgjithësi i Kshtetutës për gjyqtarët e Kushtetuese është fryma pa gërmën.
11. Meqë, sipas njoftimit të saj, Gjykata është e interesuar të mos bllokohet formimi i një qeverie prej të dytëve e të katërtëve në zgjedhje, ajo merr vendim të bllokohen zgjedhjet. Gjykata Kushtetuese i heq zgjedhjet dhe vendos absolutin e Kuvendit, heq Kushtetutën dhe vendos absolutin e Presidentit.
12. Meqë formimin e qeverisë me jo-fituesit e zgjedhjeve Gjykata e konsideron zhbllokim të themelimit dhe funksionimit “efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, atëherë ajo vendos vetë për bllokim të zgjedhjeve me qëllim që pushteti legjislativ të vendoset në qark të shkurtër me pushtetin ekzekutiv. Pra, bëhet fjalë për Gjykatë Kushtetuese që nuk mjaftohet me keqtrajtimin e Kushtetutës, por dhe me përjashtimin e popullit nga nocioni i demokracisë. Gjykata Kushtetuese mendon se Republika është presidenciale në parlamento-kraci. Kaq mjafton për të vënë re se GjK po kryen grusht shteti.
13. Meqë nuk ekziston mocioni konstruktiv i mosbesimit, atëherë Gjykata e shpik. Pra rënien e një qeverie e prezanton si mundësi të formimit të një tjetre në bazë të aksionit të paparaparë të Presidentit në Kushtetutë. Pra Gjykata merr për të qenë Kushtetutën e ndonjë shteti tjetër, dhe jo atij të Kosovës. Gjykata ia ka huq shtetit ku funksionon.
14. Meqë i duhet të justifikojë një dekret antikushtetues, atëherë Gjykata mendon dy votime të nevojshme, pra mosbesimin e një qeverie dhe shpërndarjen e Kuvendit. Imagjinoni se, sipas kësaj Gjykate, të njëjtët deputetët që votuan mocionin e mosbesimit, po ata të votojnë menjëherë më pas shpërndarjen e Kuvendit. E sikur të votojnë kundër, ç’ndodh në këtë rast? Gjykata nuk e kupton se përse në Kushtetutë neni 82.2 flet për shpërndarje fill pas mocionit të sukseshëm të Kuvendit vetëm prej Presidentit. Nëse Kushtetuta ka për funksion mos ta bëjë Republikën objekt të lajthitjes së deputetëve të Kuvendit, Kushtetuesja ka për funksion ta kthejë Kushtetutën në objekt të lajthitjes së Presidentit.

Ju pëlqen!

Dhe këto janë vetëm disa vërejtje që mund të nxirren nga leximi i disa pikave të njoftimit. Në vazhdim do të nxjerrim të tjera, jo vetëm unë, por do të jenë të shumtë ata që do ta kthejnë Gjykatën në objekt të trajtimit. Për një arsye të vetme. Sepse Gjykata ka bërë interpretim voluntarist dhe militant në vend të atij juridik. Pra, nuk ka interpretuar as në bazë të frymës e as të gërmës, por të rrethanës dhe interesit… të Presidentit.

Me veprimin e saj Gjykata Kushtetuese ia ka mbërritur në dy elementë:
1. të bëhet objekt i talljes. Vendimet e saj do të kthehen në kazus studimorë për brezat e ardhshëm të juristëve.
2. të kthehet nga Gjykatë Kushtetuese në Paragjykatë Presidenciale.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!